E mërkurë, 12 Shkurt, 2025
6.8 C
Skopje

Kredi për të operuar sytë!

Rasti i dibranit B.R. është një rast tipik që flet qartë se familjet dibranë në pjesën më të madhe të tyre, nuk kanë mundësi të grumbullojnë mjetet e mjaftueshme për një intervenim kirurgjik. Bashkëbiseduesi i jonë thotë se në një nga klinikat private i kanë kërkuar 6000 euro për një intervenim kirurgjik, ndërkohë që në Klinikat e shtetit i duhej të priste gjatë kohë për termin

Vjollca SADIKU

Dibër, 4 shkurt – Viteve të fundit në disa filiale të bankave që veprojnë në Dibër dhe rajon, qytetarët marrin kredi për blerjen e banesave, për të shkolluar fëmijët, për të mobiluar shtëpitë, për shëtitje turistike, për verime, por edhe për të shpëtuar jetë. Këto të fundit janë kredi të cilët të shumtën e rasteve përdoren për operacione për shkak të problemeve me shëndetin e tyre. Dukuria në fjalë nga viti në vit është duke u shtuar, thonë informatat tona që kemi marrë nga disa ekspozitura të bankave në Dibër dhe rajon.

Qytetarët, të cilët kanë probleme me shëndetin, shpesh sipas diagnozave të mjekëve, duhet të bëjnë intervenime kirurgjike. Por kriza që ka kapluar shumë klinika shtetërore, dhe mungesa e terminëve, ata i detyron që intervenimet kirurgjike t’i kryejnë në klinikat private. Intervenimet më të shpeshta janë për intervenimet kirurgjike në sy, veshkë, zemër dhe në organet interne. Por intervenimet në klinikat private janë të shtrenjta, prandaj edhe pacientët dhe familjet e tyre kërkojnë rrugëdalje duke kërkuar mjete tek të afërmit e tyre, por edhe duke marrë kredi në bankat.

Një pjesë e theksuar e hallexhinjve që kanë probleme me shëndetin këto intervenime i paguajnë me paratë që kanë marrë nga të afërmit, të cilët janë në mërgim, por kur nuk kanë rrugëdalje – atëherë u drejtohen bankave për të marrë kredi.

Rasti i dibranit B.R. është një rast tipik që flet qartë se familjet dibranë në pjesën më të madhe të tyre, nuk kanë mundësi të grumbullojnë mjetet e mjaftueshme për një intervenim kirurgjik. Bashkëbiseduesi i jonë thotë se në një nga klinikat private i kanë kërkuar 6000 euro për një intervenim kirurgjik. “Meqë duhej të prisja gjatë kohë për termin tek klinikat shtetërore, u detyrova që operacionin ta kryej në klinikë private. Paratë që atje na i kërkuan për intervenimin kirurgjik janë të mëdha për standardin familjar. Nuk kemi të afërm të cilët munden me na ndihmu, prandaj iu drejtova një banke dhe mora kredi. Vetëm kështu munda të bëj këtë intervenim”, thotë B.R., i cili ankohet se ka ardhur koha të paguajmë shërbime private, edhe pse gjatë kohës që ka punuar, ka paguar kontribute shëndetësore.

Dukuria në fjalë tani më është bërë e shpeshtë. Një pjesë e theksuar e popullatës që ka probleme shëndetësore është e detyruar të shërohet e të tjerë edhe të kenë intervenime kirurgjike. Shoqatat humanitare, por edhe individë nga vendi e sidomos nga diaspora, shpesh janë duargjerë dhe humanitar dhe japin mjete për shërim. Por ka të tjerë të cilët marrin kredite, për të mbijetuar duke u shëruar. Por pas marrjes së kredive për të shpëtuar jetën, me të drejtë parashtrojnë pyetjen se kush do të kthejë këto kredi. Ka familje të cilët me rrogat e ulëta ose me pensionet mbijetojnë shumë rëndë dhe nuk kanë mundësi ti kthejnë kreditë. Problemi në fjalë tani më kthehen në një dukuri të shpeshtë, e cila me të drejtë i shqetëson dibranët. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm