“Kredi konsumatore për kthimin e borxhit”, kështu shpjegon 48-vjeçari Muamet I. nga Shkupi, se përse i është dashur të aplikojë në një bankë për të marrë kredi konsumatore. Ai është një nga mijëra qytetarët që po tenton të mbyllë disa vrima buxhetore përmes një kredie nga bankat, ndërkohë që ngarkohet me kamatë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 dhjetor – Trend në rritje tregon jetesa me borxhe e qytetarëve që sa vjen e më shumë po marrin kredi në banka. Huat po merren për mbijetesë, ndërsa të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se amvisëritë kanë mbi 4 miliardë euro borxh në banka. Sipas qëllimit të kredive të dhëna për personat fizik apo qytetarët, në muajin nëntor por edhe në total, dominojnë kreditë konsumatore dhe ato të banesave. “Kredi konsumatore për kthimin e borxhit”, kështu shpjegon 48-vjeçari Muamet I. nga Shkupi, se përse i është dashur të aplikojë në një bankë për të marrë kredi konsumatore. Ai është një nga mijëra qytetarët që po tenton të mbyllë disa vrima buxhetore përmes një kredie nga bankat, ndërkohë që ngarkohet me kamatë.
Ai mori një kredi sepse po zhvendosej në një apartament të ri dhe iu desh të pajisë atë me mobilje, por edhe për të shlyer borxhin nga kredia e mëparshme. “Paga nuk mjafton për të mbuluar të gjitha detyrimet mujore, e as nuk bëhet fjalë për të kursyer dhe lënë mënjanë paratë”, thekson ai.
Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se në muajin nëntor, kredia për amvisëritë është rritur me 0.7 për qind me bazë mujore. Si rezultat i rritjes pothuajse të barabartë të kredive në valutë dhe në denarë, në nivel vjetor po shënohet një rritje prej 8.2% e cila më së shumti vjen si pasojë e kredive të miratuara në denarë. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se mbi 2 miliardë euro janë për kredi konsumatore, që tregojnë një rritje mujore prej 0.7 për qind dhe vjetore prej 7.3 për qind. Për zgjidhjen e çështjes banesore janë marrë afër 1.5 miliardë euro me një rritje prej 1.2 për qind në muaj dhe 11.6 për qind në vit.
Për rritjen e vazhdueshme të borxheve të qytetarëve ndaj bankave flasin edhe të dhënat se katër vite më parë, apo në nëntor të vitit 2020, borxhet e tyre për kredi konsumatore ishin afër 1.6 miliardë euro, ndërsa ato banesore ishin afër 950 milionë euro. Në katër vitet e kaluara, mbetet i ngjashëm borxhi në llogaritë e qytetarëve apo minusi në llogaritë rrjedhëse, përderisa po ulet borxhi në kartelat kreditore.
Qytetarët në nëntor 2024 kanë 150 milionë euro borxh për kartat e kreditit, ndërsa mbi 100 milionë euro për gjendje negative të llogarisë korente. Katër vite më parë, në të njëjtën periudhë, borxhet në kartela ishin afër 200 milionë euro, ndërsa në llogaritë e qytetarëve ishin afër 100 milionë euro.
Gjithashtu, në nëntor kreditë për vetura kanë arritur në afër 7 milionë euro. Njëherësh borxhet e miratuara në kartat e kreditit, në muajin nëntor, shënuan një rënie mujore dhe vjetore prej 1 dhe 9.2 për qind. Në nëntor, bilancet negative të llogarive rrjedhëse dhe kreditë e miratuara për arsye të tjera shënuan një rënie mujore prej 4.7 për qind dhe vjetore prej 0.3 për qind. Megjithatë, edhe në kushte krize, qytetarët po kursejnë ku depozitat në nivel vjetor janë rritur me 13.3 për qind duke arritur në total më shumë se 6 miliardë euro. (koha.mk)