E martë, 13 Maj, 2025
17.4 C
Skopje

Krerët evropianë në Kiev bëjnë thirrje për armëpushim 30-ditor, Rusia vendos kushte

Kancelari gjerman Fridrih Merc, Presidenti francez Emanuel Makron, Kryeministri britanik Kir Starmer dhe Kryeministri polak Donald Tusk vizituan sot Kievin për të riafirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe për t’u angazhuar për armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, transmeton DPA.

Vizita kishte për qëllim të demonstronte solidaritetin evropian përballë agresionit rrjedhës të Moskës. Kjo ishte vizita e parë e Mercit në Ukrainë që kur paraprakisht u bë kancelar në fillim të kësaj jave.

Në deklaratë të përbashkët para bisedimeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, krerët i bënë thirrje Rusisë të pranojë një “armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për negociata për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, duke përsëritur propozimin e presidentit amerikan Donald Tramp.

Krerët u zotuan se do të vazhdojnë të forcojnë presionin ndaj makinerisë ushtarake ruse derisa Moska të dakordohet për armëpushim të përhershëm. Vizita përkon me përpjekjet e ripërtërira diplomatike nga një grup më i gjerë prej 30 vendesh i kryesuar nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, i njohur si “koalicioni i të gatshëmve”, i cili po takohet për të përgatitur mbështetje për Ukrainën pas një armëpushimi eventual.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kiev, krerët evropianë, së bashku me Zelenskin dhe gruan e tij Olena Zelenska, morën pjesë në një ceremoni përkujtimore për viktimat e luftës. Ata vendosën llampionë dhe mbajtën një minutë heshtje në një faltore të improvizuar në Sheshin Maidan në Kiev. Memoriali, i ngritur nga qytetarët pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, është shndërruar në një vend me dhjetëra mijëra flamuj, fotografi dhe kujtime të tjera.  Të afërmit dhe miqtë e ushtarëve të rënë ukrainas u thirrën të vendosin në barin flamur të vogël për secilën viktimë. Që atëherë, dhjetëra mijëra flamuj, fotografi dhe objekte të tjera janë shfaqur në memorial në kujtim të viktimave të luftës.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 43.000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën në luftime, megjithëse disa vlerësime tregojnë shifra dyfish më të larta. Kombet e Bashkuara lajmëruin për mbi 13.000 viktima civile si rezultat i invazionit”, bën të ditur DPA-ja.

Ukraina pret dërgesa të reja gjermane të armëve 

Ambasadori ukrainas në Gjermani Oleksij Makejev deklaroi se ai pret që Merci gjatë vizitës të angazhohet për dërgesa të reja armësh, megjithëse nuk ka ende paralajmërim zyrtar. Sipas burimeve të qeverisë gjermane, qeveria e re konservatore në Berlin planifikon të mbajë të fshehta detajet e dërgesave të ardhshme të armëve në mënyrë që të mos i japë Rusisë përparësi strategjike. “Qëllimi kryesor është të parandalohen përparësitë ushtarake të agresorit në luftën në Ukrainë,” deklaroi mbrëmë për DPA-në një burim qeveritar.

Makejevi shprehu besimin se marrëdhëniet gjermano-ukrainase po hyjnë në një fazë të re, duke thënë: “Ndjej se partneriteti midis Gjermanisë dhe Ukrainës me qeverinë e re federale do ta çojë atë në një nivel krejt të ri.” Ai përsëriti gatishmërinë e Ukrainës për të hyrë në negociata për armëpushim “nga një pozicion i fortë”, ndryshe nga Rusia, për të cilën ai tha se po i përdorte negociatat si taktikë zvarritëse.

Kremlini bën thirrje për ndërprerjen e ndihmës ushtarake para armëpushimit

Nga ana tjetër, Kremlini e hodhi poshtë propozimin për armëpushim, duke thënë se do të konsideronte një pauzë në luftime vetëm nëse SHBA-ja dhe Evropa ndalojnë furnizimin me armë të Ukrainës. “Në të kundërtën, kjo do të jetë epërsi për Ukrainën,” i tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov televizionit amerikan Ej-Bi-Si, duke pohuar se Kievi do të përdorte armëpushimin për të riorganizuar, trajnuar dhe për të bërë rrotacion të trupave.

Peskovi shtoi se Rusia aktualisht ka një epërsi në fushën e betejës dhe hodhi poshtë pretendimet se Ukraina është e gatshme për negociata reale, duke akuzuar Kievin për shmangi të bisedimeve. “Pse do t ‘i jepnin Ukrainës epërsi të tillë?” pyeti ai. Ai mirëpriti ndikimin e Trampit në proces, duke sugjeruar se kjo mund të ndihmojë në presionin ndaj Ukrainës për të arritur marrëveshje.

Ndonëse Rusia shpalli armëpushime afatshkurtra për festat e paradokohshme, duke përfshirë Pashkët dhe 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të përkohshëm, i cili duhej të skadonte sonte.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm