Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është ende në stacionin policor pasi është ftuar dje në intervistë informative lidhur me zjarrin në lokalin e natës në Koçan, konfirmuan për MIA-në nga MPB-ja.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dje informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Publike deri më tani ka dyshuar për më shumë se 20 persona për këtë ngjarje, prej të cilëve 15 janë në mbajtje policore.
Disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje kriminale kanë vdekur, disa ndodhen në spital.
“Disa nga personat e ndaluar që ndodhen aktualisht në komisariat janë persona që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për këtë ngjarje, sipas provave të grumbulluara deri më tani. Është ndaluar një person, i cili është organizatori i ngjarjes dhe për të cilin dyshojmë se është një nga përgjegjësit direkt. Gjithashtu u arrestuan një ish-sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, një ish-shef sektori në Ministrinë e Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe tre punonjës në këtë drejtori”, tha Toshkovski.
Për rastin deri më tani janë marrë në pyetje mbi 20 persona, ndërsa për 11 Prokuroria ka nisur procedurën hetimore. Për tetë prej tyre tashmë është bërë propozim për ndalim afatshkurtër, ndërsa tre të tjerët janë ende të shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në zjarrin që ka rënë në diskotekën “Pulse” në Koçan, kanë humbur jetën 59 të rinj, ndërsa mbi 140 viktima janë përkujdesur brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme të institucioneve, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe zjarrfikës të mjaftueshëm, materiale piroteknike përdoreshin në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as licencë të ligjshme operimi, si dhe nuk ishte lidhur asnjë marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.