Zgjedhja e kreut të ri të Këshillit Gjyqësor vjen në një moment delikat, ku ky institucion i rëndësishëm është cak i përplasjeve politike. Diskutimet më tepër janë të fokusuara në drejtim të asaj, nëse duhet të shkarkohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor të votuar nga Parlamenti se sa çështja e zgjedhjes së kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor
Ersan PAJAZITI
Shkup, 2 janar – Këshilli Gjyqësor do të zgjedhë kryetarin e ri, pasi ish-presidentja Vesna Dameva para një muaji dha dorëheqje të parevokueshme dhe zgjedhjet u shtynë deri në përfundimin e përbërjes me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj nga radhët e gjyqtarëve. Zgjedhja e kreut të ri të Këshillit Gjyqësor vjen në një moment delikat, ku ky institucion i rëndësishëm është cak i përplasjeve politike. Diskutimet më tepër janë të fokusuara në drejtim të asaj, nëse duhet të shkarkohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor të votuar nga Kuvendi, se sa çështja e zgjedhjes së kryetarit të ri të Këshillit Gjyqësor.
Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski pothuajse për çdo ditë shpreh kritikat e tij në drejtim të Këshillit Gjyqësor, i cili sipas tij, nuk ka dhënë rezultate dhe se duhet të reformohet. Këtë qëndrim Mickoski e ka ripërsëritur në intervistën e Vitit të Ri për MIA, ku kryeministri Hristijan Mickoski thotë se kjo përbërje e Këshillit Gjyqësor mund të ketë legalitet, por nuk ka legjitimitet te qytetarët. Ai thekson se potenciali i personelit që duhet të rifreskojë këtë organ duhet të ketë realisht një synim dhe agjendë imponuese përpara.
“Besimi është në përqindje njëshifrore, besimi është në nivelin më të ulët historik dhe e rëndësishme është që nëse nuk ka ndërgjegjësim mes tyre për t’u larguar, atëherë duhet të bëjmë disa hapa që ata të largohen. Potenciali i personelit që duhet të freskojë këtë organ apo këtë institucion duhet të ketë realisht një synim dhe agjendë imponuese përpara, por edhe një memorie institucionale pas tij, pra kushdo që do të jetë duhet të ketë një biografi, peshë, sepse nëse zëvendësojmë njëri prej tyre me të tjerët, dhe zakonet mbeten të njëjta dhe mënyra e sjelljes, nuk kemi bërë asgjë”, ka theksuar kryeministri Hristijan Mickoski. Për kryeministrin, vettingu në shembullin e Shqipërisë nuk është zgjidhja më e mirë, sepse kemi ligje të shkëlqyera, por ai beson se është e nevojshme që prokuroritë dhe gjykatat të çlirohen nga kufizimet partiake.
“Thjesht duhet të çlirojmë prokurorët dhe gjykatat nga bonot partiake. Jeni ju që thoni se ata nuk duhet të jenë në konvulsion dhe t’u shërbejnë pushtetarëve partiakë apo ndonjë lloji tjetër pushtetarësh. Thjesht duhet t’i lirojmë dhe në këtë mënyrë ata do të fillojnë të sillen ashtu siç duhet, pra të akuzojnë dhe të gjykojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë kryeministri Mickoski.
Përndryshe çështja e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi u hap në muajin paraprak, pasi Kuvendi votoi një raport negativ për punën e Këshillit Gjyqësor. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një brifing me gazetarë për fundvit tha se “nuk përjashtohet mundësia e fillimit të procedurës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur në Kuvend”, por theksoi se për këtë do të konsultohen me Gjykatën Kushtetuese.
“Raporti negativ për punën e Këshillit Gjyqësor do të thotë se Kuvendi në njëfarë mënyre i revokon dhe se mund të fillojë procedura për shkarkimin e tyre dhe emërimin e të rinjve. Procedura është e specifikuar në Rregulloren e Punës. Komisioni për Zgjedhjet dhe Emërimet, ashtu siç i ka caktuar, në të njëjtën mënyrë do të shkarkohen dhe ashtu do të shkojë procedura e emërimit të anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë. Nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime do të varet se kur do të fillojë procedura, do të jetë në rend dite sapo të ketë kushte për atë çështje.”, ka theksuar Gashi.
Parlajmërimet për shkarkimin e mundshëm të anëtarëve të Këshillit Gjyqsor kanë shkaktuar jopajtueshmëri te partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM. Sipas social-demokratëve, Mickoski dëshiron të pushtojë gjyqësorin përmes shpërbërjes antikushtetuese të Këshillit Gjyqësor. “Regjimi padyshim po rikthehet. Deklaratat e Mickoskit se qeveria planifikon të shpërndajë Këshillin Gjyqësor me shkarkimin e 5 anëtarëve është një hap drejt pushtimit të plotë të gjyqësorit nga ana e qeverisë. Mickoski dëshiron ta vendosë gjyqësorin nën kontrollin e tij. Kjo do të thotë shkelje e demokracisë, shkeljе e ndarjes kushtetuese të pushteteve dhe kthimi në epokat e errëta të persekutimit politik përmes gjyqtarëve dhe proceseve gjyqësore të kontrolluarа.”, janë shprehur nga LSDM, duke thënë se në këtë mënyrë Mickoski i hedh në deponi reformat në gjyqësor dhe merr kontrollin të gjyqësorit, duke ndjekur kështu sipas LSDM-së, të njëjtën recetë nga koha e Gruevskit, kur gjyqtarët ishin vegla të regjimit dhe drejtësia ishte e shurdhër ndaj qytetarëve.
Përndryshe, organi i vetëm për përzgjedhjen, vlerësimin dhe kontrollin e punës së gjyqtarëve dhe kujdestarit të besimit të qytetarëve në gjyqësor – Këshilli Gjyqësor, ishte institucioni në të cilin ishin të drejtuara sytë e opinionit. Në dhjetor të vitit të kaluar, Vesna Dameva dorëzoi dorëheqjen e saj të parevokueshme për shkak të asaj që ajo theksoi si “dështimi i autoriteteve ekzekutive dhe legjislative për të siguruar drejtësi të shpejtë dhe efikase, si dhe përpjekjet për të cenuar integritetin e saj nga zyrtarë të lartë të qeverisë. ” Këshilli Gjyqësor më pas mbeti duke funksionuar pa kryetar. Më pas, Prokuroria dhe policia kanë hyrë në Këshill për të kontrolluar një vepër të mundshme penale të kryer me mandatin e Damevës, si dhe në lidhje me procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve që kanë vepruar në rastin “Target-Fortesa”.
Njeriu i parë i Këshillit Gjyqësor dhe zëvendësi i tij zgjidhen nga anëtarët me të drejtë vote, pasi Gjykata Kushtetuese në mars të vitit 2023 hoqi kufizimin që ata të zgjidheshin vetëm nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi. Kryetari i Këshillit zgjidhet me të paktën tetë vota nga anëtarët e Këshillit me të drejtë vote. Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët nga radhët e tyre, pesë zgjidhen nga Kuvendi, dy prej të cilëve zgjidhen nga Presidenti i Shtetit. Anëtarë të Këshillit sipas detyrës zyrtare janë Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ministri i Drejtësisë, të cilët marrin pjesë në punën e Këshillit pa të drejtë vote. (koha.mk)