E diel, 20 Prill, 2025
5.8 C
Skopje

KSHZ nis shqyrtimin e kandidatëve

Shkup, 12 nëntor – Dymbëdhjetë koalicione dhe parti parashtruan lista për kandidatë për deputetë për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare të caktuara më 11 dhjetor. Nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor sot për gazetën KOHA konfirmuan se deri në skadimin e afatit, respektivisht deri mbrëmë në mesnatë  lista për kandidatë  parashtruan koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” të kryesuar nga VMRO-DPMNE, koalicioni opozitar i kryesuar nga LSDM-ja, Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi, Koalicioni VMRO për Maqedoninë dhe Koalicioni “Aleanca e Shqiptarëve” e cila përbëhet nga  Lëvizja për Reforma -PDSH, Uniteti dhe PDK,  si dhe partitë BDI, PDSH,PPD, PL, Majtistja, PSDM dhe Lëvizja Besa dhe LPM. Bartës i listës së BDI-së në Njësinë e parë Zgjedhore është Artan Grubi, në të dytën Ejup Halimi, në të tretën Nafi Durmishi, në të katërtën Artin Spahiu. Në të pestën i pari në listë është Agim Shaqiri, në të gjashtën lideri i partisë Ali Ahmeti, ndërsa në të shtatën Xhevdet Spahiu. Te PDSH-ja i pari në listë në Njësinë zgjedhore është Idriz Orana, në njësinë e dytë zgjedhore Orhan Ibrahimi, ndërsa Sami Rushiti në Njësinë e tretë zgjedhore. Në Njësinë e pestë zgjedhore bartës është Adrian Huseini, ndërsa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi është i pari në listë në njësinë e gjashtë zgjedhore. Bartës në njësinë e parë zgjedhore të koalicionit të VMRO-DPMNE-së është Nikolla Gruevski, në të dytën Nikolla Todorov dhe në të tretën Ilija Dimovski. Listën e koalicionit në njësinë e katërt zgjedhore e kryeson kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, Antonio Milloshovski është i pari në të pestën, Vllatko Gjorçev në njësinë zgjedhore gjashtë, ndërsa në njësinë e shtatë zgjedhore Ramazan Iftarovski. Koalicionin e LSDM-së në njësinë e parë zgjedhore e kryeson Stevo Pendarovski, ndërsa Oliver Spasovski në njësinë e dytë zgjedhore. Në njësinë e tretë zgjedhore bartës është Lupço Nikollovski, në të katërtën kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, në të pestën Radmilla Shekerinska dhe në të gjashtën Petre Shilegov. Lista e Koalicionit për ndryshime dhe drejtësi në Njësinë e parë zgjedhore e kryeson kryetari i LD Pavle Trajanov, ndërsa në të dytën kryetari i FRODEM Jove Kekenovski. Në Njësinë e tretë zgjedhore e para në listë është Vesna Stoimenova nga LD, në të katërtën Sllobodan Bogoevski, në të pestën Aleksandar Dellov nga FRODEM, ndërsa në të gjashtën Branko Majstorovski nga Moro – PR. Bartës i listës së Koalicionit VMRO për Maqedoninë në njësinë e parë zgjedhore është Den Donçev, në të dytën Lupço Ballkovski, ndërsa në njësinë e tretë zgjedhore kryetari i “Dinjitetit” Stojançe Angelov. Listën në Njësinë e katërt zgjedhor e kryeson lideri i VMRO Partisë Popullore Lupço Georgievski, në të pestën kryetari i Të bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkovski, në të gjashtën Zoran Velkovski, ndërsa në të shtatën Stojadin Naumovski. Nga “Majtistja” në njësinë e parë zgjedhore bartës është Dimitar Aspatiev, në të dytën Trajçe Stojanov, ndërsa në të tretën Marija Xhons. Listën e katërt zgjedhore e kryeosn Mitko Nikollov, ndërsa të pestën Zdravko Savevski. Listat e kandidatëve duhet të shqyrtohen dhe konfirmohen nga anëtarët e KSHZ-së në afat prej 48 orëve nga momenti i dorëzimit gjegjësisht deri të dielën në mesnatë. Përderisa konstatohen parregullsi, pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i mënjanojnë në afat prej 48 orëve. Shorti për renditjen e listave duhet të mbahet më 20 nëntor. Mbrëmë në mesnatë skadoi edhe afati për paraqitjen e shtetasve të Republikës së Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit për votim në zgjedhjet, si dhe për personat me regjistrime kontestuese dhe kontrolli në listën zgjedhore.

 

Sipas informacioneve të fundit nga KSHZ-ja, deri më tani kanë arritur 20.293 paraqitje nga shtetas të Republikës së Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit, për votim në zgjedhje, nga të cilët janë pranuar 18.706.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm