E diel, 9 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

KUJDES ME UJIN E PIJSHËM! Autoritetet lokale me apel për kursimin e ujit

Krahas kësaj, problemi me furnizimin me ujin e pijshëm në Tetovë është sfidë edhe për këtë pushtet aktual, sepse shpeshherë uji në burime dëmtohet nga reshjet e shiut dhe shkakton havari në sistem duke ndërprerë furnizimin normal me ujë të pijshëm për mijëra banorë të Tetovës

 

Urim HASIPI

Tetovë, 25 tetor – Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, apelon deri tek qytetarët që të kenë kujdes me ujin e pijshëm për shkak se momentalisht qyteti furnizohet me 290 litra ujë në sekondë. Por, nga komuna e Tetovës thonë se uji që konsumohet nga ana e qytetarëve është i sigurt dhe i pastër. “Ne, komuna e Tetovës së bashku me Ndërmarrjen Publike Komunale Tetova-Tetovë, kemi detyrimin dhe përgjegjësinë për të siguruar furnizimin me ujë të pastër dhe cilësor për qytetin tonë dhe për qytetarët tanë. Momentalisht, disponojmë burime të ujit me një kapacitet prej 290 litra në sekondë, një resurs i çmuar që duhet të ruhet me kujdes. Në bashkëpunim me Institutin Publik Shëndetësor, mund t’ju sigurojmë se uji që merrni në shtëpitë tuaja është i pijshëm, i pastër dhe i vlerësuar për cilësinë e tij në kontinuitet”,  qëndron në një apel të përbashkët të lëshuar nga NPK Tetova-Tetovë dhe Komuna e Tetovës.

Mungesa e reshjeve të shiut sipas autoriteteve të komunës së Tetovës është pasojë e ndryshimeve klimatike. Në apel më tej thuhet se prurjet vjetore të reshurave të shiut janë në rrezik të zvogëlohen, dhe është detyra jonë të bëjmë ndryshime pozitive që në të ardhmen mos ketë mungesë të ujit. “Megjithatë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për sfidat që po përballemi. Këtë vit ndryshimet klimatike kanë rritur presionin mbi burimet tona të ujit. Prurjet vjetore të reshurave të shiut janë në rrezik të zvogëlohen, dhe është detyra jonë të bëjmë ndryshime pozitive. Andaj, ne kërkojmë nga ju, qytetarë të nderuar, që të senzibilizoheni me ne dhe të jepni kuntributin tuaj për të ngritur vetëdijen dhe angazhimin e përbashkët për të bërë më shumë. Kështu që, sot ne ju apelojmë, kurseni ujin, mos e përdorni ujin më shumë sesa është e nevojshme. Nuk përfitojmë asgjë nëse abuzojmë me ujin për pije, përkundrazi u pengojmë të tjerëve dhe vetes në një periudhë tjetër”, qëndron në apelin lëshuar nga NPK-ja dhe komuna e Tetovës.

Krahas kësaj, problemi me furnizimin me ujin e pijshëm në Tetovë është sfidë edhe për këtë pushtet aktual, sepse shpesh herë uji në burime dëmtohet nga reshjet e shiut dhe shkakton havari në sistem duke ndërprerë furnizimin normal me uj të pijshëm për mijëra banorë të Tetovës.

Ndërkohë, sistemi i shpërndarjes së ujit brenda në qytet është tepër i vjetruar dhe kjo ka bërë që shumë ujë të humbet dhe mos të shfrytëzohet. Për një sistem të mirëfilltë të shpërndarjes nevojiten shumë mjete, të cilët komuna e Tetovës nuk mund t`i sigurojë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm