Shkup, 23 tetor – Sot luhen ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Takimi i cili pritet të sjellë emocionë në fushë pritet të luhet në Tetovë ndërmjet dy Shkëndijave.
Mesfushori defanziv i Shkëndijës së Tetovës Amir Nuhija flet me respekt për Shkëndijën tjetër, derisa duelin e pret me shumë kënaqësi dhe besim se gara sportive në fushë do të shoqërohet nga atmosfera festive nga dy tifozeritë në tribuna.
“Realisht nuk e kisha menduar asnjëherë se do të luaj ndaj klubit nga fshati im, por ja befasisht ndodhi në short. Është mundësi e mirë, ndjenjë e bukur të ndeshem me klubin e fshatit tim, Shkëndijën e Haraçinës, kemi miqësi e njohje por kur të nis loja normal secili mendon për llogaritë e veta dhe për fitore. Nuk ka vend për emocione në fushë, dalim për të bërë punën tonë dhe për të fituar.
Pres numër të madh të publikut, tifozët tanë dhe sigurisht edhe mysafirë. Të jetë atmosferë festive ndërmjet dy klubeve vëllezërore. Ne do ta japim maksimumin dhe uroj të kënaqim spektatorët. Normal, ne synojmë fitore”,u shpreh Nuhija.
Në takimet tjera që do të luhen sot do të takohen: Struga Trim Lum – Makedonija Gj.P, Arsimi – Voska Sport, Gostivari – Bregallnica, Brera – Besa, Pelister – Detonit Plaçkovica, Sileksi – Shkupi, dhe Vardari – Tikveshi. Të gjitha përballjet do të nisin në ora 14:00.