Të thuhet se në Alternativë nuk ka pasë kuadro nga radhët e grave, e të flitet për njëfarë potenciali, është turp i pafalshëm. Pa dashur të bëj krahasime mes burrave dhe grave në atë parti, po them vetëm se mjafton të shikohet lista e të sapo zgjedhurve dhe të bindemi se nuk është aspak e vërtetë se kjo parti nuk ka gra të cilat njësoj, bile shumë më mirë se burrat e zgjedhur tashmë, do i kryenin detyrat e përgjegjësitë në ato funksione. Kështu në fund të viti 2021 kishte shkruar anëtarja e Alternativës, Nafije Selmani, duke informuar se dorëhiqet nga detyra anëtare e Kryesisë Qendrore, pasi partia nuk kishte gjetur vend në pozita shtetërore për gratë – anëtare në parti.

“Miqtë e mi, e para së gjithash mbështetësit e mi, i informoj se që në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore kam dhënë dorëheqje nga çdo rol dhe angazhim në partinë Alternativa! Dhe, një nga arsyet kryesore për dhënien e dorëheqjes time është pikërisht mospërfaqësimi i grave në ekzekutiv!”, pati shkruar Selmani, ndërkohë që dorëheqja e saj u publikua atëkohë pothuajse nga të gjitha mediat në vend.
Por çfarë ndodhi dje? Selmani, pas debatit publik në Komisionin parlamentar për emërime, ku u prezantuan kandidatët për anëtarë në Këshillin e Mediave, tha se “nuk është e vërtetë që ka qenë anëtare në ndonjë parti, por se në Alternativë ka qenë konsulente, këshilltare për media”.

Megjithatë, vetëm në maj të këtij viti, vet Nafija e konfirmon se ka qenë anëtare në parti politike. Statusi i saj u publikua më 29 maj, kur përfliteshin emrat e ministrave dhe zëvendësve në koalicionin VLEN, e ku sërish mungonin gratë në detyra të larta shtetërore.
“Ndryshim apo zëvendësim?! Sipas informatave jozyrtare, por që vijnë nga burime mirë të informuara, si dhe mediat, ministrat e mundshëm të koalicionit VLEN, të gjithë janë burra, dhe nga dje po përfolet vetëm një grua, por e cila përsëri është në garë me një burrë. Është ky koalicioni të cilin që në fillim, nga të parat e kam përkrah publikisht e privatisht, dhe pastaj edhe jam bërë pjesë e listës zgjedhore të tij. Të gjithë burra! Keq! Ndryshim apo Vazhdim? Kështu ishte edhe me BDI-në! Personalisht, duke mos qenë pjesë e strukturave partiake, nuk kam pasë shumë në dorë. Atëherë kur kam pasë, në një parti, e kam zhvilluar këtë betejë me dinjitet dhe e udhëhequr nga parimi i drejtësisë. Të paktën jam përpjekur, kur janë mbyllur të gjitha mundësitë e rrugët, jam larguar….”, shkruan më 29 maj Selmani.
Megjithatë dje, tha se ka sjell një dokument të Regjistrit Qendror që, sipas saj, konfirmohet se nuk ka qenë “asnjëherë anëtare në parti politike”. Se ka qenë pjesë e ngushtë e politikës, dëshmon edhe kandidatura e Selmanit për kryetare e Qytetit të Shkupit, pastaj zgjedhja si këshilltare në Komunën e Çairit dhe së fundmi, kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare, e gjashta në Njësinë e parë zgjedhore.

Veç kësaj, në disa raste, është kryeparlamentari Afrim Gashi, më herët kryetar i Alternativës ai që e ka prezantuar Selmanin si anëtare e Kryesisë Qendrore në parti.
“Sot, së bashku me anëtaren e Kryesisë Qendrore, Nafije Selmani, u takuam me ambasadorin francez në vend, z. Kristian Timonie”, shkruan Afrim Gashi më 4 mars 2020, ndërsa takimin e ka ilustruar me fotografi në të cilën gjendet në krah të tij e ulur edhe Nafije Gashi.
Në një takim tjetër, më 6 nëntor, Selmani si anëtare e Kryesisë Qendrore e kishte shoqëruar kryetarin e atëhershëm të Alternativës, Afrim Gashi edhe në takimin e organizuar nga Instituti ‘Konrad Adenauer Stiftung’ në hotel Hilton.

“Sot, në ambientet e hotel Hilton, së bashku me nënkryetarin e partisë, Admirim Haliti, deputeten Safije Sadiki-Shaini dhe anëtaren e Kryesisë Qendrore, Nafije Selmani, ishim pjesë e panelit të organizuar nga Instituti ‘Konrad Adenauer Stiftung’ me temë: ‘Partitë konservatore popullore – ndërtimi i urave drejt ardhmërisë së përbashkët në BE’”.
Ndryshe, i gjithë debati për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Këshillin e mediave u zhvillua nëse kandidatura e Selmanit bie ndesh me me nenin 5, alineja 3, që thekson se “anëtarë nuk mund të jetë person që, në 10 vitet e kaluara deri ditën kur është shpallur konkursi, kanë qenë ose janë pjesë e organeve partiake”. E këtu qartë se Selmani nuk mund të kalojë në një shtet ligjor. Madje në këtë drejtim ishin deklaratat e deputetes nga opozita shqiptare, Ilir Dauti, e cila në shenjë proteste, e lëshoi mbledhjen e parë të Komisionit parlamentar pasi Selmani e kishte kaluar filtrin e parë. Po dje, deputetja Ilire Dauti i përsëriti deklaratat se bëhet fjalë për person politik që bie ndesh me Ligjin e Agjencisë së mediave.
“Nuk kam asgjë personale me zonjën Nafije Selmani, meriton mbështetje, meriton respekt. Megjithatë, për temën për të cilën flasim ne, kolegë, unë dhe zonja Nafije së bashku kemi qenë në aktivitete politike, jo shumë larg, në vitin 2021, jemi takuar unë si përfaqësuese e Aleancës për Shqiptarët, ajo si përfaqësuese e partisë Alternativa”, tha dje deputetja Ilire Dauti, duke shtuar se pavarësisht respektit që kemi për njëri-tjetrin, duhet ti shërbejmë lirisë së mediave dhe fjalës së lirë. (koha.mk)