E enjte, 6 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

KUR SERBËT PRIVILEGJOHEN MË SHUMË SE SHQIPTARËT! Përfaqësim i ngecur tek Statistikat

Numri i punonjësve shqiptarë mbetet rreth 20 përqindëshit, ndërsa në pozicione drejtuese figuron vetëm një i tillë. Me përjashtim të disa këshilltarëve, pjesa dominuese janë bashkëpunëtorë të rinj, apo referentë. Nga 31 vende udhëheqëse, vetëm 1 është shqiptar, 27 maqedonas dhe 2 serbë

Evis HALILI

Shkup, 23 janar – Me konkursin e fundit – 23 punonjës të Entit Shtetëror të Statistikave do të avancohen, si këshilltarë, bashkëpunëtorë të lartë…, por pa e ndryshuar aspak pasqyrën e përfaqësimit të drejtë etnik. Numri i punonjësve shqiptarë mbetet rreth 20 përqindëshit, ndërsa në pozicione drejtuese figuron vetëm një i tillë. Me përjashtim të disa këshilltarëve, pjesa dominuese janë bashkëpunëtorë të rinj, apo referentë. Kjo situatë mbetet thuajse e njëjtë për vite me radhë, pavarësisht emërimeve të zëvendësdrejtorëve shqiptarë, ndërrimi i të cilëve nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në përfaqësimin vertikal, por edhe të numrit të tyre të përgjithshëm. Për momentin, në Entin Shtetëror të Statistikave vendi i zëvendësdrejtorit është vakant, për shkak se ende nuk është përzgjedhur nga koalicioni VLEN një kandidaturë për këtë post. Ish zëvendësdrejtori i fundit, Ilmi Selmani, nuk arriti të ndryshonte përfaqësimin e drejtë vertikal, shkruan gazeta KOHA.

“Avancimet në detyrë nënkuptojnë që nga nëntë drejtues sektorësh të paktën dy do të jenë shqiptarë, tre ndihmës udhëheqës, ndërsa në 40 njësitë po ashtu do të vendosen të paktën nëntë drejtues shqiptarë”, deklaronte Selmani kur mori këtë detyrë. Nëse i referoheshin statistikave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të institucionit numri i të punësuarve është gjithsej 231 persona, ndërsa nga tetë departamentet rajonale vetëm një (ai në Shkup) drejtohet nga një shqiptar. Me konkursin e fundit dy punonjës shqiptarë avancohen në detyrë, ndërsa pjesa tjetër në pjesën më të madhe figurojnë si bashkëpunëtorë të rinj.

“Nëse situata për pjesën shqiptare asnjëherë nuk ka qenë e mirë, ajo sa vjen e keqësohet. Dy punonjës janë larguar kohët e fundit, ndërsa dy të tjerë këto muaj”, thotë një i punësuar në ESHS.

Raporti i fundit i Avokatit të Popullit (i publikuar në fund të muajit nëntor) vëren se në vendet udhëheqëse të punës – gjithsej 31 , vetëm 1 është shqiptar, 27 maqedonas, 2 serbë dhe një shqiptar.

“Duke krahasuar të dhënat e vitit të kaluar dhe të dhënat nga viti raportues nga organet e pavarura shtetërore dhe institucionet e posaçme publike dhe subjektet e tjera juridike, mund të konstatojmë se në këto institucione numri i të punësuarve është rritur për 1657 persona në krahasim me vitin e kaluar, por vetëm në një pjesë të vogël të institucioneve ka pasur progres sa i përket zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, thuhet në zërin ku përfshihet Enti Shtetëror i Statistikave.

“Mund të punësohen, apo të avancohen punonjësit shqiptarë, por si? Pasi rrinë shumë vite si bashkëpunëtorë të rinj disa prej tyre ngjiten më lart, por asgjë më shumë. Kam vite që punoj këtu dhe kam parë se avancimet, sidomos ato në poste drejtuese janë të rezervuar për të tjerë, jo sipas kontributit. Ky është shkaku i atyre që po ikin nuk shohin më arsye për të vazhduar”, thotë një tjetër punonjës.

Ndërsa në një raport të vetë Entit për të punësuarit e saj, për periudhën deri në fund të vitit 2023 ndër të tjera thuhet se “të dhënat tregojnë se përfaqësimi i shqiptarëve është rritur – prej 10.5 për qind që ishte në vitin 2010 deri në 21.2 për qind në vitin 2023”.

“Dhe në këtë raport theksojmë sërish se gjendja e burimeve njerëzore paraqet një problem madhor dhe serioz. Numri i të punësuarve po zvogëlohet vazhdimisht, gjysma e vendeve të punës (përfshirë pozicionet drejtuese) nuk plotësohen, planet vjetore të punësimit nuk miratohen në kohë ose kërkohet reduktim i punësimit të planifikuar dhe e gjithë kjo mund të çojë në pamundësi për të kryer aktivitetin kryesor të Entit dhe të produktit statistikor për tregues të rëndësishëm statistikorë (PBB, punonjës, paga, prodhimi industrial, tregtia e jashtme)”, thuhet në raportin vjetor të ESHS në zërin për burimet e veta njerëzore. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm