Mizorive dhe barbarizmave serbe dhe atyre bullgare nuk i shpëtoi as popullsia shqiptare e Kërçovës. Në pranverën e vitit 1913 disa grupe komitësh dhe çetnikësh serbë e bullgarë të udhëhequr nga Mihalj Brodi dhe Stanku Dimitru, pasi e rrethuan qytetin – morën të gjithë burrat shqiptarë dhe i dërguan në tre vende të caktuara si thertore (dajakhane)
Nga Qerim LITA
Me përfundimin e Luftës së Parë Ballkanike dhe pushtimin e mase 2/3 të tokave shqiptare ng ushtritë e aleancës sllavo-ortodokse, përkatësisht asaj serbo-malaziase-bullgare-greke, në Kosovë dhe në trevat Lindore filloi një fushatë e egër dhe e dhunshme ndaj popullsisë së pabrojtur shqiptare. Gazeta “Perlindja e Shqipënies”, në një numër të saj shkruante se burgjet e Kosovës ishin mbushur me shqiptarë, të cilët torturoheshin më keq se në kohën e inkuzicionit. “Qeveritari i Shkupit, shkruante gazeta, Ceroniçi, një barbar i egër, ka shtënë tmerrë në Shqiptarët dhe Bullgarët. I thëret në Qeveri e u thotë që do t’u shkurtonjë këmbët e kryet po të mos bëhen Sërbë. Gjithë këto veprohen e nga Malazestë…”. Korrespodenti i luftës i një gazete daneze, nga Shkupi, persekutimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në krahinat e Shkupit, Kumanovës e të Prishtinës i përshkruante si më poshtë: “Taktika luftarake e Serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakrimi të përgjithshëm shum të tmerrshëm. Ushtrija po plotëson nji luftë shkatrimtare shum barbare. Simbas kallzimevet të ushtarëve e të oficerëve ndërmjet Kumanovës e Shkupit kanë vra 3.000 shqiptarë e në rrethet e Prishtinës 5.000 shqiptarë. Katundet shqiptare aneve e rrethit janë djegë krejt. Populli po gjurmohet ndër shtëpit e veta edhe po i vrasin si mijt. Militaristët serb këtë gjueti njerëzish e kallzojnë me nji shkëlqim të jashtëzakonshëm. Konditat e jetës në Shkup janë të tmerrshme…”.
Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se në ballë të asaj fushate krahas ushtrive pushtuese, qëndronin edhe Kisha Ortodokse dhe organizatat e shumta terroriste serbe dhe malazeze. Komuna e Deçanit, më 5 shkurt 1944, në mënyrë të hollosishme i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, për mizoritë dhe barbarizmat serbe e malazeze në vendbanimet e asaj komune që nga viti 1912 e këndej. “Barbarizmat që elementi Sllav, thuhej në raport, ka ba në rrajonin e kësaj Komune gjatë kohës që mizorija ka sundue këtë vend janë të panjohuna e aq të pa-shembullta sa që nuk ka mundësi të përshkruhen. Grabitjet, vrasjet nga përbinshat sllav ka kenë gjana të zakonshme. Ndër grabitjet në vendin e parë e xen Kisha e Deçanit e cilla ku ka vue synin e pasunisë shqiptarve ka vue edhe dorë në te, kështu që veprimi i sajë ka kenë gjithmonë në dam të Shqiptarëve…”. Përveçse për Kishën e Deçanit, raporti bënë fjalë edhe për vrasjet dhe mizoritë e shumta të kryera nga ana e komitëve dhe vojvodëve në krye me kapitenin malazezë, i cili për shkak krimeve dhe mizorive të kryera ndaj popullsisë shqiptare kishte marrë emrin “Savo Batarja”. Krimet, masakrat dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze, asaj kohe u shtrinë edhe në viset tjera të pushtuara shqiptare, si në Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Sanxhak etj. Sekretari politik i Prefekturës së Prishtinës, Mahmut Çela, me 5 janar të vitit 1943, i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi masakrat që ushtria serbe i kishte kryer gjatë viteve 1912-1913 në fshatrat të rretheve të Kumanovës, Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Ferizajt, përkatësisht në: Kabash, Komogllavë, Smirë, Gjylekar, Germovë, Drobesh, Beguncë, Vërban, Kërbliç, Dobërçan, Tërnoc, Gushicë, Gumnishtë, Gadish, Maroc, Dragofcë, Berivojcë, Koretin, Mekresh, Kostadicë, Mogillë, Tërstenë e shumë fshatra tjerë, ku siç bëhet e ditur ishin vra me pushkë apo therrur me thikë, disa qindra civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë.
Po kështu u veprua edhe në vendbanimet e Suharekës, Prizrenit, Gjakovës etj. Në katundin Babaj Bokës të Gjakovës, ushtria serbe gjatë vitit 1912 dogji 64 shtëpi dhe fshatarëve ua konfiskoi tërë pasurinë përfshi edhe bagëtinë dhe vrau 9 burra, 2 gra, ndërsa 10 fëmijë i dogji në zjarr për së gjalli. Ky krim i shëmtuar erdhi pasi paraprakisht disa banorë të këtij fshati në krye me Jan Salihun, kishin vra 5-6 ushtarë të një patrulle të ushtrisë serbe, e cila kishte tentuar të futej në fshat me qëllim të plaçkitjes të pasurisë së tyre.
Mizorive dhe barbarizmave serbe dhe atyre bullgare nuk i shpëtoi as popullsia shqiptare e Kërçovës. Në pranverën e vitit 1913 disa grupe komitësh dhe çetnikësh serbë e bullgarë të udhëhequr nga Mihalj Brodi dhe Stanku Dimitru, pasi e rrethuan qytetin – morën të gjithë burrat shqiptarë dhe i dërguan në tre vende të caktuara si thertore (dajakhane): “Çiflik” që gjendej në afërsi të shkollës bullgare “Biçincë- Jurije”, si dhe në shkollën fillore në qendër të qytetit. Shumë nga ata janë vrarë me pushkë, një pjesë tjetër janë therur me thikë ndërsa ka edhe nga ata që kanë vdekur nga të rrahurit me dru. Kryetari i Bashkisë së Kërçovës, në raportin e datës 20 korrik 1942 dërguar Nënprefekturës së Kërçovës, veç tjerash shkruante se, tërë kjo situatë kishte zgjatur rreth dy muaj, gjatë së cilës: “…Shqiptarët ma të mirë janë therun, disa me pushkë janë vramun e ma shumë me dru janë rahun prej të cillavet shumica mbas disa kohrash kanë vdekur….,çetnikët-komitët i ngarkojshin me araba dhe i gropojshin rreth qytetit me disa gropa qi ishin pregatitun apostafat për këtë qëllim dhe këta gropa ende sot janë ku pushojnë kockat e këtyre Shqiptarve…Kjo ka qenë nji jav e zez për të mjerët Shqiptarë sepse thereshin si kundra kasapët kur therin qingjet në thertore”.
Masakra të tilla e të ngjashme, gjatë viteve 1912-1913 u kryen thuajse në tërë hapësirën e pushtuar shqiptare dhe për pasoj mbi 150.000 shqiptarë u detyruan t’i lëshonin vatrat e tyre për t’u vendosur kryesisht në Turqi, pjesa më e madhe e të cilëve jetonin në kushte të mjerueshme, të ç’veshur e të zbathur dhe pa kulm mbi kokë. Gazeta “Perlindja e Shqipëniës” shkruante se gjendja e shqiptarëve që ishin vendosur në Stamboll ishte “si ska ma keq! Robat copë copë; të pangrënë…, shumë nga ata i kanë mbyllur në xhamijën që quhet e Sirqexhis. Gjindarët dhe policët u-rinë reth e përqark me sfyngji në pushkë, se mos ikin”.
Ndërkohë, pas ultimatumit të marrë nga Fuqitë e Mëdha (gusht 1913), që trupat serbe të tërhiqeshin brenda kufijve të përcaktuar në Konferencën e Londrës, Qeveria serbe, si kundërpërgjigje, shtetasve shqiptarë ua ndaloi shfrytëzimin e tregjeve në Dibër, Prizren dhe Gjakovë. Një vendim i tillë e revoltoi tej mase popullsinë lokale, e cila revoltë së shpejti kaloi në një kryengritje të përgjithshme. Zyrtarët politikë e ushtarakë serbë nga: Shkupi, Manastiri, Ohri, Prizreni, raportonin për një lëvizje të madhe që dukej në horizont. Shtytje të madhe lëvizjes i jepnin shqiptarët në krye me: Elez Isufin, Bajram Currin ,Isa Boletinin, etj.. Ky i fundit, në një deklaratë dhënë korrespodentit të “Albanesische Korrespodenz”, ua bëri me dije Fuqive të Mëdha, se shqiptarët nuk marrin asnjë barrë përsipër, për “luftat” që mund të shpërthejnë së shpejti. “Neve, shprehet Boletini, ju tham qeverritarvët të Romës, të Vjenës, të Parizit dhe të Londrës që populli ynë kurrë nuk mund të duronjë të copëtohet. Pas trembëdhjetë kryengritjeve të përgjithshme, në të cilat derdhëm kaq gjak për liriën t’onë, na dha më në funt Evropa ç’varjen t’onë (pavarësinë tonë – Q.L.). Por gjysëm mëtë madhe të kombit, duanë t’i a bëjnë theror armiqvet. Kosova, zëmra e Shqipërisë, po na humbet. Fiset e Hotit e të Grudës, të cilat luftuanë kaq trimërisht për çështjen shqiptare, po i japin Malit t’ Zi. 34 qytete shqipëtare u dhanë në duartë e anmiqve tanë. Me gjith këtë, Sërbët po i vdesin unit Malësorët. Ju mbajtën udhët për në Gjakovë, Prizren dhe në të gjitha pazaret e tjera, me të cilat rnojnë, dhe në qoftë se ndonjë merr rugën për në qytet, menjëherë vriten. Na Shqiptarët duamë paqe; po duhet të mprojmë vehten në qoftë se popullin t’onë e coptojnë, e vdesin unit dhe e vrasin”.
Kryengritja filloi natën e 18/19 shtatorit 1913 në rrethin e Peshkopisë. Kryeshefi i qarkut të Dibrës, përmes telegrameve të 7 (20) dhe 8 (21) shtatorit, njoftonte se “rreth Peshkopisë po zhvillohen luftime me shqiptarët”. Më 9 (22) shtator, Ministria e Punëve të Brendshme të Mbretërisë Serbe, njoftonte se “shqiptarët janë 10 kilometra në afërsi të Dibrës” ndërsa “Peshkopia dhe Zhirovnica janë marrë”.
Konti Berchtold, më 24 shtator 1913, përmes një qarkoreje i njoftonte përfaqësitë diplomatike austro-hungareze, se kryengritja shqiptare ishte provokuar nga “brutaliteti serb”, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve ishte vetëm në zonat e pushtuara nga ana e serbëve që ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës, ose nga popullsia e zonave që “u është ndërprerë furnizimi me ushqime për shkak të pengesave për të shkuar në tregun e Dibrës e të Gjakovës”. Një qëndrim të tillë pati edhe Komisioni hetimor i Fondacionit Carnegi, i cili në raportin kushtuar kësaj ngjarjeje shkruante, se më 20 shtator 1913, ushtria serbe, duke u tërhequr përmes kufirit në afërsi të Dibrës, mori të gjithë bagëtinë nga malësia e Dibrës, për çka “barinjtë u shtrënguan të mbroheshin”. Më tej në raport theksohej se, ushtria serbe pasi i vrau të gjithë barinjtë, filloi të grabiste dhe digjte “të gjithë fshatrat në rrugën e tyre: Peshkopinë, Pletzën dhe Dohoshishtin në Dibrën e Poshtme dhe Allajbegun, Maçin, Parën, Obokun, Klloboçishtin dhe Sollokiçin, në Dibrën e Sipërme”, dhe se në të gjitha këto fshatra, serbët “kryenin veprime të tmerrshme masakrimi dhe dhune mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë…etj.”.
Më 20/21 shtator, rreth 6.000 kryengritës e kapërcyen Drinin e Zi dhe u futën në qarkun e Dibrës. Kryengritësit fillimisht çliruan Peshkopinë dhe më pas edhe Dibrën dhe Zhirovnicën. Më 26 shtator 1913, Aqif Pashë Elbasani i telegrafonte Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, se forcat shqiptare ishin ndarë në tre krahë: krahu kah Gostivari kishte çliruar Mavrovën dhe shpresohej se deri në mbrëmje ta çlironte edhe Gostivarin; krahu që marshonte për Kërçovë kishte kaluar Loposhin, dhe krahu i tretë, i ishte afruar Strugës.
“…Me ndihmën e Perëndisë, shkruante Aqif Pasha, sukseset po vazhdojnë. Të tre krahët e përmendur, lajmërohemi se përbëhen prej 12.000 vetash, dhe po luten e thërrasin çdo minutë për armë dhe municion…”. “Perlindja e Shqipëniës”, më 21 shtator (4 tetor) 1913, përcillte njoftimin e korrespodentit të “Algemeine Zeitung” nga Shkodra, ku thuhej se çetat shqiptare të udhëhequr nga Isa Boletini dhe Bajram Curri e mposhtën ushtrinë serbe në Dibër dhe në afërsi të Prizrenit, dhe se në Beograd ishte përhapur lajmi se “Shqiptarët hynë në Tuz duke dëbuar ushtarët malazes që gjendeshin atje”. Më 24 shtator inspektori i policisë serbe nga Shkupi, njoftonte se shqiptarët ishin nisur në dy drejtime: një kolonë nga Elbasani për në Ohër, ndërsa e dyta nga Dibra për në Strugë, dhe se shqiptarët e kishin marrë Mavrovën. Ndërsa, më 26 shtator, autoritetet policore serbe nga Ohri njoftonin se shqiptarët nga Qafë Thana ishin nisur për në Strugë dhe Ohër ndërsa grupi i dytë nga Elbasani për në Pogradec”. Edhe kryeshefi i qarkut të Prizrenit bënte me dije se shqiptarët nga Shqipëria kishin filluar të kalojnë nga ana e majtë e Drinit të Zi në krahinën e Lumës dhe të grumbullohen në masa më të mëdha te fshati Ratkajë. Plani i tyre ishte të koncentrohen për ta sulmuar Prizrenin”.
Menjëherë pas sulmit të befasishëm në Dibër dhe më pas edhe në: Strugë, Ohër, Prizren, Gjakovë dhe në qendra vende të tjera, Qeveria serbe vendosi të mobilizojë Divizionin e Moravës, përkatësisht, njësitet e saj I, II, III dhe XIV të këmbësorisë. Më 29-30 shtator 1913, filloi kundërofensiva e ushtrisë dhe e çetave çetnike serbe. Në luftimet disaditore, ushtria serbe e pajisur me armatim bashkëkohor të kohës, arriti t’i thyejë forcat kryengritëse fillimisht në frontin e: Strugës, Ohrit e Dibrës e më pas edhe të Prizrenit e Gjakovës. Forcat ushtarake serbe pasi ripushtuan tokat shqiptare, kryen gjenocid të paparë ndonjëherë mbi popullsinë civile shqiptare. Radniçke novine, më 22 tetor 1913, botoi letrën e një ushtari serb, në të cilën veç tjerash thuhej:
“Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por mund t’ju them që këtu po ndodhin gjëra ngjethëse. Unë jam i tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten time se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë, sa të kryejnë mizori të tilla. Është e tmerrshme, unë nuk guxoj t’ju them më shumë, por mund t’ju them se Luma nuk ekziston më. Ka fshatra me njëqind, njëqind e pesëdhjetë, dyqind shtëpi ku nuk ka ma asnjë burrë, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës asnjë. Ne i grumbulluam ata në grupe nga dyzet deri në pesëdhjetë veta dhe pastaj i shpuam me bajoneta tona…”. Lidhur me krimet dhe masakrat që ushtria serbe i kreu në Lumë, Dimitrije Tucoviq, shkruante se një fshat i kësaj krahine brenda dy orësh “është zhdukur” tërësisht me skena “që është vështirë të përshkruhen. Të shtënat, vazhdon Tucoviq, i rrëzonin gratë që mbanin foshnjën në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat; trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra…”.
Vrasje masive të popullsisë civile, djegie të vendbanimeve të tëra ishin të shumta. Sali Hoxhë Vuçitërna, i shkruante Luigj Gurakuqit, për përfundimin e luftës së përgjithshme, se Hysni Curri është kthyer, dhe se “…Krasniqja, Gashi, Hasi, Bytyçi janë djegë fare. Robni e madhe ash tuj ardhë këtu.”. Për të shpëtuar nga këto mizori dhe barbarizma serbe, numri i madh i popullsisë shqiptare të: Dibrës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe Ohrit, i braktisën vatrat e tyre për t’u vendosur brenda kufirit shqiptar, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan. Shkrimtari dhe kulturologu shqiptar nga Dibra, Haki Stërmilli, në veprën e tij “Dibra në prag të historisë” shkruan se përderisa “burrat e Dibrës po luftojshin egërsishëm mbi majat e Kërçishtit, të Korrabit dhe të Jabllanicës, familjet e Dibranëve – të qytetit e të katundeve, – ishin vu n’ikje drejt Tiranës e Elbasanit…”. Sipas tij, numri i të shpërngulurve nga mbarë qarku i Dibrës dhe i viseve të tjera shqiptare shkonte mbi “100.000 frymë, gra, burra e çiliminj” të cilët ishin nisur drejt “Perëndimit për mos me ranë në durë t’anmikut”. Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, më 15 tetor 1913, botoi Thirrjen e parisë së Dibrës, drejtuar Fuqive të Mëdha, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“Na Dibranët, të vënë nën zgjedhën e Sërbëve që për dhjetë muaj, duruam me bindësi ç’do mënyrë shtypje, por ndjekjat e fundit na forcuan në kaq dëshpërim sa ta pëlqejmë vdekjen nga robëria. Mijëra të pafajshim të ikur nër male dhe shkëmbinj, janë në rezik vdekje prej të ftohti dhe urie. Gjendja e jonë e tanishme âsht e padurume dhe e paskëtajmëja jonë e errët dhe e panjohur. Vetëm drejtësia e Fuqive të mëdha dhe mëshira e popujve të qytetëruëm mundin të n’a shpëtojnë. Të sigurt që lutjat t’ona do dëgjohen për së shpejti, kërkojmë drejtësijën e kabineteve të Fuqive të mëdha dhe ndërgjegjen e popullit t’Evropës, i cili âsht i vetëm që mund të n’a apë të drejtën të rnojmë të lirë n’atdhen t’onë të njëshëm”.
Dokumentet e kohës që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, hedhin dritë mbi mizoritë, barbarizmat dhe masakrat e kryera nga ana e ushtrisë pushtuese serbe ndaj popullsisë civile shqiptare të fshatrave të: Prizrenit, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës, Gjilanit, Pejës, Deçanit, Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës etj. Kryetari i komunës së Lubizhdës, më 10 janar 1944, i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme, për një masakër që ushtria serbe e kishte kryer në vitin 1913 në fshatin Kabash, ku ishin masakruar 72 burra të këtij fshati. Të gjithë ata, janë marrë nga ushtria serbe dhe janë pre me sëpatë te kisha e fshatit. Po atë ditë, komandanti i vullnetarëve serb, Spiro Delloci nga fshati Delloc i komunës së Mushtishtit, dogji për së gjalli bashkëshorten e Ali Hajdarit si dhe Haken e Muharrem Rexhepit, që të dyja nga fshati Kabash. Në të njëjtën kohë, krimineli Spiro Delloci, masakroi 8 shqiptarë nga fshati Korishë, ndërsa nga ana e ushtrisë serbe, u morën Pren dhe Zef Çeta dhe u masakruan, i pari te kisha e Kabashit, ndërsa i dyti në afërsi të Prizrenit.
(vijon nesër)