Sipas të dhënave zyrtare, nga korriku i vitit të kaluar deri në fund të vitit TVSH-ja e papaguar ndaj kompanive ka qenë gati 60 milionë euro, ndërsa këtë vit nuk janë kthyer plus 8 milionë euro. Tatimorët pretendojnë se rimbursimet e TVSH-së paguhen rregullisht, përveç në rastet kur kërkohen verifikime shtesë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 mars – Bizneset ankohen se në periudhën e qeverisjes së re, borxhi i tatimorëve ndaj kompanive për rimbursim të TVSH-së është rritur në mbi 60 milionë euro. Inspektimi u krye pasi kompanitë u ankuan se këto fonde, të nevojshme për likuiditetin e tyre apo disponimin me para të gatshme, nuk janë paguar qw nga viti i kaluar. Shumat variojnë nga disa qindra mijë deri në disa milionë euro dhe vonesa është 4-6 apo edhe 8 muaj, e në disa raste edhe vite. Këtë e kanë konfirmuar për TV21 nga Lidhja e Odave të Tregtisë.
“Informacionet që marrim nga anëtarët tanë tregojnë se rimbursimet e TVSH-së vonohen me 3 deri në 4 muaj. Kompanitë e eksportit janë veçanërisht të prekura nga rimbursimi i vonuar i TVSH-së, sepse ato janë vazhdimisht në një pozicion ku duhet të rimbursojnë TVSH-në. Ata mund të çohen në falimentim sepse ajo që fitojnë është më pak se TVSH-ja prej 18 për qind që zakonisht paguhet për atë që ata ngarkojnë. Dhe është shumë e rëndësishme që afarizmi i tyre të vazhdojë, që TVSH-ja të kthehet në kohën e duhur”, thotë Orce Simov, nënkryetar i Odës së Tregtisë dhe Industrisë. Sipas të dhënave të marra, nga korriku i vitit të kaluar deri në fund të vitit TVSH-ja e papaguar ndaj kompanive ka qenë gati 60 milionë euro, ndërsa këtë vit nuk janë kthyer plus 8 milionë euro. Tatimorët pretendojnë se rimbursimet e TVSH-së paguhen rregullisht, përveç në rastet kur kërkohen verifikime shtesë.
Njëherësh janë hapur hetime për 10 biznese që akuzohen se në mënyrë fiktive kanë fituar kthim të Tatimit të Vlerës së Shtuar prej afër 65 milionë euro. Një javë më parë, numri një i Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova, theksoi se po vazhdon pagesa e parave për qytetarët “TVSH-ja ime” si dhe rimbursimi i TVSH-së për kompanitë.
“Fondet e rimbursimit të TVSH-së paguhen në vazhdimësi. DAP shqyrton kërkesat për rimbursimin e TVSH-së pak më tërësisht dhe kryen kontrolle më të thelluara. Në momentin që mora këtë detyrë, ne trashëguam si pretendime të pamiratuara, ashtu edhe kërkesa të miratuara por të papaguara. Janë vënë në shqyrtim, por vetë shifrat tregojnë se rimbursimet e TVSH-së po realizohen në vazhdimësi”, vlerësoi Petrova. Ajo theksoi se rimbursimi i TVSH-së është një çështje dinamike. Deri më 25 shkurt janë bërë deklarata të reja tatimore, që do të thotë se ka edhe kërkesa të reja për rimbursim të TVSH-së. “Deri në fund muajit shkurt , si dhe deri më 15 mars, është afati ligjor për dorëzimin e korrigjimeve në deklaratat tatimore për vitin 2024 për një grup tjetër përdoruesish, që do të thotë se edhe këtu do të ndodhin ndryshime ku disa pretendime do të tërhiqen ose reduktohen, do të vijnë pretendime të reja. Pra kjo është një çështje dinamike, shpjegoi Petrova.
Lidhur me hetimin për rimbursimet e TVSH-së për “kompanitë fantazmë”, ajo tregoi se DAP ka përfunduar kontrollet inspektuese. Procesverbalet e kontrolleve në ato 10 kompani u janë dorëzuar autoriteteve hetimore, Drejtorisë së Policisë Financiare dhe Prokurorisë Publike. Shuma e përgjithshme e tatimit të padeklaruar dhe të papaguar të përcaktuar në këto kontrolle është rreth katër miliardë denarë, saktësoi Petrova. Për rimbursimet e TVSH-së të papaguara nga qeveria e kaluar, ai tha se ato janë duke u zbardhur në vazhdimësi, përveç disa rasteve për të cilat, shtoi më tej ajo, mund të mos kenë përfunduar kontrollet.
LSDM opozitare ka reaguar ndaj deklaratës së drejtoreshës së Drejtorisë së të Hyrave Publike, Elena Petrova, lidhur me rregullsinë e rimbursimit të TVSH-së. “Mjafton të flasësh me kompanitë dhe menaxherët për të dëgjuar të vërtetën – rimbursimet e TVSH-së vonohen vazhdimisht. Kjo praktikë e vonesës së TVSH-së nuk është e panjohur për VMRO-DPMNE-në, ashtu kanë qeverisur në kohën e regjimit, ashtu sundojnë edhe tani”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Nga aty, ata besojnë se nuk do të ketë ndryshime dhe synimi kryesor është presioni ndaj kompanive dhe mbajtja e fondeve që u nevojiten për të operuar. “LSDM vazhdimisht ka apeluar se ky është problem i madh dhe çdo ditë pranojmë ankesa nga kompanitë. Në vend që ta zgjidhin problemin dhe ta bëjnë DAP një partner të vërtetë për biznesin, ata mendojnë se mund të mbulojnë dështimin dhe strategjitë e tyre të gabuara përmes gënjeshtrave”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Në ndërkohë, në fillim të dhjetorit mediat raportuan se shteti u detyrohet kompanive gati 31 milionë euro rimbursim të TVSH-së. Kjo shumë i referohet datës deri më 30 nëntor 2024. Atëherë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, theksuan se në të njëjtën periudhë të këtij viti, kompanive u është paguar një shumë pothuajse e njëjtë.
“Në bazë të statistikave të Drejtorisë së të Hyrave Publike, vërehet se në vitin 2023 dhe në gjysmën e parë të vitit 2024, pagesat e rimbursimit të TVSH-së i kanë tejkaluar shumat e obliguara në atë periudhë për 3.8 miliardë denarë, që tregon se detyrimet e prapambetura nga periudhat e mëparshme janë paguar me vonesë. Struktura e re drejtuese në Drejtorinë e të Ardhurave Publike nga 01.07.2024. si pikënisje, ka pasur gjithashtu një shumë të pamiratuar të rimbursimit të TVSH-së që duhet të paguhet në vitin 2024 dhe nga vitet e kaluara në vlerë të përgjithshme prej 1,7 miliardë denarë, e cila ka hyrë në proces të miratimit dhe pagesës dhe deri më tani është reduktuar”, theksuan atëherë nga DAP. (koha.mk)