Pak përbashkësi, e pak më tepër ngazëllim dhe ndopak edhe iluzione…ia falim vetes kur vijnë këto festa që shënuan datat historike që shqiptarët i bënë me alfabet, gjuhë, kulturë e kuptohet, edhe me shtet
Nga Daut DAUTI
- Dukej mbresëlënëse atmosfera e Ditës së Flamurit gjithandej shqiptarisë. Gjaku ujë nuk bëhet, ndaj dhe përkundër të gjithë kufijve që i ndajnë, dita e pavarësisë ata i bashkon. Ndoshta më shumë se sa manifestimi qendror në Vlorë, ku u bashkuan krerët e shqiptarisë, më madhështor mund të ishte parada që për së dyti herë e organizoi kryebashkiaku i kryeqytetit të Shqipërisë, Erion Veliaj. Aty për disa orë parakaluan shqiptarët e rëndomtë, të ardhur nga të katër anët e botës, pra, edhe nga përtej oqeani, duke bartur shenjat dhe ngjyrat që i shkojnë festës. Erdhën njerëz profilesh të ndryshme, që simulonin ditën e shpalljes së pavarësisë, të veshur si firmëtarët e 28 nëntorit 1912, të tjerë hipur në kalë si Skënderbe e si bashkëluftëtarë të tij, kishte dhe valltarë shoqërish a ansamblesh kulturore, motoçiklistë…çka nuk kish.
Me gjithë frymën atdhetare që mbretëroi në Tiranë, që ndoshta dikujt nga jashtë mund t’i dukej një përzierje me ndonjë dozë patriotizmi e patetike bashkë, kryesorja, kuptohet, ndodhi në Vlorë. Kësaj radhe me një simbolikë historike e mesazhe bashkëkohore politike: aty, krah për krahu u gjetën dy kryeministrat e dy shteteve shqiptare, Edi Rama dhe Albin Kurti. Ndoshta kjo përbën lajm më të madh se sa vetë ngjarja, duke e ditur se këta dy deri tash nuk janë shquar për ndonjë komunikim idilik mes vete, duke pasur pikëpamje të papërputhshme për shumëçka.
Sa u bë lajm ky fakt, pasoi “pjesa e dytë”, ajo e komentimit. “Mendimtarët” më të shquar shqiptarë, veçmas në Kosovë, kishin vërejtur se kjo “përbashkësi” edhe nuk kishte qenë aq idilike sa tregonte buzëqeshja e tyre. Disa midis buzëqeshjeve, kishin vërejtur pak “thartirë” e “vranësi”, e disa të tjerë kishin analizuar gjuhën e trupit dhe kishin ardhur në përfundimin se ata kishin qenë bashkë sa për sy e faqe…Po nejse, edhe ashtu le të takohen kohë pas kohe, nuk kanë zarar prej kësaj!
Në këtë atmosferë festive, vetëm Albini din mirë t’i gjejë të papërgatitur oponentët politikë: një ditë para 28-shit, shpalli planin dhe vendimin e Qeverisë për të ndërtuar fabrikë për municion dhe për studimin e dronëve. Këtë të dytën nuk e pata shumë të qartë, po nejse, gjithë ata që nuk i kuptojnë gjërat aq thellë sa Albini, thanë se ai këtë e bëka për të hapur fushatën zgjedhore, duke shtuar se edhe para zgjedhjeve të kaluara kishte një varg premtimesh që i joshi votuesit, që tash askurrkund nuk i ka… Po t’i lëmë këto qasje dyshuese, mund të themi se ka nevojë për diçka të tillë Kosova, këtë nuk mund ta mohojë askush.
Edhe ne e bëmë Shkupin kuq e zi. Ku me vetura me dritaret hapur duke valuar me flamuj, ku nëpër ballkone, e ku me orët në shkollë kushtuar kësaj dite, me orë historie e orë letrare ose valle veshur kuq e zi…Më të guximshmit kishin sprovuar veten dhe kishin dalë edhe nga qendra e Shkupit, sigurisht duke hasur në shikime habitëse qoftë ngazëllyese, qoftë dyshuese…Ndër shumë komente nga pjesëtarë të kombësive tjera, më ra në sy një koment tejet korrekt i një qytetareje maqedonase, e cila thoshte se kur fqinjët tanë gëzohen, nuk duhet t’i shikojmë me paragjykim, ata i kemi këtu dhe me ta duhet të bashkëjetojmë, kurse edhe Shqipërinë e kemi fqinje me të cilën duhet të mbajmë marrëdhënie të mira si fqinj të parë…Nuk është gjithçka zi, ka shpresë.
* * *
Kur vjen nëntori, ka dhe gjëra të tjera që imponohen, siç është rishikimi i të vërtetave për ngjarjet dhe personalitetet historike. Ndonjë që e kemi ditur për patriot, del ndonjë historian me fakte që hedhin dyshime, e ndonjë që e kemi ditur qe 100 vjet si tradhtar, na e bëjnë patriot. Një nga këto figura, është edhe Esat Pashë Toptani, për të cilin disa vite më parë një autor shqiptar antishqiptar, i cili mbron tezën se shqiptarët si komb i ka krijuar Austrohungaria (ai nuk shpjegon se çka kanë qenë shqiptarët para Austrohungarisë!) , thoshte se ai është mbrojtësi më i madh i Shqipërisë! Po, nëse një të tillë nuk mund ta marrësh me seriozitet, gjersa edhe Skëndebeun me “kriteret” e kohës më të re do të duhej trajtuar si Bin Ladenin(!?), atëherë është hutues për publikun teza e një Ilir Ikonomi (gazetar i Zërit të Amerikës), i cili ka botuar një vepër dhe tek shpjegonte te emisioni i Brunilda Lahes (Vizion Plus) thotë se dokumentet flasin se Esat Pasha nuk ka qenë tradhtar!…Duhet parë dhe analizuar çfarë vërtet thonë dokumentet në të cilat thirret ai që të nxjerrim përfundim nëse ka të drejtë ose jo. Historia, natyrisht nuk është e ngurtë dhe nuk duhet nguruar për rishikuar, por, do të ishte e çuditshme që gjithë këto vite të na kenë vënë në lajthitje historianët tanë për tradhtinë e Esat Pashës…
- E mërkura ishte një ditë e madhe e triumfit të opozitës në Shqipëri. Mbas 333 ditësh arrest shtëpiak, Sali Berisha u lirua dhe kjo ishte një arsye e madhe të shpallë triumfin. Pikërisht para 28 Nëntorit.
Triumf, për çfarë?!
Do të ishte triumf nëse Berishës do t’i hiqeshin akuzat dhe ta shpallej i pafajshëm. Por siç shpjegoi avokati i tij, gjyqi ka parë të udhës që t’ia heqë arrestin për shkak se Berisha nuk mund të ndikojë më në dëshmitarët ose dëshmitë materiale. Pra, lënda ose lëndët i mbetën në proces e sipër. Si do të përfundojnë, do të shihet, SPAK-u pat thënë se ka mbi 2000 faqe dosje bëmash për liderin e PD-së.
Por, dalja në liri, është një intermexo për ta treguar një lloj triumfi për publikun, për të krijuar një iluzion se gjithë kohën Berisha ka pasur të drejtë se SPAK-u punon me direktivat e Edi Ramës. Po ashtu për të krijuar iluzionin tjetër që me fitoren e Trampit në Amerikë, do të pastrohet gjithë “trashëgimia” e bëmave të Sorosit (“metastazat e Sorosit në Shqipëri”, siç tha Flamur Noka i PD-së), e me këtë, edhe do të mund t’i hiqet statusi “non grata” që ia kishte vënë “sorosisti” Blinken.
E gjithë kjo bashkë, pavarësisht nëse përnjëmend do të lirohet Berisha nga akuza dhe nga non grata, është moment i duhur për rikthim në aktivizmin politik, sepse Berisha tha se boll ka mbajtur fjalime, tash është koha për veprim. Kjo mbase për ta forcuar opozitën për t’i bërë karshillëk Ramës, të cilin të gjitha anketat e qesin fitues. Me shpresën se rikuperohen shanset e opozitës me një Berishë në liri, lajthitja ose iluzioni i radhës është te kërkesa për qeveri teknike, sipas shembullit të “qeverisë së Përzhinës” në Maqedoni.
Nuk e dimë nëse vërtet mendon se problemi qëndron te organizimi i zgjedhjeve korrekte që mund të bëjë një qeveri teknike, apo formimin e një qeveri të kontrolluar nga opozita, e cila nuk do të bënte zgjedhje korrekte, por zgjedhje të manipuluara, që të fitonte opozita?! Nëse përvoja e Maqedonisë Berishës i duket formulë shpëtimtare, duket si një lajthitje që vjen nga mosinformimi. Kjo qeveri nuk ia siguron fitoren opozitës shqiptare, nëse ajo vetë është anemike dhe çorientuar. Edhe kur qe formuar për herë të parë qeveria teknike, në Maqedoni nuk fitoi opozita, porse ishin aferat korruptive që i zbuloi Zaevi përmes përgjimeve, ato që ndikuan në ngritjen e opozitës, kurse vetë qeveria teknike(e udhëhequr prapë nga vetë partia kryesore në pushtet), nuk i siguroi fitore. Qeveria teknike, nuk i siguroi fitore VMRO-së në zgjedhjet e radhës, edhe pse pati kapital marrëveshjen e Prespës që ishte lak në qafën e Zaevit. Zaevi fitoi edhe duke e pasur atë hendikep. Është iluzion të mendohet se fitorja e sivjetme e VMRO-së, ishte falë qeverisë së tretë teknike, por në këtë ndikuan shumë çështje të mbledhura si dështime ose të trajtuara si të tilla nga ana e opozitës për pushtetin.
Nëse ka diçka që duhet të merret nga Maqedonia si përvojë, është ndëshkimi drakonik për shkelje të procesit zgjedhor. Nëse Berisha dyshon në manipulimin ose vjedhjen e zgjedhjeve nga Rama, ai duhet të kërkojë pikërisht ndëshkim për shkelësit e procesit zgjedhor. Ma merr mendja që ka një rregullativë të tillë edhe në Shqipëri, ndoshta vetëm duhet të zbatohet në praktikë. Prej se në Maqedoni u ngritën akuza ndaj disa përfaqësuesve të lartë për manipulim zgjedhor, është dhënë porosia e qartë se nuk ia vlen për disa dhjetëra vota të të zënë me kërpesh për dore dhe të shkohet disa vjet burg, ndaj dhe gjithnjë e më pak ka raste të manipulimit zgjedhor.
Punët janë të qarta, por opozitës në Shqipëri i duhet një kashtë e shpëtimit…
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)