E enjte, 17 Korrik, 2025
20.8 C
Skopje

Kurti e quan “luftë aktive hibride” të Serbisë kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional ndaj kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës më 5 korrik, duke shtuar se konfirmimi se kërcënimi ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë për luftën aktive hibride që Serbia zhvillon ndaj Kosovës.

“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, ka shkruar Kurti në “Facebook” teksa ka shpërndarë postimin e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili ka dhënë më shumë detaje.

Sveçla ka njoftuar se personi që ka kërcënuar me bombë Kuvendin e Kosovës është shtetasi serb, Lazar Živković, duke shtuar se në disa profile është gjetur fotografia e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladić, përgjegjës për gjenocidin në rajonin e Srebrenicës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ndryshe, para seancës konstituive të së shtunës, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë evakuuar deputetët dhe gazetarët nga objekti i Kuvendit të Kosovës, pas pranimit të një kërcënimi në anglisht nga një numër që i përkiste rrjetit serb të telefonisë mobile.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm