E premte, 8 Nëntor, 2024
10.8 C
Skopje

Kurti: Kemi rritur investimet në blerjen e armëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të 101- vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, ka deklaruar se Kosova ka rritur investimet në blerjen e armëve gjatë viteve 2021-2023

 

Ai në pritjen e organizuar nga ambasada turke në Kosovë ka vlerësuar kontributin e shtetit të Turqisë për ndihmën që kanë sjellur.

“Krahasuar me periudhën 2018-2020, Kosova ka rritur investimet e saj në blerjet e armëve në vitet 2021-2023 nga 4 milionë në 239 milionë euro. Republika e Turqisë është një anëtare shumë e vlefshme dhe e fuqishme e NATO-s”.

“Ne duam t’i bashkohemi aleancës euroatlantike jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar – Kosova tashmë ka tejkaluar ndarjen buxhetore prej 2% të PBB-së për mbrojtjen e saj, duke përmbushur kriteret e NATO-s të vendosura në Samitin e saj në Uells dhjetë vjet më pare”, ka thënë Kurti.

E që investimi i shtetit turk ka qenë veçanërisht në sigurinë e Kosovës.

“Jam krenar që nën Qeverinë tonë, Kosova dhe Turqia kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin dypalësh gjatë katër viteve të fundit. Askund nuk është më evident bashkëpunimi i shtuar se sa në kontributin e Turqisë në kapacitetet ushtarake të ushtrisë së Kosovës. Në të vërtetë, industria turke e mbrojtjes ka qenë thelbësore jo vetëm për sigurinë e Turqisë, por edhe për tonën”, ka thënë Kurti para të pranishmeve.

Ai ka përmendur edhe vizitën e fundit që ka pasur në Turqi.

“Pata kënaqësinë të vizitoj kompaninë e njohur Baykar Technologies, me Heluk dhe Selçuk Bayraktar, të njohur në mbarë botën për prodhimin e dronëve Bayraktar TB2, të cilët tani janë pjesë thelbësore e arsenalit mbrojtës të Kosovës”.

Më 23 tetor, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nënshkruar të mërkurën marrëveshje për bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, për bashkëpunim në fushën mjekësore.

“Me këtë rast ndërmjet dy ministrive tona u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit në fushën e trajtimit mjekësor, përmes të cilit mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke”.

“Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50% më shumë”, kishte sqaruar ai.

Mbi 300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri tani sipas të dhënave të dikasterit të mbrojtjes ishin trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke.

Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.

Kjo marrëveshje përfshinte shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimet në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi. (AP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm