Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku është paraparë që t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje në këtë seancë.
Kjo për shkak se konsideron se “pyetjet nuk vinë nga ky parlament”, pasi që opozita po kundërshton votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet s’do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi koleg të të njëjtit shtet, e jemi në të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin publik e interesimit shtetërorë”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka deklaruar se nuk ka pasur kryeministër në Kosovë, që ka qenë më shumë i gatshëm për t’u përgjigjur në pyetjet parlamentare.
“S’ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh dhe me më përpikemëri pyetjeve parlamentare nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që unë kur isha opozitë parlamentare kanë kaluar këtu vetëm tri prej s’janë votuar, 374 janë votuar”.
Pas pyetjes së deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se kur të jeni deputetet e Kuvendit të Kosovës, do të u përgjigjëm pyetjeve të juaja.
“Atëherë kur të jeni deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë do të përgjigjem në pyetjet parlamentar sepse sigurohet që bëhet fjalë për Parlamentin e Republikës së Kosovës”.
“S’mund të bësh pyetje parlamentare ndaj kryeministrit dhe ta dëmtosh shtetin në masën e përgjithshme 360 milionë euro”.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se nuk do të përgjigjet në pyetjet e deputetëve të ardhura nga partitë opozitare pasi ata nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
“Deri sa të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të përgjigjem në pyetjet që i bëni, sidomos nga deputetë të cilët nuk i votojnë këto marrëveshje”, ka thënë Vitia.
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetëve opozitarë.
Deputetja, Time Kadrijaj nga AAK i reagoi duke thënë se më kërcënime të tilla nuk mund të shantazhohen.
Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu reagoi duke thënë “se të tilla kushte nga Qeveria e Kosovës janë diktaturë”.
“Ma ardh Qeveria me na qit kushte në parlament kjo është diktaturë, por s’do të lejojmë diktatura të tilla”, tha Musliu.
Ajo tha se pyetjen që e ka për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën nuk do ta bëj, por ka një kërkesë për të.
“Pyetjen s’po e bëj për Xhelal Sveçlën, por po i them merre kabinetin tënd nga Belvedere dhe sille në Prishtinë. Lej të lirë policët të punojnë”, kërkoi Musliu.
Mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Opozita e ka bërë me arsyetimin se pushteti s’po i voton marrëveshjet për Policinë e Kosovës.
“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ku kërkohet mbështetje ndaj Policisë së Kosovës në tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne refuzojmë që të marrim pjesë më tutje në këtë seancë. Konsiderojmë që s’ka gjë më të rëndësishme sesa të ishim bashkë në mbështetje të Policisë së Kosovës”, tha Tahiri të enjten në seancën e Kuvendit.
Edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se s’do të marrin pjesë në seancën e së enjtes.
“Ju nuk keni numër për të qeverisur dhe e vërteta është qe ne s’kemi numër për të ju rrëzuar. Pra, na duhet një kompromis politik për të dalur nga kjo situatë”.
“Zgjedhja e parë e mundshme është gjithmonë që të shkojmë në zgjedhje, e dyta zgjerimi i koalicionit dhe zgjedhja e tretë shpërndarja e vullnetshme e Kuvendit s’ka zgjedhje tjetër”.
Pas këtyre deklaratave, Konjufca kishte kërkuar nga deputetët e pushtetit që të numërojnë vetën.
Ndërsa, më pas kishte marrë vendim për t’i liruar nga Kuvendi në seancën e së enjtes.