Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka radhitur 10 arritjet kryesore për vitin 2024, në krye të Qeverisë
Kurti e ka quajtur 2024-në “vit të pasaportës së Kosovës” dhe si njërin ndër sukseset e parë e ka renditur liberalizimin e vizave.
“Së pari, liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani si dhe njohja e pasaportës së Republikës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse, Spanja dhe Armenia. Viti 2024 ka qenë viti i pasaportës sonë”.
Ndonëse, nga Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe Elektrosever, nuk janë përgjigjur se sa njehsorë janë vendosur deri më tash dhe se si janë krijuar kushtet për të paguar energjinë elektrike në Veri, kryeministri e ka vlerësuar si sukses inkasimin e energjisë elektrike në komunat veriore.
“Këtë vit, filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë elektrike në katër komunat tona në veri, për herë të parë pas më shumë se dy dekadave”.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti, gjithashtu ka përfunduar me sukses procesi i konvertimit të patentë shofereve ilegal në ata të Kosovës.
“Janë regjistruar mbi 6 mijë e 300 konvertime, shumica prej tyre nga qytetarët e katër komunave në veri të vendit, duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë për integrim, e cila nuk ka munguar asnjëherë nga qytetarët, por është penguar në vazhdimësi nga struktura ilegale dhe Beogradi zyrtar”, ka shkruar Kurti në rrjetin social ‘Facebook’.
“Shumë prej këtyre strukturave ilegale tashmë janë mbyllur, sepse janë të jashtëligjshme. Atje tani kemi një situatë krejt tjetër”.
Inagurimi i bursës ALPEX, sipas tij, është arritja më e madhe në pavarësimin energjetik të Kosovës si dhe në bashkëpunimin kombëtar.
Për shëndetësinë, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se është bërë “më e mirë” dhe “më e lirë” në shumë shërbime.
“Klinika e Ortopedisë, Klinika e Onkologjisë, Urologjisë, Gjinekologjisë, Kardiokirurgjisë, Klinika Emergjente, Blloku Operativ në Klinikën Torakale, Blloku Operativ në Neurokirurgji – Kirurgji Vaskulare, Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë, Transfuzioni i Gjakut në Gjilan, Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve janë transformuar të gjitha këto rrënjësisht e tërësisht”.
“Me udhëzimin Administrativ “Bashkëpagesat për shërbime shëndetësore” disa prej shërbimeve jetike për qytetarë janë pa pagesë ose me çmime më të përballueshme. Kurse me Ligjin për çmimet e unifikuara të barnave dhe miratimit të listës, duke filluar nga 1 shkurti i vitit 2025, çmimet e barnave do të jenë shumëfish më të ulëta”.
Ai është lavdëruar edhe me rritjen e pensioneve për 20 për qind dhe shtesat prej 100 eurosh.
“Pensionistët e moshës, përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara tashmë veçse i marrin pensionet e tyre me rritje, kurse nga muaji i ardhshëm fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta. Përveç rritjes së rregullt, të gjithë pensionistët tanë edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, e për të pestë herë me radhë përgjatë mandatit tonë, këtë muaj do të marrin shtesën e njëhershme prej 100 euro”.
Teksa, ka deklaruar se i ka dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë.
“Përkatësisht dyfishim të shtesave për familjet që kanë një ose dy fëmijë, kurse trefishim për familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë. Po ashtu sikurse vitin e kaluar u kemi ndarë edhe një mbështetje shtesë për fundvit në vlerë prej 100 euro. Gjithsej për mbi 400 mijë fëmijë të vendit tonë”.
Ndër të tjera, ka potencuar se pas 13 vjetëve në Kosovë ka pagë të re minimale e cila është dyfish më e lartë.
“Kurse, falë performacës së mirë ekonomike këtë vit, do të kemi përsëri rritje të pagave në sektorin publik. Paga e re Bazë që hyn në fuqi në vitin 2025 do të jetë për 110 euro më shumë. Rritja do të bëhet në dy faza”.
“Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm, pra muajin tjetër dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë”.
Në Drejtësi, Kurti ka përmendur funksionalizimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.
“Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, e kemi funksionalizuar Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës i cili brenda këtij viti ka grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt (TB) material digjital (video, audio, foto), që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 67 burime të ndryshme”.
“E kemi përzgjedhur konceptin fitues dhe e kemi nënshkruar kontratën për hartim të Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Gjithashtu, kemi marrë edhe vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri”.
Si “sukses” ai e ka vlerësuar se procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.
Ndërsa, në fushën e mbrojtjes ai ka thënë se arritje për Qeverinë Kurti është funksionalizimi i Fabrikës së Municioneve.
“Krahas rritjes së numrit të ushtarëve, fuqizimit të ushtrisë dhe blerjes së armatimeve të ndryshme, bëmë edhe një hap të madh në vendosjen e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes, duke nënshkruar kontratë me prodhuesin shtetëror turk MKE për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve”. (AP)