BDI opozitare ka kërkuar sërish vetting të monitoruar nga ndërkombëtarët derisa nga ana tjetër – koalicioni VLEN propozoi amendament kushtetues kundër vjetërsimit të lëndëve për korrupsion e lartë. Megjithatë, është VMRO-DPMNE ajo që nuk e pranoi as amendamentin kushtetues të partnerit të tyre të koalicionit – VLEN, por as vettingun ndërkombëtar të partisë së Ali Ahmetit
Zenel MIFTARI
Shkup, 11 gusht – Në bazë të dhënave nga sondazhi i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), i publikuar në vitin 2023, besimi i qytetarëve ra përtokë brenda tre vitesh. Respektivisht, sipas IRI-it, 8 për qind e qytetarëve i besonin gjyqësorit dhe prokurorisë në vitin 2021, ndërsa katër për qind në vitin 2022 dhe tani ky besim ka rënë në një për qind. Partia shqiptare në opozitë – BDI, për ta rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor ka kërkuar nga partitë në pushtet që menjëherë të nisin procesin e vettingut të monitoruar nga ndërkombëtarët. Nga BDI thonë se çdo ditë që kalon pa këtë proces, është një humbje për demokracinë dhe integritetin e vendit. Nga atje thonë se partitë që përbëjnë qeverinë monoetnike janë të frikësuar nga kërkesa e tyre, për inicimin e vettingut, i cili do të monitorohet nga ndërkombëtarët.
“Partitë politike, të cilat nuk e përkrahin një iniciativë të tillë, janë mashtrues që përpiqen të vjedhin popullin. Merrni guximin për të filluar vettingun të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan. Ditët kalojnë, dhe partitë nga qeveria monoetnike, të frikësuara nga kërkesa ynë për të iniciuar një vetting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan në 30 vitet e fundit, përfshi edhe procesin e privatizimit, kanë mbetur të heshtura dhe po përpiqen të devijojnë temën me kumtesa boshe. Ejani, menjëherë të fillojmë që secili nga politikanët të paraqesë pasurinë dhe të kaluarën e tij para një komisioni ndërkombëtar të monitorimit për veting”, shtojnë nga BDI. Nga BDI, në fund kanë nënvizuar se derisa nuk e bënë këtë qeveria, janë vetëm mashtrues që përpiqen të vjedhin popullin nën sloganin “kapeni hajnin”.
Si kundërpërgjigje e kërkesës së BDI-së për vetting ndërkombëtar, koalicioni i partive shqiptare VLEN, propozoi amendament kushtetues për ta parandaluar vjetërsimin e lëndëve për korrupsionin e lartë. “Ligjet mund të kenë fuqi retroaktive edhe në rastet që lidhen me vjetërsimin e përgjegjësisë penale për abuzimet e kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar gjatë ushtrimit të detyrave publike, ku janë shkaktuar dëme në fondet publike dhe mjetet buxhetore në nivel qendror dhe lokal, dhe ku me ato abuzime është përfituar pasuri e paligjshme”, janë shprehur nga koalicioni VLEN.
Nga VLEN gjithashtu thonë se është e dhimbshme të shohësh se si një udhëheqje e kriminalizuar po e tërheq BDI-në në humnerë. Sipas tyre, a ekziston një veting ndërkombëtar më i besueshëm për një politikan sesa lista e zezë e SHBA-së? “Populli shqiptar nuk do të jetë peng i përpjekjeve të kësaj udhëheqjeje kriminale të BDI-së për të ruajtur privilegjet nga regjimi 22-vjeçar. VLEN propozon një zgjidhje sistemore si një mekanizëm kushtetues që do të mundësojë përgjegjësi penale për veprat e kryera dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Por VMRO-DPMNE-ja, nuk e ka pranuar as këtë amendament të koalicionit VLEN. Deputeti i VMRO-së, Bojan Stojanovski, ka deklaruar se në Maqedoni ekzistojnë mekanizma për luftimin e korrupsionit, por në të kaluarën nuk ka pasur vullnet politik. “Qëndrimi ynë është se me rregullativat ligjore ekzistuese dhe me kryqëzimin e bazave të të dhënave mund të luftohet kundër korrupsionit. Ajo që deri më tani ka munguar ka qenë vullneti politik për zbardhjen e këtyre rasteve. Për shqyrtim dhe përgjegjësi për krimet, mundet dhe duhet të frikësohen të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit. Dhe duhet të dinë se do të ketë drejtësi. Së shpejti do të fillohet edhe me zbardhjen e të gjitha rasteve për të gjitha llojet e korrupsionit”, tha Stojanovski.
Ndryshe, në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut, thuhet se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme. “Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti të rishikojë kuadrin legjislativ dhe funksionimin e përgjithshëm të Këshillit Gjyqësor për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij dhe për të rritur zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë. Këshilli i Prokurorëve Publikë përmirësoi transparencën e saj duke i vënë seancat në dispozicion në platformat e mediave sociale, por ende ka nevojë për të dhënë sqarime për vendimet e saj”, thekson Raporti i Progresit. (koha.mk)