Sipas informacioneve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, janë shpuar gomat e një automjeti zyrtar, një automjeti të një mysafiri dhe një automjet privat i një prej të punësuarve
Urim HASIPI
Tetovë, 28 janar – Dëmtimi i automjeteve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” javën e kaluar ka shkaktuar reagime nga drejtoria e këtij parku. Edhe pse kryerësit e kësaj vepre ende mbeten të panjohur, nga kjo drejtori shpresojnë se autorët do të zbulohen dhe do të marrin dënimin e merituar. Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Emir Huseini, thotë se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites kur kanë patur një takim me shoqata të ndryshme.
“Motivet mendoj se janë sukseset e parkut. Ne jemi angazhuar që të zhvillojmë në maksimum këtë pjesë të Sharrit dhe ta promovojmë gjithashtu. Ne, atë ditë kemi pasur takim në ora 17.00 me shoqatat bjeshkatare duke punuar për të zhvilluar projekte për Malin Sharr. Ndërkohë, në parkingun tonë ka ndodhur incidenti dhe dikujt i pengojnë këto takime të cilët i bëjmë për të zhvilluar parkun”, tha drejtori Huseini. Ai më tej është shprehur se edhe ka kamera të sigurisë megjithatë shkaku i mjegullës nuk mund të identifikojnë autorët e kësaj vepre. Gomat e disa veturave janë shpuar, ndërsa drejtori Huesini është shprehur se do të vazhdojnë me punën e tyre për të ecur përpara projektet në Parkun Kombëtar.
Sipas tij, ka pasur edhe dëmtime tjera të tabelave, por bëhet fjalë për raste të izoluara. “E kemi paraqitur rastin tek organet kompetente dhe shpresojmë që ta zbardhin sa më shpejtë që është e mundur. Kemi kamera të sigurisë të institucionit tonë, por edhe të Kodrës së Diellit, megjithatë shkaku i mjegullës së dendur, nuk identifikohet asgjë. Kemi patur dëmtim edhe të disa tabelave që janë vendosur, por besoj se do të menaxhojmë këto raste të izoluara dhe askush nuk mund ta ndalë zhvillimin e parkut kombëtar”, beson drejtori Huseini.
Sipas informacioneve të parkut kombëtar Mali Sharr, janë shpuar gomat e një automjeti zyrtar, një automjeti të një mysafiri dhe një automjet privat i një prej të punësuarve.
“Organet kompetente janë të informuara dhe po merren me zbardhjen e rastit. Shpresojmë se raste të tilla më nuk do të përsëriten”, qëndronte në njoftimin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe nënvizohet e ky incident nuk i frikëson të punësuarit, por “kjo në mënyrë plotësuese i motivon edhe më tej që me këmbëngulje të punojnë në mbrojtjen e natyrës, zhvillimit të rajonit dhe luftën kundër armiqve të natyrës”. (koha.mk)