Analistët shprehen të ndarë rreth asaj se kush është favorit në zgjedhjet presidenciale. Disa thonë se në avantazh është Siljanovska sepse propozohet nga VMRO-DPMNE e cila me shumë mundësi do t’i fiton edhe zgjedhjet parlamentare, ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se Pendarovski është favorit sepse ka mbështetjen edhe të komuniteteve joshumicë në vend
Xhenur ISENI
Shkup, 26 shkurt – Me procesin e mbledhjes së nënshkrimeve, praktikisht ka filluar edhe fushata parazgjedhore. Mbi 10 kandidatë për presidente tashmë po vendosin se si do të vijojnë. Kundër shefit të shtetit Stevo Pendarovski do të garojnë Gordana Siljanovska-Davkova, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari, Stevço Jakimovski dhe Maksim Dimitrievski. E ndërsa disa prej tyre mbledhin nënshkrimet e nevojshme, partitë me pikëpamje të kundërta se si duhet të votohet për kreun e shtetit në të ardhmen. BDI pret mbështetje nga partitë maqedonase për idenë e tyre, që presidenti i shtetit të zgjidhet në Parlament me shumicë prej dy të tretash dhe me Badenter. Nga partia e Ali Ahmetit që barazia të mos interpretohet si shantazh.
A ËSHTË I PRANUESHËM PROPOZIMI VETËM PËR BDI-në?
Dy partitë më të mëdha maqedonase mendojnë se kreu i shtetit duhet të zgjidhet nga qytetarët. VMRO-DPMNE as nuk bisedon e as nuk negocion nën shantazh dhe së paku e pranon, u përgjigjën nga partia e Mickoskit. Sipas tyre, nga BDI pritej të dilnin me kërkesa, siç thonë ata, nacional-romantike. Edhe LSDM është e mendimit se kreu i shtetit duhet të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta, e jo në Parlament. Sipas tyre, modeli zgjedhor nuk duhet ndryshuar. Sipas disa njohësve të proceseve politike, logjika e kësaj kërkese është se me këtë do të kursehen mjetet financiare që barten nga buxheti, gjegjësisht qytetarët.
Për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, në të cilat fitoi presidenti aktual Stevo Pendarovski, janë shpenzuar 7.9 milionë euro. Prej tyre, gati 3.8 milionë euro nga buxheti janë shpenzuar për fushatën mediatike të kandidatëve. Të dhënat tregojnë se zgjedhjet presidenciale kushtojnë më pak se zgjedhjet parlamentare, por është ende një shumë e madhe për një vend të varfër me spitale dhe shkolla të vjetra, infrastrukturë rrugore të dobët e shumë probleme të tjera. Për krahasim, mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2020 kushtoi 9.2 milionë euro. Ndërsa zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 2016-ës kushtuan 7.5 milionë euro, ose pothuajse sa zgjedhjet presidenciale të 2019-ës.
CILI KANDIDAT KA MË SHUMË MUNDËSI PËR FITORE
Presidenti aktual Stevo Pendarovski, i nominuari i LSDM-së edhe për një mandat. Nominimi duhet të konfirmohet zyrtarisht në kongresin e 3 marsit. Pendarovski pritet të mbledhë edhe nënshkrime përkundër mbështetjes së grupit parlamentar. Kështu ka paralajmëruar edhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova. Konfirmimi i kandidaturës duhet të bëhet në kongresin e së shtunës së ardhshme. Socialdemokratët thonë se Pendarovski në garën presidenciale hyn si favorit me mbështetjen e të gjitha bashkësive etnike.
Sipas analistit politik, Ivo Rangjeloviq, është para së gjithash e shëndetshme për demokracinë në këtë vend që votuesit të kenë një zgjedhje të madhe të kandidatëve, të paktën formalisht. Ai vlerëson se është e drejtë që të gjithëve t’u jepen shanse të barabarta, megjithëse besoj se shanset më të mëdha i kanë kandidatët e përkrahur nga dy partitë më të mëdha, Pendarovski dhe Siljanovska. Në përgjithësi, profili i të gjithë kandidatëve është shumë më i mirë se ai për zgjedhjet parlamentare. “Portreti i sistemit dhe strukturës së votimit në Maqedoni vështirë se mund ta lejojë një president shqiptar dhe këtë e dinë shumë mirë partitë nga blloku shqiptar. Prandaj mendoj se dy kandidatët Taravari dhe Osmani janë proforma në një garë josubstanciale, gjegjësisht ballafaqim partiak në bllokun shqiptar”, thotë Rangjeloviq.
Për shanset e Pendarovskit në këto zgjedhje, ai thotë se është shumë e vështirë të vlerësohet puna e një institucioni që nuk ka pushtet parësor në politikë, siç është presidenti. “Kësaj radhe vala e ndërrimit të pushtetit është në favor të VMRO-DPMNE-së, kështu që përkrahja e LSDM-së ndaj Pendarovskit do të jetë e një rëndësie relative, për të mos thënë e rrezikshme. Por, nëse do të shkojë në raundin e dytë, Pendarovski do të duhet të sigurojë mbështetje më të gjerë votuese krahas asaj që pritet nga blloku shqiptar”, theksoi Rangelloviq.
Avantazhi më i madh i Siljanovskës, shton Rangjeloviq, përveç cilësive të saj, është mbështetja e një partie që është në pole pozitë për të fituar zgjedhjet parlamentare. “Nëse merret parasysh se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë de facto të përbashkëta, vështirë të pritet që votuesi i VMRO-së të mos e mbështesë edhe Siljanovskën. Siljanovska duhet ta kërkojë shansin në raundin e dytë të mundshëm në elektoratin e të gjithë kandidatëve që nuk do ta kalojnë raundin e parë, të cilët përgjithësisht janë të orientuar anti pushtetit”, vlerëson Ivo Rangelloviq, analist.
Sipas tij, vëllimi i kandidatëve ngushton hapësirën për surpriza. “Ka kandidatë cilësorë që meritojnë të jenë surprizë, por sasia do ta zbehë cilësinë, e me këtë edhe surprizat e mundshme”, përfundon Rangjeloviq.
Ndërkaq, ndryshe nga Rangelloviq, analisti politik Dame Çkatroski thotë se më shumë gjasa për fitore në zgjedhjet presidenciale ka presidenti aktual, Stevo Pendarovski, sepse sipas tij ka mbështetjen edhe të komuniteteve joshumicë.
“Interesant është fakti se përveç VMRO-DPMNE-së që e ka propozuar Gordana Siljanovskën, të gjithë të tjerët do ta mbështesin Pendarovskin, ndonëse do të propozonin edhe kandidatët e tyre për folklor. Është interesant vendimi i VMRO-DPMNE-së për të luajtur me një ekip humbëse, e kjo është Siljanovska. Kjo do të thotë shumë, ka gjasa që VMRO-DPMNE nuk janë aspak të interesuara për postin presidencial dhe së dyti, po i hapin rrugën Pendarovskit për një mandat të dytë. Duke ditur rrethanat se si është menaxhuar apo dakorduar kjo në politikë në Shkup, ka shumë gjasa që Pendarovski t’i urojmë mandatin e dytë, por nuk do të doja të spekuloja se VMRO-DPMNE hapi derën e postit të kryeministrit me këtë lëvizje. Para së gjithash ishte një vendim i mençur i VMRO-DPMNE-së, ata duhet të kenë llogaritur shumë për shkak të asaj që pasojnë dhe të gjithë do të përballemi me reforma dhe reforma”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.
Ndryshe, kandidati për president duhet të mbledhë 10.000 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në Listën Zgjedhore dhe nëse është propozuar nga deputetët, atëherë duhet të mblidhen së paku 30 nënshkrime nga deputetët. Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve ka nisur më 23 shkurt dhe do të vazhdojë në vazhdimësi çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa ditën e fundit, më 8 mars, do të punohet deri në mesnatë. Mbledhja e nënshkrimeve bëhet në të gjitha departamentet rajonale dhe zyrat e KSHZ-së të vendosura në selitë e 34 njësive vendore dhe para noterëve kompetentë. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë është më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. (koha.mk)