U prit të jenë zgjedhjet në stilin evropian si deri më tash, shembull për gjithë rajonin, por i kapi një maler në numërimin e votave, që as pas një jave, ende nuk dihet kush sa ka fituar. Kapitull në vete është se as rezultati nuk u shkon në favor palëve e as mundësi që të krijohet lehtë një qeveri me kapacitet të plotë dhe mandat të pastër
Nga Daut DAUTI
- Milaim Zeka i mori mësysh zgjedhjet në Kosovë! Po, sigurisht ai, sepse gjysmë ore para përfundimit të votimit, të dielën e kaluar, në “Rrethin katror” të Manushit, rrahi gjoks se si në Kosovë mbahen zgjedhje më shembullore në rajon, se nga ora 21.00 do të dihen edhe rezultatet… Pikërisht si tha ai, zgjedhjet dukeshin shembullore, deklaratë pas deklarate të përfaqësuesve politikë, askush nuk ankohej në parregullsi. Edhe numërimi i votave nisi disi mbarë, në përqindjet e para të ulëta, shihej trendi se LVV-ja do të dalë fituese (këtë mbase askush nuk e ka vënë në dyshim), të ashtuquajturat eksit-pole i jepnin përparësi diku me 37-39 për qind, por “mësyshi “ ndodhi pas orës 21, kur nga faqja KSHZ-ja na doli një përqindje ku LVV-ja kishte 55 për qind!
Pastaj u bllokua faqja dhe dëshpërimisht nga KSHZ-ja ngritën duart nga numërimi elektronik, edhe pse me softuer të ri e të shtrenjtë. Dyshime dhe nga prokuroria se çka po ndodh. Situatën atë natë e shpëtoi OJQ-ja Demokracia në Veprim dhe partitë, të cilët i nxorën shifrat përafërsisht të njëjta për përqindjet, por këtu pasoi ngecja tjetër. Sepse as ditëve në vijim, deri në mbyllje të këtij shkrimi, askush nuk e dinte se kush sa vende deputetësh ka marrë. Çështjen e komplikonin kategoritë e ndryshme të votave: ato të diasporës duhej “të udhëtonin” nga jashtë, e assesi të mbërrijnë, pastaj mijëra “vota me kusht”, pa të cilat askush nuk mund të nxirrte përfundimisht rezultatin.
Një kaos i vërtetë, për ta rikthyer Kosovën në realitetin ballkanik,si gjithë vendet tjera me probleme zgjedhore.
- Po kush fitoi? Dilemë e kotë, apo jo. Fitoi LVV-ja, edhe pse opozita “në rritje të dukshme”, është e prirë të tregojë sikur Kosova ka votuar për ta, dhe me entuziazmin e matematikave të para, të pretendojë për të krijuar qeveri, kurse sipas tyre, LVV-ja ka humbur “dukshëm”. Nëse ka vërtet humbje, ajo është nga pritjet për “500 mijë zemra” që i kishte projektuar si qëllim Kurti. Por, se kush do të bëjë qeveri, e tha edhe lideri i LVV-së: “qeveria Kurti 3”. Kjo, sepse si tha lideri i LVV-së, kjo parti ka fituar më shumë se dy partitë e dyta bashkë. Saktë.
Por çështja e fitores, patjetër të bëhej temë mediale dhe gjithë javën ka vazhduar të trajtohet pa ndërprerë: kush do ta formojë, por më tepër: si?
Duke lodhur mendjen me të madhe analistë të shumtë, kanë luajtur rolin e mblesit, duke dashur t’i gjejnë VV-së partner koalicioni, dhe disa prej tyre kanë dalë me idenë se gjëja më e mirë për Kosovën do të ishte një koalicion LVV-PDK.
Vërtet do të ishte dhuratë prej Zotit të bëhej kjo, duke ditur barrierat e pakalueshme midis këtyre dy partive. Si tha një nga ata që e kundërshtojnë një ide të tillë, Albini është ngritur pikërisht duke luftuar qeverisjen e PDK-së dhe nuk do të kishte logjikë që PDK-ja t’ia bënte numrat një qeverie të LVV-së. Bile as sikur të bëhej kompromisi që njërës parti t’i takojë kryeministri (bie fjala Bedri Hamza), e Albini të bëhet president. Kombinimi do të funksiononte me modelin e Gjukanoviqit, i cili herë bëhej president, herë kryeministër, por në cilindo vend që të gjendej ai, aty ishte qendra e vendosjes. Problemi është se pse PDK-ja do të donte një kombinim të tillë? Apo ndoshta po?
Kur jemi te politikanët, shpesh njerëzit janë të prirë që fjalët e tyre t’i relativizojnë(premetimet, fjalët e mëdha…madje dhe fyerjet e rënda),sepse thonë, çka thuhet në fushatë, pastaj harrohet. Kjo dhe shpesh ka ndodhur. Por, pas fjalimit triumfal kur Albin Kurti të dielën mbrëma na shesh duke iu drejtuar simpatizantëve të vet për opozitën përdori epitete të një fjalori që nuk i shkon një lideri si ai (“hajvana”, “hajvanati”…) që shumëkë edhe nga tabori i tij ka lënë pa fjalë, përgjigjen e mori menjëherë. Nga Lumir Abdixhiku që atë natë, i cili tha se votuesit kanë vendosur që të vazhdojë në opozitë dhe ai do ta respektojë këtë, kurse nga Bedri Hamza e Ramush Haradinaj të nesërmen, se kurrsesi nuk duan me LVV-në.
Fakti se të gjitha partitë tjera opozitare kanë mbledhur më shumë vende deputeti se LVV-ja, nuk do të duhej të ishte arsye e fortë për ta çuar LVV-në në opozitë. Çka do të arrinin?
Partive opozitare nuk u konvenon të shkojnë me Albinin, sepse e humbin peshën e tyre elektorale për të ardhmen dhe i bartin pasojat e politikave që i kanë kritikuar më parë nëse bëhen pjesëmarrës në realizimin e tyre bashkë me LVV-në.
Por atyre nuk u përgjigjet as të bëjnë vetë koalicion bashkë me deputetët e pakicave jo serbe. Kjo, për shkak se do të kishte jehonë të keqe të tifozeria e Albin Kurtit dhe do të shtohej ndjenja se si të gjithë janë kundër Kurtit, e ai është i drejtë, prandaj dhe e kanë çuar në opozitë. Në anën tjetër, ka shumë punë që i ka nisur Albini, disa që i ka çuar me sukses deri në fund, e disa mbetur në gjysmë rruge ose si bombë me sahat si obligim që askush nuk do të donte ti mbetej në dorë, ndaj logjika politike thotë se partive opozitare nuk do tu konvenonte që t’i marrin mbi vete ato probleme për t’i zgjidhur. Kjo do të ishte për to vendim i duhur vetëm nëse do të kishin sinjal nga Uashingtoni se do t’u qëndrojë prapa dhe në të mirë të shtetit të Kosovës.
Si përfundim, vijmë te fillimi. Qeverinë duhet me çdo kusht ta bëjë Albin Kurti. Si di e si mundet. Këtu ndoshta flijesa më e vogël do të kishte qenë që ai të bindë ndonjë grup të vogël deputetësh që do të shkëputej nga paritë e tyre, aq sa ta kalojë pragun e shumicës parlamentare. Kjo do të ishte një shans i mirë për t’u parë si do të venë gjërat. Nëse ka sukses, aq më mirë për Kosovën. Nëse dështon, aq më mirë për opozitën, që mund ta kthejë veten në lartësinë e duhur.
Kjo do të ishte më mirë për të gjithë: për Albinin që të vazhdojë politikat që i ka nisur e për të cilat gëzon përkrahje. Në të kundërtën, nëse opozita bën qeveri, atëherë Albini bëhet ai “ujku i vjetër” opozitar, i cili siç tha një analist, do t’u kthehej vezëve, gazit lotsjellës dhe protestave edhe kundër marrëveshjeve që vetë i ka nënshkruar.
Në këtë situatë të komplikuar, nuk do të ishte çudi që të gjithë të zgjidhnin mundësinë të jenë opozitë!!!
- Unë vazhdoj të jem rob i disa pikëpamjeve, që janë në kundërshtim me praktikat e subjekteve politike në gjithë shqiptarinë. Nuk ishte vetëm Grenelli pa takt që i ndihmoi Albinit të fitojë me kritikat e tij, sepse saherë që flet diçka kundër tij, populli e shpërblen. Por Grenelli është amerikan dhe s’çan fort kokën se çfarë efekti mund të kenë fjalët e tij. Por partitë shqiptare, si kurrë më parë, i hapën letrat e tyre, sidomos në Maqedoni. Ali Ahmeti u apeloi votuesve kosovarë të votojnë kundër forcave që e rreshtojnë Kosovën me Rusinë dhe Bjellorusinë, kurse partitë e VLEN-it ia dëshiruan fitoren Albinit. Pas fitores, edhe ia uruan, gjë të cilën nuk e bëri lideri i BDI-së. Nuk e bëri, sepse as Albini nuk ia kishte uruar fitoren atij dhe gjithë kohën kishte përkrahur oponentët.
Për mendimin tim, këto raporte duhet vënë në baza tjera.. Shumë herë kam shkruar se subjektet politike shqiptare në shtetet e ndryshme duhet të mbajnë raporte korrekte të gjithë me të gjithë, ndërkaq se kush do të jetë opozitë ose pushtet, le ta vendosin votuesit. Pse kështu? Që të mos krijohen relacione në baza ideologjike ose preferenca personale, e animozitete pa nevojë, të cilat pastaj mund të bëhen pengesë e bashkëpunimit institucional, nëse vijnë në pushtet parti që mes vete kanë pasur marrëdhënie të ashpërsuara. Këso anomalish kemi parë në raportet e çrregulluara midis Ramës e Albin Kurtit, Sali Berishës e Hashim Thaçit, Ramës e Ramush Haradinajt etj.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)