Gazetari Ihar Karnei ishte me humor të mirë atë mëngjes të së hënës, dy vjet më parë, kur u nis për në dyqan pas një fundjave “të lumtur” në fshat me miqtë dhe bashkëshorten e tij, Ina. Por Ihar Karnei, nuk arriti larg, raportoi radio Evropa e lirë.
Sapo doli nga banesa, pa një hije në shkallë — dhe u përball menjëherë me një oficer të KGB-së, siç vazhdon të quhet shërbimi kryesor i sigurisë në Bjellorusi, edhe 35 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Doli që kishte pritë afër gropës së plehrave”, tha Karnei për Radion Evropa e Lirë në një intervistë.
“Ma tregoi një copë letër para fytyrës dhe tha: ‘Kthehemi brenda. Kam disa pyetje dhe do të bëjmë kontroll’”.
Pas një kontrolli të banesës së tij nga disa agjentë të KGB-së, Karnei u arrestua dhe u dërgua në paraburgim.
“Mbaj mend edhe çfarë këmishe kishte veshur”, kujton Ina.
“Mendova se duhet ta ruaj këtë moment në kujtesë, sepse nuk e dinim sa kohë do të mungonte Ihar. Më pas hetuesi më njoftoi se po mbahej për 10 ditë”