Përpjekja për t’i mohuar paraprakisht humbjet në zgjedhjet presidenciale shkon përtej retorikës. Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili pritet të ketë garë të ngushtë me kundërshtaren e tij nga radhët e demokratëve, Kamala Harris, ka shpenzuar muaj të tërë duke u përçuar mbështetësve të tij mesazhe të tilla, të cilat i bëjnë ata të besojnë se e vetmja mënyrë që ai mund të humbë është përmes manipulimit të rezultateve
Nuk ka dyshim se Donald Trump do të refuzojë ta pranojë humbjen – në rast se humb – në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-presidenti, i cili pritet të ketë garë të ngushtë me kundërshtaren e tij nga radhët e demokratëve, Kamala Harris, ka shpenzuar muaj të tërë duke u përçuar mbështetësve të tij mesazhe të tilla, të cilat i bëjnë ata të besojnë, se e vetmja mënyrë që ai mund të humbë është përmes manipulimit të rezultateve. “Nëse humbas – dua t’ju them, është e mundur. Sepse ata manipulojnë. Kjo është mënyra e vetme që ne të humbasim, sepse ata manipulojnë”, tha ai në një tubim në shtator. Ai ka refuzuar ta thotë, disa herë, se do ta pranojë pa mëdyshje rezultatin e zgjedhjeve, duke shkuar aq larg sa ka thënë se do ta bëjë atë vetëm nëse “janë të drejta, ligjore dhe të mira”.
Pasi i ka shpëtuar çdo përgjegjësie për sulmin në Kapitol më 6 janar të vitit 2021, ai ka përkrahur ata që sulmuan dhunshëm Qeverinë amerikane, në shenjë proteste për rezultatet e zgjedhjeve të 2020-ës. Madje, 6 janarin e ka quajtur “ditë të dashurisë”. JD Vance, kandidati për zëvendëspresident nga radhët e republikanëve, me raste ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë. Senatori i Ohios ka thënë se nuk do ta kishte certifikuar garën e vitit 2020. Gjatë debatit të zëvendëspresidentit në fillim të tetorit, ai refuzoi të thoshte se Trump humbi zgjedhjet e 2020-ës. Ai më vonë tha, edhe më bindshëm, se nuk besonte se Trumpi humbi garën katër vjet më parë. Por këtë vit, përpjekjet e “biletës” së Trumpit për t’i mohuar paraprakisht rezultatet në rast të humbjes së zgjedhjeve shkojnë përtej retorikës. Këto përpjekje tanimë mbështeten nga tërë partia dhe nga një aparat ligjor shumë i organizuar dhe masiv. “Përpjekja për t’i përmbysur rezultatet është më e menduar, më strategjike, më e organizuar, më e koordinuar se në vitin 2020”, tha Sean Morales-Doyle, drejtor i programit të të drejtave të votës në Qendrën Brennan për Drejtësi.
Republikanët janë të gatshëm t’i mbështesin përpjekjet e Trumpit. Pothuajse një në pesë votues republikanë besojnë se Trumpi duhet t’i shpallë rezultatet e zgjedhjeve të pavlefshme nëse ai humb, sipas një sondazhi të fundit. 12% e demokratëve thanë se Kamala Harris, e cila është zotuar t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve, duhet ta bëjë të njëjtën gjë.
Dhjetëra njerëz që kanë kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale janë punonjës në zyrat lokale, ku edhe kanë pushtet mbi certifikimin e totalit të votave. Të udhëhequr nga Cleta Mitchell, aleate e Trumpit, e cila ndihmoi në përpjekjet e tij për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve katër vjet më parë, republikanët kanë organizuar një operacion masiv për ta monitoruar procesin e votimit, për t’i sfiduar votuesit dhe për të punuar në qendrat e votimit. Të paktën 35 zyrtarë që kanë refuzuar të certifikojnë zgjedhjet e vitit 2020, tani, këtë vjeshtë, do të kenë rol në certifikimin e votave, sipas një raporti nga Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington, një grup mbikëqyrës. Komiteti Kombëtar Republikan ka shpenzuar muaj të tërë duke ngritur padi joserioze që përmbajnë akuza të rreme për mashtrim. Ekspertët ligjorë thonë se republikanët nuk kanë asnjë shans për t’i fituar ato beteja ligjore përpara zgjedhjeve – shumë prej tyre tashmë janë hedhur poshtë nga gjykata – por në vend të kësaj ata kanë gjeneruar tituj në medie, për të krijuar përshtypjen se diçka nuk shkon me listat e votuesve.
Ekipi i Harrisit, avokatët për të drejtat e votës dhe grupet e të drejtave civile po përgatiten të gjithë, për mundësinë e një periudhe kaotike paszgjedhore që mund të përfshijë përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve. Ndonëse ekzistojnë dyshimet se Trumpi do të përpiqet të kundërshtojë humbjen e mundshme në zgjedhje, ekspertë të tjerë janë gjithashtu pothuajse të sigurt se ai nuk do të ketë sukses. Gjyqtarët hodhën poshtë pothuajse çdo padi të paraqitur nga Trumpi për të provuar dhe përmbysur rezultatet e zgjedhjeve – 61 në total – dhe ekspertët presin që ata ta bëjnë këtë përsëri. Muaji pas ditës së zgjedhjeve mund të jetë kaotik dhe konfuz, por avokatë dhe zyrtarë zgjedhorë kanë besim se fituesi i ligjshëm i zgjedhjeve, përfundimisht, do të certifikohet.
AKUZAT PËR MANIPULIM VOTASH
Përpjekja e Trumpit për t’i kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, ka të ngjarë të fillojë që në natën e zgjedhjeve, ndërkohë që votat numërohen. Ashtu si në vitin 2020, mund të ndodhë që fituesi të mos shpallet atë natë, dhe madje të duhen orë e ditë për të numëruar votat në shtetet kryesore. Sa më e ngushtë të jetë gara dhe rezultatet – dhe mund të jetë e tillë këtë vit – aq më shumë kohë do t’iu duhet edhe medieve që ta shpallin fituesin, gjë që mund ta shtojë pasigurinë. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë vonesë. Por Trumpi po planifikon të deklarojë se votat kundër tij janë të manipuluara dhe se numërimi i ngadaltë është dëshmi se diçka nuk shkon, raportoi “Rolling Stone” në tetor.
Kjo deklaratë për manipulim votash, mund të shoqërohet edhe me padi që pretendojnë parregullsi të ndryshme me procesin e votimit, të mbështetura nga deklaratat e njerëzve që thonë se panë diçka të pazakontë në qendrat e votimit ose kur zyrtarët po numëronin votat. Ndonëse këto pretendime do të kundërshtohen, ato ka të ngjarë të nxisin narrativën se diçka e gabuar ka ndodhur edhe në vitin 2020. Gjatë muajve të fundit, Komiteti Kombëtar Republikan, ka ngritur padi në shtete tejet vendimtare, me pretendimet se në listat e votuesve ka njerëz të vdekur, joshtetas amerikanë dhe njerëz të tjerë të papërshtatshëm, dhe kanë kërkuar nga gjykatat që t’i heqin ata. Shumë prej padive veçse janë hedhur poshtë. Grupi mbikëqyrës “Protect Democracy”, i quan këto padi si “padi zombi” dhe parashikon që Trumpi dhe aleatët mund të përpiqen t’i ringjallin ato pas ditës së zgjedhjeve, për t’i sfiduar rezultatet.
Pas paraqitjes së këtyre padive, Trumpi ka të ngjarë të përpiqet në çdo formë për të mos certifikuar rezultatet në nivel lokal. Bordet lokale – shpesh me punonjës që janë besnikë të partive – janë përgjegjës për ndërmarrjen e kësaj detyre dhe në përgjithësi nuk kanë diskrecion për të mos i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Por që nga viti 2020, republikanët e lidhur me Trumpin, kanë përkrahur idenë se zyrtarët mund të refuzojnë t’i certifikojnë rezultatet, diçka që ekspertët e votimit thonë se është e jashtëligjshme. Në të gjithë vendin këtë vit, zyrtarët në bordet lokale të zgjedhjeve kanë refuzuar t’i certifikojnë zgjedhjet paraprake, duke përmendur shqetësime të paqarta për mashtrim dhe manipulim votash. Asnjë nga këto përpjekje nuk ka qenë e suksesshme, dhe të gjitha bordet janë detyruar të certifikojnë rezultatet në fund. Trump dhe republikanët mund të përpiqen të ngjiten në skenë edhe me një sfidë përfundimtare, ajo kur Kongresi certifikon votimin e Kolegjit Zgjedhor, më 6 janar 2025. Por ata do të gjenin pengesa shtesë atje. Në dhjetor të 2022-tës, Kongresi miratoi një projektligj dypartiak, Aktin Zgjedhor të Reformës së Numërimit, që e bëri më të vështirë ndërhyrjen në certifikimin e votave elektorale. Ndër të tjera, e bëri më të vështirë për anëtarët e Kongresit kundërshtimin ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
NARRATIVA E MASHTRIMIT
Në vitin 2020, Trumpi vuri theksin në votimin masiv me postë, të nxitur nga pandemia, për të krijuar një narrativë mashtrimi dhe për të pretenduar se votat ishin vjedhur. Në vitin 2024, Trump e ka zhvendosur fokusin e tij në diçka tjetër: votimi i joshtetasve amerikanë. Disa studime kanë treguar se votimi i joshtetasve amerikanë është tepër i rrallë. Dhe tashmë është madje e jashtëligjshme që joshtetasit amerikanë të votojnë në zgjedhjet federale. Në fillim të këtij viti, republikanët miratuan një projektligj që kërkon prova të shtetësisë për të votuar dhe që shpall të jashtëligjshëm votimin e joshtetasve amerikanë. Kjo ka hapur rrugën për të përmbysur narrativën e rreme se demokratët po lejojnë joshtetasit amerikanë që të kalojnë kufirin, të votojnë dhe të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet tona janë të këqija”, tha Trump gjatë debatit të 10 shtatorit me Kamala Harrisin. “Dhe shumë prej këtyre imigrantëve të paligjshëm që vijnë, (demokratët) po përpiqen t’i detyrojnë që të votojnë. Ata nuk mund të flasin as anglisht. Ata as nuk e dinë se në cilin vend janë praktikisht. Dhe këta njerëz po përpiqen t’i bëjnë ata që të votojnë. Dhe kjo është arsyeja pse ata po i lejojnë ata të vijnë në vendin tonë”.
Republikanë të tjerë të lartë kanë ndjekur shembullin e Trumpit dhe i kanë përforcuar këto pretendime të rreme. Zyrtarët republikanë të zgjedhjeve janë përpjekur të gjithë që të mbështesin Trumpin duke lëshuar deklarata që pretendojnë se kanë gjetur mijëra joshtetas amerikanë në lista të votimit. Shumë nga këto deklarata janë bazuar në metodologji mashtrimi dhe hetimet e mëtejshme kanë treguar se shumë prej atyre që janë përmendur si joshtetas kanë qenë votues me të drejtë vote. Elon Musk, pronari miliarder i rrjetit social “X” dhe mbështetës i madh i Trumpit, ka ndihmuar ndjeshëm në shpërndarjen e këtyre gënjeshtrave se demokratët duan që joshtetasit amerikanë të votojnë, duke postuar në lidhje me këtë çështje të paktën 52 herë dhe duke grumbulluar 700 milionë shikime, sipas një analize nga “Washington Post”. Nëse Trumpi konteston zgjedhjet, gënjeshtra për votim nga joshtetasit amerikanë, ka të ngjarë të jetë në qendër të përpjekjeve të tij.