Shkup, 31 janar – Gjashtëmbëdhjetë punonjës me kontratë në vepër nuk do të jenë as në muajin shkurt pjesë e Agjencisë për zbatimin e përdorimit të gjuhëve, e njohur ndryshe si Agjencia për gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Që në janar – 16 punonjës me kontratë në vepër, pjesa më e madhe përkthyes dhe lektorë, janë larguar nga puna me arsyetim se Ministria e Financave nuk ka dhënë leje për vazhdimin e kontratave.
“Në shtëpi kanë shkuar punonjës të cilët për më shumë se një vit kanë punuar në Agjenci. Një pjesë janë larguar që në dhjetor, të tjerët në janar. As për shkurtin nuk ka asnjë informatë, ndërsa edhe këtë muaj tashmë nuk kemi shpresa sepse veçmë nesër nis muaji. Është e pandershme që, për më shumë se një vit të punojmë edhe punë që nuk na takojnë, e pastaj të na thonë: ‘Na falni, Financat nuk dhanë leje'”, thotë një i larguar nga Agjencia për zbatimin e gjuhëve.
Në ndërkohë, punëtorë me kontrata janë larguar që në dhjetor edhe nga Inspektorati për zbatimin e gjuhëve. Madje, këtij Inspektorati i është ulur dukshëm Buxheti për këtë vit, edhe pse nevojat për punësime janë shumë të mëdha, sidomos tani kur institucionet e shtetit qëllimshëm cenojnë përdorimin e gjuhës shqipe konform Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Gazeta KOHA merr vesh se në Inspektorat kanë mbetur vetm dy-tre punonjës me kontrata, ndërsa për të tjerët nuk ka asnjë lajm nëse së shpejti do të rikthehen në vendet e punës. (koha.mk)