Pasi vendosi t’i besojë stolin ish-trajnerit të Veronës, Marco Baroni, klubi i Lazios ka nisur edhe bastisjen ndaj veronezëve, duke u rrëmbyer sulmuesin e talentuar holandez Tijjani Noslin.
Ky i fundit iu bashkua Veronës në janar të këtij viti nga holandezët e Fortuna Sittard dhe në 17 ndeshje në Serinë A, ia doli të shënojë 5 gola, duke treguar cilësi mjaft të mira në fushën e lojës.
Zyrtarizimin e transferimit e ka bërë vetë klubi i Lazios në rrjetet sociale, ku njofton se ka blerë plotësisht kartonin e Noslin, i cili pritet të firmosë për katër sezone me kryeqytetasit.
Në pritje të daljes së detajeve zyrtare, besohet se Lazio ka paguar rreth 6 milionë euro në arkat e Veronës për të marrë sulmuesin holandez, që tashmë do të duhet të tregojë cilësitë e tij në një tjetër pjacë, aty ku luftohet për zonën europiane të renditjes.