Të gjitha tekstet shkollore do të mbeten pa pagesë për nxënësit, me detyrimin për t’u kujdesur për gjendjen e tyre dhe për t’i kthyer ato në fund të vitit shkollor në shkollë
Anëmsha SHABANI
Shkup, 29 janar – Në sistemin arsimor të vendit tonë ka kaluar një periudhë e gjatë, prej pesë vitesh, pa tekste shkollore për lëndët e huaja në arsimin fillor. Kjo ka krijuar vështirësi për nxënësit dhe mësuesit, të cilët kanë pasur nevojë për mbështetje shtesë për të realizuar mësimin në mënyrë efikase. Mirëpo, tashmë ka nisur një proces i ri për sigurimin e këtyre materialeve, duke shpresuar që vitin shkollor 2025-2026, nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësi të punojnë me tekste të reja dhe të miratuara nga autoritetet përkatëse.
Në kuadër të këtij procesi, është shpallur një thirrje publike për prodhuesit e teksteve shkollore, e cila u mundëson atyre të aplikojnë për miratimin e teksteve për mësim në gjuhët e huaja. Sipas Ligjit të ri për tekstet shkollore, thirrja është e hapur për botuesit e huaj, përmes përfaqësuesve të brendshëm, dhe përfshin tekstet për gjuhët angleze, franceze, gjermane, italiane dhe ruse nga klasa e parë deri në të nëntën. Afati për aplikim është deri më 28 mars 2025. Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), nga shtatori i këtij vitit, te nxënësit dhe arsimtarët nuk do të ekzistoj më ky problem shumëvjeçarë.
“Procedura për furnizimin e të gjithë librave për gjuhët e huaja do të përfundojë në tërësi para fillimit të vitit shkollor. Nxënësit, një shtatorin do ta fillojnë pa halle se a do të kenë ndihmesa themelore për të përvetësuar materien mësimore, ndërsa mësimdhënësit pa detyrime vetë të gjejnë materiale dhe burime të informacioneve”, thonë nga MASH.
Përveç kësaj, është shpallur gjithashtu një konkurs për hartimin e teksteve të reja për klasën e shtatë, duke përfshirë lëndët e reja si Biologji, Kimia, Fizika, Gjeografia, Edukimi qytetar dhe Gjuha Shqipe si lëndë zgjedhore, si dhe për lëndën zgjedhore “Gjuha dhe kultura e turqve” për klasat e gjashta deri në të nëntën. Afati i aplikimit është deri më 31 mars 2025. MASH-i dhe Shërbimi Pedagogjik i bëjnë thirrje botuesve të tregojnë interes dhe të aplikojnë për thirrjet publike, pasi konkurrenca është e një rëndësie të madhe për sigurimin e materialeve mësimore cilësore, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e një procesi mësimor pa pengesa.
Ndër të tjera, të gjitha tekstet shkollore do të mbeten pa pagesë për nxënësit, me detyrimin për t’u kujdesur për gjendjen e tyre dhe për t’i kthyer ato në fund të vitit shkollor në shkollë. (koha.mk)