E martë, 13 Maj, 2025
17.1 C
Skopje

Liga e Parë: Java e 31-të hapet sot me duelin Vardari – Struga

Java e 31-të e kampionatit mund të jetë vendimtare për fatin e titullit kampion, ku Shkëndija ka mundësinë ta sigurojë matematikisht trofeun me një fitore ndaj Rabotniçkit. Në anën tjetër, gara për mbijetesë është përqendruar mes Brerës dhe Besës që ndajnë të njëjtin fat pikësh.

Java e 31-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut starton sot me përballjen ndërmjet Vardarit dhe Strugës, ndërsa tre ndeshjet e tjera luhen të mërkurën me fillim nga ora 17:00, ku në qendër të vëmendjes është dueli në Tetovë mes Shkëndijës dhe Rabotniçkit.

Skuadra kuqezi ka shansin e artë për të siguruar titullin kampion dy javë para fundit, por përballë do të ketë një ekip që tani ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Edhe pse ndeshja zhvillohet në Tetovë, Shkëndija do ta luajë atë pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit nga federata, çka e bën sfidën pak sa më të vështirë psikologjikisht.

Ndërkohë në Strumicë, FC Shkupi do të përballet me AP Breran. Skuadra nga Çairi tashmë e ka siguruar mbijetesën dhe do të luajë pa presion, por për Breran kjo është një ndeshje jetike në luftën për të ruajtur vendin që çon në balotazh. Në një tjetër duel të rëndësishëm për fatin e sezonit, Tikveshi pret Besën nga Dobërdolli. Tikveshi është i sigurt për qëndrimin në elitë, ndërsa Besa kërkon me çdo kusht pikët për të mos rënë nga liga – apo të paktën për të qëndruar në garën për vendin e balotazhit.

Me epilogun e sezonit që po afrohet, java e 31-të pritet të sjellë emocion dhe vendime të mëdha. Sytë janë kah Tetova, ku Shkëndija mund ta mbyllë garën për titullin, ndërsa poshtë në tabelë lufta për mbijetesë vazhdon mes Besës dhe Brerës.

Vlen të rikujtojmë se nga gara tashmë janë larguar dy skuadrat shqiptare, Voska Sport dhe Gostivari, duke ndikuar dukshëm në dinamikën e këtij sezoni.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm