Shkup, 23 shkurt – Sot zhvillohen takimet e javës së 20 në elitën e futbollit vendor. Skuadra e FC Shkupi është në një moment të shkëlqyer, me tre fitore radhazi, dhe këtë e dëshmon edhe atmosfera brenda ekipit. Përpara përballjes së radhës kundër Brera Strumicës, trajneri Alparslan Erdem ka shprehur besim të madh te skuadra, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ritmit fitues.
“Energjia jonë është shumë e mirë, gjithçka funksionon si duhet. Nuk kemi lojtarë të lënduar dhe të gjithë janë gati për ndeshjen. Synimi ynë është i qartë, të marrim tre pikët dhe të bëjmë tifozët tanë të lumtur,” ka thënë Erdem.
Tekniku turk vlerësoi ndikimin e përgatitjeve në Antalia, duke theksuar se ekipi po ecën hap pas hapi dhe po shikon çdo ndeshje me seriozitet maksimal. Përballja mes Brera Strumicës dhe FC Shkupit luhet të dielën në Strumicë, ku Shkupi do të kërkojë të vazhdojë ecurinë pozitive dhe të mbajë lart moralin e ekipit në garën për objektivat sezonalë.
Fitorja në startin e gjysmësezonit pranveror ndaj Vardarit ka rritur edhe më shumë motivimin te Shkëndija, e cila tashmë është e fokusuar te sfida e radhës me Sileksin. Kuqezinjtë janë liderë të kampionatit dhe synojnë të ruajnë kreun përballë një rivali direkt si Sileksi, që vjen në Tetovë me vetëm dy pikë më pak.
Mesfushori Ibrahim Alhassan thekson se skuadra është në një gjendje të shkëlqyer dhe e motivuar për të dhënë maksimumin. “Atmosfera në ekip është fantastike, të gjithë jemi të fokusuar dhe të përkushtuar për të arritur objektivat tona. Jemi të vetëdijshëm që çdo ndeshje është si një finale dhe duhet të luftojmë për të mbetur në krye të tabelës,” deklaroi ai.
Besa e Dobërdollit kërkon të lërë pas humbjen e parë të këtij gjysmësezoni dhe të rikthehet te rezultatet pozitive në sfidën e radhës ndaj Gostivarit. Kapiteni i ekipit, Imran Fetai, beson se skuadra është e motivuar për të përmirësuar lojën dhe për të luftuar për pikët maksimale.
“E vërtetë, rezultatet nuk ishin ato që prisnim, por atmosfera në skuadër mbetet e fortë. Të gjithë janë të përqendruar në përmirësim dhe të bindur se mund ta ndryshojmë situatën. Derbi është gjithmonë një mundësi e shkëlqyer për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Ndeshjet e tilla sjellin një frymë të veçantë dhe mund të jenë kthesë për skuadrën”, theksoi Fetai.
Në takimet tjera Skuadra e Voska Sport do të jetë mysafire e Rabotniçkit dhe Tikveshi pret Pelisterin. Të gjitha përballjet do të nisin në ora 14:00.