Opozitari rus Alexei Navalny mund të jetë vrarë nga një grushtim në zemër, teknikë që dikur mësohej nga operativët e shërbimit sekret rus – KGB. Para kësaj, thuhet se Navalny ka qenë i ekspozuar ndaj motit të ftohtë për disa orë.
“Para vdekjes, Navalny u detyrua të kalonte më shumë se dy orë e gjysmë jashtë, në izolim, ku temperaturat ishin deri -27°C”, ka thënë Osechkin.
Të burgosurit në Arktik zakonisht dalin jashtë jo më shumë se një orë. Shumë prej tyre kalojnë më pak kohë jashtë kur ka kushte ekstreme të motit.
“Mendoj se fillimisht ia shkatërruan trupin duke e mbajtur në të ftohtë për një kohë të gjatë dhe duke ngadalësuar në minimum qarkullimin e gjakut. Dhe pastaj u bë shumë e lehtë ta vrasin për pak sekonda, meqë operativët kanë përvojë në këto gjëra. Kjo është metodë e vjetër e njësive speciale të KGB-së. Ata trajnuan operativët për të vrarë një burrë me një grushtim të vetëm në zemër, në qendër të trupit. Ishte markë e KGB-së”, ka thënë Osechkin.
Osechkin ka thënë se ish-të burgosurit në rajonin e Arktikut, kishin raportuar më parë se disa të burgosur ishin vrarë nga rojet në këtë mënyrë.
Informacionet që autoritetet ruse kanë dhënë deri më tani për vdekjen e Navalnyt kanë qenë të pakta dhe kontradiktore. Rusia e mban ende trupin e tij.
Administrata e burgut të rrethit Yamalo-Nenetsky, ku Navalny kreu dënimin, njoftoi të premten se lideri i opozitës ruse kishte vdekur.
Shërbimi Federal i Burgjeve i Qarkut Autonom Yamalo-Nenets ka thënë se Navalny “u ndie keq” pas ecjes të së premtes dhe “pothuajse menjëherë humbi vetëdijen”. Në njoftimin për media, ata kanë thënë se 47-vjeçari nuk mundi të shpëtonte as pas intervenimit të mjekëve.
Pak më vonë, kanali i kontrolluar nga shteti në Telegram pretendoi se shkaku i vdekjes ishte mpiksja e gjakut.
Të nesërmen, nënës së Navalnyt dhe avokatit të tij iu dorëzua një certifikatë vdekjeje që thoshte se ai vdiq nga “sindroma e vdekjes së papritur”.