E shtunë, 18 Janar, 2025
-0.2 C
Skopje

Lista Serbe takon Kasanof-in, i ankohen për “situatën e vështirë” të serbëve të Kosovës

Një delegacion i Listës Serbe, i kryesuar nga kryetari Zlatan Elek, është takuar të premten në Prishtinë me të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), për Ballkanin Perëndimor, Alekxander Kasanof, të cilit, ashtu edhe siç pritej, i janë ankuar për gjoja “situatën e vështirë” të serbëve të Kosovës

 

Në këtë takim, prezent ka qenë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Njoftim për takim u bë nga Lista Serbe, përmes një komunikate për media, të cilët, sic bëjnë vazhdimisht, akuzuan kryeministrin Albin Kurti për veprime të njëanshme.

“Në takim, përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan pozitën jashtëzakonisht të vështirë të popullit serb në Kosovë për shkak të veprimeve të njëanshme, të përshkallëzuara dhe antiserbe të ndërmarra nga regjimi i Albin Kurtit me qëllim të persekutimit të çdo gjëje serbe”, kanë propaganduar ata.

Delegacioni i Listës Serbe ka propaganduar te top-diplomati amerikan se gjoja serbëve “u mohohen të gjitha të drejtat dhe se qëllimi është që praktikisht të ndalet jeta, dhe se regjimi në Prishtinë po shkel edhe rregullat e veta vetëm për të dëmtuar serbët”.

“Kështu vjedhin pronat, arrestojnë dhe ndalojnë serbët e pafajshëm me muaj të tërë, rrahin fëmijët serbë, ndalojnë punën e institucioneve nga të cilat varet mbijetesa e popullit serb. Dhe e gjithë kjo para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e partisë që dirigjohet nga Serbia.

Delegacioni i partisë që kontrollohet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kërkuar që SHBA të përfshihen më aktivisht dhe “të mbrojnë të drejtat e popullit serb dhe të insistojnë në respektimin e marrëveshjes nga Brukseli, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin serbët e presin që 11 vjet”.

Ndryshe, Kasanof është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Kosovës që nga e ënjta. Ai ka takuar krerët e shtetit, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, por edhe liderët e opozitës e pjesëtarë të shoqërisë civile. (AP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm