Pas reagimit të BDI-së, LSDM kërkon nga lideri i partisë, Ali Ahmeti që përfundimisht të dalë nga filmi nacionalist. Sipas partisë më të madhe opozitare, retorika e Ahmetit për nxitjen e vazhdueshme të tensioneve etnike si mjet për veprim politik është e papranueshme dhe e rrezikshme për vendin.
“Për LSDM-në janë të papranueshme provokimet e qëllimshme etnike të BDI-së, të cilat janë shndërruar në strategji unike të partisë. BDI nuk duhet të harrojë se shqiptarët në këtë vend duan paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Kur BDI-ja e akuzon LSDM-në për albanofobinë, nuk duhet harruar se në Bordin Ekzekutiv të LSDM-së ka shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votojnë për partinë tonë, thonë nga LSDM.
Ata theksojnë se me veprimet e tyre “Ahmeti dhe BDI i mundësojnë VMRO-DPMNE-së të nxisë edhe më shumë situatën ndëretnike në vend dhe të përfitojë politikisht”.
Indirekt, BDI është ajo që me sjelljen e saj krijon shqiptarofobinë, sipas LSDM-së.
Më herët, BDI-ja përmes një komunikate ka akuzuar LSDM-në se po përdor politikat e VMRO-DPMNE-së për të mbijetuar në skenën politike. Partia thotë se LSDM-ja “në vend që të përballet me krizën e vet dhe të marrë përgjegjësinë për dështimin e tyre, shpëtimin e kërkon duke i ushqyer maqedonasit me armikun e rremë “shqiptarët”.
Në realitet, shtoi BDI, shqiptarët nuk ishin dhe nuk janë kërcënim ekzistencial për maqedonasit.
“Kërcënimi i tyre i vërtetë janë ata që mohojnë kishën e tyre, gjuhën e tyre, identitetin e tyre. Ata që duan ta mbajnë Maqedoninë të dobët, të izoluar dhe të ndarë janë ata që injektojnë këtë psikologji frike. Albanofobia nuk është ndjenjë spontane e maqedonasve – është një projekt politik, i inkurajuar dhe i financuar nga interesa të huaja për ta mbajtur Maqedoninë peng të konflikteve dhe pasigurisë”, thanë ndër të tjera nga partia e Ali Ahmetit.