Pas publikimit të raportit vjetor për lirinë e mediave nga ana e Reporterëve pa Kufij LSDM ka reaguar duke theksuar se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, mediat janë në shënjestër të trysnive. Sipas LSDM-së opozitare, ky është një tregues alarmant për rrugën e gabuar nga shkon shteti.
“Në vend të punojnë për avancimin e standardeve, Qeveria e udhëhequr nga DPMNE kthehet në metodat e vjetra të kontrollit, trysnisë dhe frikës. Gjithmonë kur VMRO-DPMNE është në pushtet, liria e mediave ngufatet, gazetarët vendosen nën trysni, ndërsa hapësira mediatike mbyllet. Kjo tendencë sërish konfirmohet”, thonë nga LSDM.
Ndaj raportit, ka reaguar edhe BDI-ja opozitare, e cila vlerëson se i njëjti përbën tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
“Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik”, thonë nga BDI.
Sipas raportit vjetor të Reporterëve pa Kufij në lidhje me lirinë e mediave, Maqedonia e Veriut prej vendit të 36, është radhitur në vendin e 42 nga gjithsej 180.