E shtunë, 14 Shtator, 2024
22.8 C
Skopje

Lufta e vazhdueshme thellon ndasitë në shoqërinë ukrainase

Iryna ka qenë një prej dhjetëra personave të mbledhur afër një nyje trafiku për të ngrënë ushqim.

Kjo 70-vjeçare ka punuar dikur si gazetare, mirëpo me pensionin modest që ka tani, dhe pa ndihmë prej ndonjë familjari, ajo detyrohet të kërkojë rregullisht ushqim në një qendër të bamirësisë.

Shumë prej personave që përbëjnë radhën për të marrë pak bukë të bardhë me një salcë mishi dhe nga një mollë, janë të moshuar, të zhvendosur, apo të dëbuar, ka thënë Zhanna Tsvir, vullnetare në qendrën religjioze të bamirësisë, Sant’Egidio, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Këta janë persona që nuk kanë pasur fat”, ka thënë ajo.

Vlerësohet që rreth 7.3 milionë ukrainas përballen me pasiguri të mëdha, përfshirë 1.2 milion fëmijë dhe rreth 2 milionë të moshuar, sipas një analize të Kombeve të Bashkuara.

Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, është përqendruar pjesa më e madhe e njerëzve që kanë pasiguri në ushqim, mirëpo një pjesë e mirë janë edhe afër vijës së frontit, pasi atje njerëzit po përballet me mungesa të mëdha të ushqimit, kanë thënë menaxherët e qendrës së bamirësisë.

Lufta nuk preku njëjtë të gjithë sektorët

Këto shifra janë në kundërshtim me zhurmën e qendrës së qytetit të Kievit, për shkak të restoranteve luksoze, makinave të shtrenjta dhe dyqaneve të markave botërore.

Ekonomia ukrainase ka treguar shenja të rimëkëmbjes pas recesionit të thellë që ka përjetuar me nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.

Pas një rënieje prej 30 për qind më 2022, shifra e Bruto-Prodhimit të Brendshëm (GDP) në Ukrainë është rritur për 5.7 për qind më 2023, dhe pritet të arrijë në 3.5 për qind këtë vit.

Pas rritjes në mbi 26 për qind më 2023, inflacioni është zvogëluar në rreth 4-5 për qind në baza vjetore.

Thellim i dallimeve

Pjesët në lindje dhe jug të Ukrainës kanë qenë epiqendër e krizës humanitare, mirëpo lufta ka prekur gjithë shoqërinë ukrainase, ka thënë Brik për Radion Evropa e Lirë.

Këta shembuj tregojnë se ekzistojnë dallime të ndryshme në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë luftën, ka thënë Olena Simonchuk, sociologe në Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës.

Në kërkimet që ka kryer Simonchuk, ka dalë se klasa punëtore është prekur më së shumti nga humbja e vendeve të punës, për shkak të shkatërrimit të fabrikave.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta të qasshme, pjesëtarë të këtij grupi shoqëror kanë më shumë mundësi për t’u thirrur në luftë.

Klasa punëtore ka vuajtur edhe për shkak të emigrimit të grave të afta për punë – rreth 6 milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në Evropë, 90 për qind e tyre janë gra dhe  fëmijë – ndonëse një pjesë e tyre ka arritur të kryejë punën edhe nga distanca. (REL)

Artikuj të ngjajshëm