E shtunë, 7 Shtator, 2024
27.8 C
Skopje

Luftë me zjarret dhe luftë me piromanët!

Nga 46 zjarre në ambient të hapur, 37 janë shuar, dy janë ende aktiv dhe shtatë janë nën kontroll. Zjarret janë aktive në Makedonski Brod, në fshatrat Tazhevë dhe Breznicë, dhe në Batincë të Studeniçanit. Ndërkohë, disa të arrestuar janë regjistruar e të cilët janë kapur me bidonë me benzinë

Besa IBRAIMI

Shkup, 11 gusht – Numri i ankesave kundër zjarrvënësve në vend po rritet, kjo pasi dronët e policisë që kanë vëzhguar zonat e djegura prej disa ditësh zbuluan tentativa për prerje të paligjshme të druve, pikërisht në malin Serta ku ndalimi i lëvizjes në pyll është ende aktiv. Siç njoftojnë nga MPB, bëhet fjalë për dy persona nga fshati Sellcë, të cilët janë kapur në vendin ku shpërtheu zjarri. Atyre iu është marrë një traktor me një rimorkio, dy sharra elektrike dhe dru të prerë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tyre, janë gjetur dhe konfiskuar letra dhe autorizime për prerje të druve, të lëshuara nga NP “Pyjet Kombëtare”, fotokopje të letërnjoftimeve për të cilat janë dorëzuar kërkesa për marrjen e autorizimeve për prerje, një pushkë ajrore, dy bidonë me benzinë dhe sende të tjera që lidhen me krimin.

“Pas dokumentimit të plotë të rastit, SPB Shtip do të bëjë kallëzim penal nga neni 235 paragrafi 3 i Kodit Penal. MPB vijon me aktivitete intensive për zbulimin dhe sanksionimin e krimeve të tjera që kanë të bëjnë me prerjen e paligjshme si dhe për zbulimin dhe sanksionimin e personave që shkaktojnë zjarre në zonat pyjore”, thonë nga MPB.

Paraprakisht, nga MPB informuan se një 57-vjeçar është arrestuar për shkak të zjarreve në pyje në rrethinën e Makedonski Brodit, ka shkaktuar zjarre në ambiente të hapura, që më pas janë përhapur dhe ka përfshirë një sipërfaqe më të madhe ku është djegur bar, dru dhe bimë të shumta. Tek ai janë gjetur objekte që mund të shkaktojnë zjarr, kurse gjatë intervistës zyrtare – ai i ka pranuar veprat. Gjatë ditëve të kaluara policia informoi se disa persona të dyshuar si shkaktarë të zjarreve në pyje janë gjetur dhe arrestuar në Çashkë, Prilep, Radovish, Sveti Nikollë. Sipas QMK-së, nga 46 zjarre në ambient të hapur, 37 janë shuar, dy janë ende aktiv dhe shtatë janë vënë nën kontroll. Zjarret janë aktive në Makedonski Brod, në fshatrat Tazhevë dhe Breznicë, në Komunën e Studeniçanit – në fshatin Batincë afër vendit të quajtur Dreshnicë.

BURG PËR BABAIN ME DY DJEM QË SHKAKTONIN ZJARRE

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup ka iniciuar procedurë kundër tre personave – babait dhe dy djemve të tij, për të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” nga neni 288 paragrafi 1 të Kodit Penal, ndërsa Gjykata Themelore Penale Shkup të tre të dyshuarve u ka caktuar masë arresti prej 8 ditëve. Siç bën me dije PTHP, tre bashkëkryerësit, me qëllim që të shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për jetën dhe trupat e njerëzve apo për pronat në përmasa të mëdha, kanë shkaktuar zjarr më 9 gusht, duke derdhur lëng të ndezshëm në tokë pyjore pranë një rruge lokale në vendin e quajtur Dupki, afër Patishka Rekës. Meqenëse vepra penale po ndiqet në procedurë të shkurtuar, thuhet në kumtesë, me propozim të prokurorit publik, Gjykata Themelore Penale Shkup, tre të dyshuarve u ka caktuar masë arresti prej 8 ditëve. (koha.mk)

Artikuj të ngjajshëm