Një studim i ri ka zbuluar se macet mund të dallojnë aromën e pronarit të tyre nga ajo e një të huaji. Sipas studimit të kryer në Universitetin Bujqësor të Tokios, macet kalonin më shumë kohë duke nuhatur tamponët që përmbanin aromën e të huajve sesa atë të pronarëve të tyre. Kjo do të thotë se macet mund të dallojnë njerëzit e njohur dhe ata të panjohur vetëm nga aroma e tyre. Megjithatë, shkencëtarët thonë se nuk është e qartë nëse shqisa e nuhatjes së maces është aq e zhvilluar sa të identifikojë njerëz të caktuar.
Dihej që macet përdorin shqisën e nuhatjes për të dalluar macet e tjera, por ende nuk ishte zbuluar se ato e bënin këtë edhe për të dalluar njerëzit. Studimet e mëparshme kanë treguar se ato janë në gjendje të dallojnë zërat, të interpretojnë shikimin e dikujt, madje të ndryshojnë sjelljen e tyre sipas gjendjes emocionale të personit.
Në studimin e publikuar këtë të mërkurë, studiuesit u paraqitën 30 maceve tamponë që përmbanin ose një shtupë me aromën e pronarit të tyre, një shtupë me aromën e një personi të të njëjtit seks me pronarin, të cilin nuk e kishin takuar kurrë, ose një shtupë të pastër. Tamponët që përmbanin aroma ishin fërkuar nën sqetull, pas veshit dhe midis gishtërinjve të këmbëve të pronarit ose të të huajit. Macet kaluan dukshëm më shumë kohë duke nuhatur aromat e njerëzve të panjohur, krahasuar me ato të pronarit të tyre ose tubin bosh, duke sugjeruar se ato mund të dallojnë aromat e njerëzve të njohur dhe të panjohur.