E shtunë, 17 Maj, 2025
11.9 C
Skopje

Macron në Tiranë, Elysee: Fokusi i Samitit të Berlinit tek tensionet Kosovë dhe Serbi

Elysee ka konfirmuar se presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vizitojë Shqipërinë më datat 16 dhe 17 tetor në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.

Kjo shënon vizitën e parë bilaterale e një presidenti francez në vend.

Lajmi u dha paraprakisht një ditë më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Samiti i ashtuquajtur “Procesi i Berlinit”, i nisur në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, synon të promovojë dialogun politik, bashkëpunimin dhe pajtimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Tiranë, ai do të fokusohet veçanërisht në tensionet midis Serbisë dhe Kosovës, skenën e 24 shtatorit të përleshjeve të dhunshme mes policisë dhe një komandoje paraushtarake të armatosur rëndë të përbërë nga serbët e Kosovës.

Bashkëpunimi ekonomik

Emmanuel Macron takoi të enjten në margjinat e një samiti evropian në Granada (Spanjë) presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai u bëri thirrje atyre që të “vazhdojnë de-përshkallëzimin dhe organizimin e shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës”, një zonë me shumicë serbe e tronditur rregullisht nga tensionet.

Përveç vendeve të rajonit, në “procesin e Berlinit” janë përfshirë edhe nëntë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Sllovenia dhe Polonia) si dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në fund të samitit, Kreu i Shtetit do të nisë një vizitë dypalëshe duke vënë në pah “dinamikën shumë pozitive të marrëdhënieve franko-shqiptare”.

Do të jetë një çështje e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në aspektin e tranzicionit energjetik, por edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm