Kriteret e qeverisjes dhe korrupsioni e rendisin Maqedoninë e Veriut të 67 në botë, “fqinje” me Mongolinë dhe Indonezinë, si dhe të 6 mes 15 vendeve të rajonit. Më mirë se sa Shqipëria dhe Serbia, por shumë më poshtë sesa Kosova. Sipas Indeksit të realizuar nga World Justice të dhënat që datojnë që nga viti 2015 tregojnë përkeqësim të performacave nga viti në vit
Evis HALILI
Shkup, 27 tetor – Shkalla e sundimit të ligjit vijon të ndjekë trajektoren në rënie. Rezultatet e Indeksit të realizuar nga Projekti i Drejtësisë Botërore (WJP) bazuar në sondazhin e kryer në 142 vende në botë, ku Maqedonia renditet në pozicionin e 67, si edhe në vendin e 6 mes 15 shteteve të rajonit. Nëse krahasimi do të bëhej me vitin 2015, performancat kanë qenë më të mira (në vendin e 46 mes 102 vendeve dhe në vendin e 3-të në rajon). Ky indeks rregullon sundimin e ligjit nëpërmjet tetë faktorëve – kufizimin e pushtetit të qeverisë, mungesën e korrupsionit, qeverinë transparente, të drejtat themelore, rendin dhe sigurinë, zbatimin e rregulloreve, të drejtën civile dhe të drejtën penale. Niveli i lartë i korrupsionit, ndëshkueshmëria ndaj krimit, zbatimi i ligjit…, e rendisin vendin në kontinent tjetër, më keq se Mongolia dhe më mirë se Indonezia. Sa u takon rajonit vendi renditet i 6-ti, ose tre vende më poshtë se fqinji, Kosova. Maqedonia e Veriut ndiqet nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Shqipëria dhe Serbia kanë rezultatet më të këqija (në vendin e 10 dhe 11 në rajon, si edhe 89 dhe 94 në botë). Dallimin në rajon e bëjnë Kosova dhe Mali i Zi të pozicionuara shumë më lart sesa vendet e tjera.
Duke iu referuar tetë zërave të veçantë, vendi renditet i 94 tek – Kufizimet në kompetencat e qeverisë, “Mungesë korrupsioni” e 71 (pas Tajlandës dhe para Argjentinës), e 65 tek Qeveria e hapur që mat transparencën (pas Ekuadorit dhe Sri Lankës), e 96 në botë tek Zbatimi i rregullatorëve ligjore (pas Tanzanisë), dhe e 73 tek Drejtësia penale (një vend poshtë Kinës), si edhe Drejtësia civile (vendi 71). Vetëm në dy faktorë ka performanca më pozitive, në vendin e 53 – Të drejtat fundamentale, si Rendi dhe siguria. Në total sundimi i ligjit në botë ka pësuar rënie (57 për qind).
Tetë faktorët që përcaktojnë shkallën e sundimit të ligjit janë pushtetarët i binden ligjit, faktor që mbulon asetet kushtetuese dhe institucionale që lidhin ligjërisht Qeverinë dhe zyrtarët e saj. Faktori i dytë mat mungesën e korrupsionit në qeveri, ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve shtetërore ose burimeve të tjera. Faktori i tretë mat transparencën e qeverisë. Faktori i katërt, të drejtat themelore, thotë se një sistem i ligjit pozitiv që nuk respekton të drejtat themelore të njeriut sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Faktori i pestë, rendi dhe besueshmëria, mat mënyrën se si shoqëria siguron sigurinë e qytetarëve dhe pronën e tyre. Faktori i gjashtë, zbatimi i rregullores, mat sa dhe si zbatohen dispozitat ligjore dhe administrative. Faktori i shtatë, Drejtësia civile mat mënyrën se si njerëzit e zakonshëm përballen me sistemin e të së drejtës civile. Ndërsa faktori i tetë, Drejtësia penale mat shkallën e zbatueshmërisë të ligjit. (koha.mk)