Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Kërkojmë barazi. Kërkojmë që shteti ynë të mos na përdorë si vegël për statistika, si kukulla, por të na japë atë që me të drejtë na takon: njohje, siguri, dinjitet. Nëse Evropa vërtet ka vesh për drejtësi sociale dhe standarde demokratike, le të shikojë përtej raporteve. Le të dëgjojë zërat tanë. Sepse Evropa nuk ndërtohet me fasada, por me njerëz të lirë, të barabartë dhe të mbrojtur
Nga Delvina KËRLUKU
Në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e madhe e qytetarëve vazhdojnë të punojnë në mënyrë të pasigurt, pa kontratë pune, pa sigurime shëndetësore dhe pensionale, e shpeshherë edhe pa të drejta minimale që garantojnë një jetesë dinjitoze. Punonjës të sektorit privat, të shërbimeve, bujqësisë apo të ndërtimit përballen me një realitet të hidhur: punojnë nga mëngjesi deri në darkë, por zyrtarisht nuk ekzistojnë.
Kjo formë e “punës së zezë” është bërë normë në shumë rajone të vendit. Të rinj e të moshuar, gra dhe burra – shumë prej tyre nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të pranojnë kushte të papranueshme, vetëm për të mbijetuar. Kur mungon kontrata, mungon edhe siguria. Asnjë institucion nuk i mbron. Në rast aksidenti në punë? Askush nuk përgjigjet. Në rast sëmundjeje? Askush nuk e mbulon. Në fund të jetës? As pension nuk ka.
KU ËSHTË SHTETI NË KËTË REALITET TË DHIMBSHËM?
Ku janë inspektoratet e punës, institucionet që duhet të kontrollojnë dhe ndëshkojnë abuzimet? Përse punëdhënësit lejohen të shkelin ligjet me kaq lehtësi, ndërsa qytetari i zakonshëm mbahet peng në një sistem që i mohon të drejtat më themelore? Kjo nuk është vetëm çështje ligjore – është një çështje morale dhe shoqërore. Një shtet që nuk mbron punëtorin është një shtet që rrënon themelet e barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Dhe një shoqëri që hesht përballë kësaj padrejtësie, është një shoqëri që pranon skllavërinë moderne si pjesë të përditshmërisë. Ndryshimi nuk vjen vetvetiu. Duhet presion qytetar, media aktive dhe mbi të gjitha një qeveri që nuk mbyll sytë. Duhet reforma reale në tregun e punës dhe ndëshkime të rënda për ata që shfrytëzojnë nevojën e të tjerëve. Sepse një shtet nuk ndërtohet mbi abuzimin, por mbi drejtësinë sociale.
PUNË PA TË DREJTA, JETË PA SIGURI – KUSH MBRON PUNËTORIN NË MAQEDONI?
Ne jemi dëshmi e kësaj padrejtësie që ndodh përditë, prej vitesh, në heshtje. Dikush ka punuar si ligjërues, si gazetar, si përkthyes, ndihmës – mjek, këshilltar, e tjerë – gjithmonë me kontratë, por pa sigurim. Pa të drejtën e një dite të pushimit të paguar, pa mbështetje shëndetësore, pa përvojë pune të njohur nga sistemi. Ndërkohë, kemi dhënë më shumë se kaq. Kemi fituar çmime shtetërore në publicistikë, shkencë, art, për kulturën, fjalën e shkruar, për punën që nuk i përket vetëm një fushe – por identitetit tonë si shoqëri. Sot kur konkurrojmë për një vend pune, me diplomë fakulteti, magjistraturë, doktoraturë, me dekada përkushtim, na thonë që kemi më pak “përvojë pune” sesa një shërbëtore, vetëm pse ajo ka qenë e siguruar. Ironia është e dhimbshme.
A ËSHTË KJO DREJTËSI? A ËSHTË KJO MERITOKRACI?
Çfarë të bëjmë ne që shteti nuk ka pasur kontroll mbi institucionet e veta? Çfarë të bëjmë ne që nuk kemi lidhje politike, por vetëm dije, përkushtim dhe nder profesional? Çfarë të bëjmë ne që nuk i kemi shërbyer partive, por publikut? Sot, shteti që duhej të na kishte mbrojtur, na ka tradhtuar. Na ka hedhur tej, na ka shfrytëzuar e pastaj na ka harruar. Dhe në këtë sistem të kalbur, gjithçka matet me parti, jo me dokumente e kontribut. Me sigurim të paguar, jo me dije të dhënë. Me servilizëm, jo me dinjitet.
EVROPË, A E KUPTON KUSH ËSHTË MAQEDONIA?
Jo ajo në raportet politike e në fjalimet diplomatike. Jo ajo që vetëm plotëson formulare dhe ndërton fasada të rrejshme për integrime. Por Maqedonia e vërtetë – ajo e qytetarëve të papërfaqësuar, e punëtorëve pa të drejta, e intelektualëve të nënvlerësuar dhe e viktimave të një sistemi që punën dhe njeriun nuk e ka në qendër. Ne nuk kërkojmë lëmoshë. Kërkojmë barazi. Kërkojmë që shteti ynë të mos na përdorë si vegël për statistika, si kukulla, por të na japë atë që me të drejtë na takon: njohje, siguri, dinjitet.
Nëse Evropa vërtet ka vesh për drejtësi sociale dhe standarde demokratike, le të shikojë përtej raporteve. Le të dëgjojë zërat tanë. Sepse Evropa nuk ndërtohet me fasada, por me njerëz të lirë, të barabartë dhe të mbrojtur. (koha.mk)