E premte, 20 Qershor, 2025
25.8 C
Skopje

Maqedonia përballet sot me Kazakistanin

Shkup, 9 qershor – Reprezentacioni i Maqedonisë në futboll do të zhvillojë sot ndeshjen e katërt të kualifikimeve për Kupën e Botës, përballë Kazakistanit në qytetin e Astanës. Ndeshja do të fillojë në orën 16:00, sipas kohës lokale. Pavarësisht mungesës së përzgjedhësit Bllagoja Milevski, i cili është i pezulluar, skuadra është e motivuar për të arritur një tjetër rezultat pozitiv. Ekipi do të drejtohet nga ndihmës-trajnerët Robert Stojanovski dhe Vllatko Grozdanoski.

Maqedonia do të jetë pa lojtarët e lënduar Isnik Alimi dhe Bojan Dimoski, ndërsa pritet të zbresë në fushë me një formacion pothuajse të njëjtë me atë që u përball me Belgjikën, me ndonjë ndryshim të vogël. Në Astanë, synimi është të zgjatet seria prej nëntë ndeshjesh pa humbje në garat zyrtare – me bilanc prej gjashtë fitoreve dhe tre barazimeve, që nga disfata e fundit në miqësoren ndaj Çekisë më 10 qershor 2024.

Në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme, trajneri Stojanovski shprehu besimin e plotë te skuadra dhe përgatitjet e bëra ndër vite. Ai theksoi rëndësinë e profesionalizmit, punës së vazhdueshme dhe përvojës së lojtarëve, duke nënvizuar se suksesi varet vetëm nga angazhimi i tyre.

“Nuk na mashtron humbja e Kazakistanit disa ditë më parë – bëhet fjalë për një kundërshtar shumë cilësor. Kjo është një ndeshje kualifikuese, ku gjithçka është e mundur. Po flasim për profesionistë të vërtetë dhe për ne, kushtet e lojës nuk bëjnë diferencë – qoftë bar artificial apo natyror,” u shpreh Stojanovski.

Ai shtoi se mungesat e Alimit dhe Dimoskit janë sfiduese, por skuadra është e përgatitur ta përballojë situatën. “Është e vërtetë që për shumicën e lojtarëve, sezoni ka përfunduar, por ne kemi reaguar me programe individuale stërvitore. Deri tani, qershori nuk ka qenë muaji ynë më i përshtatshëm, por kësaj radhe është ndryshe. Nuk kemi nevojë për motivim shtesë – për ekipin kombëtar gjithmonë luajmë me zemër”.

Lidhur me përgatitjen për fushën me bar artificial, Stojanovski tha se ekipi është stërvitur edhe për këtë aspekt. Ai gjithashtu bëri të ditur se në varësi të stërvitjes së fundit, do të vendoset nëse Maqedonia do të luajë me dy apo tre mbrojtës në vijën e fundit.

“Formacioni që jep rezultate nuk ka pse të ndryshohet. Nuk dua të veçoj asnjë lojtar nga përfaqësuesja e Kazakistanit – ata kanë një forcë kolektive që përbën armën e tyre më të madhe,” përfundoi ndihmësi i Milevskit.

“Kemi punuar për këtë ndeshje për një vit të tërë. Nuk na mungon profesionalizmi. Kazakistanin e kemi monitoruar për më shumë se gjashtë muaj, ndaj nuk presim ndonjë surprizë. Ndeshja kundër Bjellorusisë nuk na mashtron. Çdo gjë varet nga ne. Lojtarët tanë kanë përvojë dhe cilësi të lartë. Kemi treguar që dimë të përballemi. Nuk duam të krijojmë tension apo presion artificial. E rëndësishme është që çdo gjë të vijë si rezultat i punës së bërë me përkushtim,” theksoi Stojanovski.

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm