Shkup, 11 nëntor – Definimi i linjave të kuqe ekonomike që do të jenë prioritet në afat më të gjatë dhe si vendi të vazhdojë në 25 vitet e ardhshme, është qëllimi i Konferencës “25 vite Maqedoni e pavarur – Çka mësuam për ekonominë e Maqedonisë, si më tutje?” që sot u mbajt në Shkup, raporton gazeta KOHA. “Në konferencë dëshirojmë t’i dëgjojmë mendimet për çështjet strategjike ekonomike për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe të hulumtohet hapësira në mënyrë që të ndërtohet konsensus rreth çështjeve më të rëndësishme ekonomike. Maqedonia është vend i vogël për t’i lejuar vetes të jetë e ndarë mes tjerash edhe sipas çështjeve strategjike ekonomike. Duhet të definojmë linja të kuqe ekonomike për të cilat do të arrijmë konsensus dhe të cilat do të jenë prioritet në afat më të gjatë”, tha Zoran Jovanovski nga biznes magazina “Ekonomia dhe biznesi”, organizues i ngjarjes së sotme, në fjalimin përshëndetës. Ai theksoi se është e domosdoshme të dëgjohet zëri i biznesit dhe të arrijmë marrëveshje se çfarë shoqërie duam, cili është qëllimi përfundimtar, cilat janë postulatet themelore në ndërtimin e politikave ekonomike dhe të vlerësohet se çfarë rruge duhet të marrë Maqedonia lidhur me integrimin rajonal ekonomik. Moderatori Gligor Bishev theksoi se në 25 vitet e kaluara në Maqedoni BPV është rritur në mënyrë kumulative për 60 për qind, ndërsa BPV për banor prej 7.500 është rritur në 14.600 dollarë. “Shkallët e rritjes reale të BPV-së ishin mjaft variabile edhe pse ekziston lidhshmëri me uljen e shkallës së papunësisë ka vonesë prej dy deri tre vite kur rritja mirëmbahet dhe papunësia po ulet. Nga ana tjetër, papunësia bie më së shumti kur kemi ngadalësim të rritjes ekonomike”, tha Bishev. Maqedonia, shtoi, sot ka BPV në kokë banori i cili është 30 për qind të mesatares në BE. Guvernatori, Dimitar Bogov porositi se zhvillimi i ardhshëm i vendit duhet të bazohet në investime dhe produktivitet dhe shtoi se edhe në të ardhmen në tregun e punës do të kërkohen profesionet lidhur me programimin dhe inxhinierinë. Nëse vendi nuk prodhon kuadro të tillë nuk do të mund të tërhiqen degë industriale me prodhim të lartë. “Sivjet kapacitetet e reja do të kenë shumë neto prej 4 për qind të BPV-së. Faktorët e rritjes janë të njohur – fuqia punëtore, produktiviteti në kuptimin më të gjerë. Duhet rritjen ta bazojmë te investimet dhe produktiviteti. Profesionet të cilat i krijojmë sot për 15 vjet nuk do të jenë të nevojshme prandaj duhet të mendojmë se cilat do të jenë profesionet e së ardhmes”, tha Bogov. Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore porositi se si odë e përfaqësojnë biznesin e komunitetit shqiptar në vend, i cili, siç tha, me shumë vështirësi dhe me forcat e veta mbijetoi në 25 vitet e kaluara. Ai kërkoi transparencë më të madhe dhe llogaridhënie e autoriteteve dhe përmirësim i infrastrukturës rrugore. “Politikanët duhet të drejtohen nga investimet kapitale të cilat sjellin benefite për ekonominë dhe biznesin. Problemi më i madh për biznesin në Maqedoni është infrastruktura. Kërkojmë të insistojmë që të ndërtohet autostrada drejt Kosovës, pasi që do të sillte benefit të madh për ekonominë”, tha Hoxha. Ai theksoi se në vitin 2011 Maqedonia pati 550 milionë euro eksport në Kosovë dhe 30 milionë euro, ndërsa tani këmbimi tregtar është vetëm rreth 200 milionë euro. Kjo, siç theksoi, i referohet ndërtimit të autostradës nga Kosova drejt Shqipërisë me çka u rrit bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.