Në një periudhë të tensionuar mes Shkupit dhe Sofjes, opozita maqedonase kërkon angazhim të mëtejshëm nga Qeveria për të zhbllokuar procesin e integrimeve, duke theksuar se është koha për të filluar bisedimet me Bullgarinë pas formimit të qeverisë së re bullgare. Ndërkohë, mungesa e pjesëmarrjes së diplomacisë bullgare në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit pasqyron ndërlikimet e vazhdueshme në marrëdhëniet bilaterale
Ersan PAJAZITI
Shkup, 4 janar – Opozita pret që Qeveria seriozisht të angazhohet për zhbllokimin e procesit eurointegrues. Sipas opozitës, me faktin që është formuar Qeveri politike në Bullgari, nuk i ka mbetur pretekst Qeverisë në Shkup për të zvarrit më tej procesin euro-integrues të vendit. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe pas vendosjes së kurorave të luleve në kishën “Shën Spas”, me rastin e ditëlindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev, theksoi se pret mbështetje në negociatat Shkup-Sofje edhe nga faktori ndërkombëtar, ndërsa bëri thirrje Qeverisë që sa më shpejtë të nis bisedimet me Sofjen.
“Shpresoj që edhe Bashkimi Europian edhe SHBA-të si partnerë tanë tradicional, do të kyçen në atë proces. Qeveria theksonte edhe më herët se presin që të formohet qeveri politike në Bullgari dhe në atë mënyrë të diskutojnë dhe tani pasi u formua ajo qeveri në Bullgari, pres që sa më shpejt ta fillojnë procesin e bisedimeve, për shkak se koha po shkon. Shqipëria shkon përpara, Mali i Zi shkon përpara, ne mbetemi në vend”, theksoi Filipçe duke dhënë përgjigje rreth pritshmërie të tij nga Qeveria e re bullgare. I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për propozimin francez dhe dështimin e vazhdimit të negociatave për në BE, Filipçe tha se Qeveria e udhëhequr nga LSDM ka bërë gjithçka që vendi të ec në drejtim të Bashkimit Europian. Sipas tij, LSDM me Marrëveshjen e Prespës bëri që vendi të anëtarësohej në NATO, ndërsa propozimi francez ishte më e mira që mund të arrihej, me qëllim që ardhmëria e vendit të jetë në BE. Tani, siç tha Filipçe, radhën e ka qeveria e re të tregojë “krahët”.
“LSDM ka bërë gjithçka që mundej që vendin ta çojë përpara, tani ne presim që qeveria ti mban premtimet parazgjedhore se do të sigurojnë pozicion më të mirë negociues, se do të ndryshojnë marrëveshjen kornizë dhe se do të mbështesin çfarë do propozimi më të mirë që do të vijë në tavolinë. Mendoj se duhet të mbahet një seancë parlamentare, në të cilën të gjitha partitë politike do të diskutojmë për atë proces”, theksoi Filipçe.
Edhe BDI insiston që qeveria të angazhohet për zhbllokimin e procesit eurointegrues. Por ndryshe nga lideri i LSDM-së, nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi nuk pret që qeveria e re të ndryshojë pozitën dhe kornizën negociuese, ndaj theksoi se vendi e ka të patjetërsueshme të respektojë dhe të zbatojë propozimin francez.
“Jo sot e jo nesër po qysh dje e pardje është dashur që të përmbushim të gjitha obligimet të cilat rrjedhin nga korniza negociuese, pra vendi, lidershipi dhe gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të përmbushin detyrimet të cilat janë qartë të definuara në kornizën negociuese. Ashtu që nuk duhet të humbim kohë dhe duhet të sigurojmë një orë e më përpara perspektivën evropiane për të gjithë qytetarët”, theksoi nënkryetari i BDI-së Ademi.
Por a do të jetë e mundur ndryshimi i pozicionit të Sofjes lidhur me propozimin francez. Nga qeveria e re bullgare kategorikisht mohojnë një mundësi të tillë. I pyetur lidhur me çështjen – nëse Sofja do ta ndryshojë pozicionin e saj, duke pasur parasysh qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut se bullgarët nuk do të përfshihen në Kushtetutë pa garanci të qarta nga BE-ja, ministri i punëve të jashtme të Bullgarisë Georg Georgiev tha se kjo nuk është një çështje bilaterale.
“Këtu nuk po flasim vetëm për Bullgarinë dhe këtë duhet ta theksojmë qartë. I ashtuquajturi propozim francez, ajo që ndodhi gjatë vitit 2022, është ndërmjet të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe RMV-së. Këtu po flasim për obligime që tejkalojnë shumë konfliktin bilateral. Këtu po flasim për diçka me të cilën janë pajtuar të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe RMV-ja. Prandaj, nëse këto obligime nuk respektohen, BE-ja nuk ka si ta vazhdojë rrugën e anëtarësimit të RMV-së”, deklaroi ministri i jashtëm bullgar. Marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit ai i përshkroi me një fjalë si “specifike”, ndërsa në pyetjen nëse janë “specifikisht të ftohta”, ai u përgjigj se “temperatura matet me secilën ngjarje të radhës, e cila mund të ndihmojë marrëdhëniet bilaterale në një drejtim ose t’i përkeqësojë ato”.
“Shpresoj që kemi arritur një nivel pjekurie ku e kuptojmë se fqinjësia e mirë është një garanci për një të ardhme të suksesshme dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Mendoj se nuk ka shtet që ka më shumë interes se Bullgaria për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe këtë nuk e them vetëm nga pozita e prioriteteve evropiane bullgare nga viti 2018 me presidencën, por në një kontekst shumë më të gjerë. Ne, sinqerisht, gëzohemi që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria janë aleatët tanë në NATO. Kjo është një investim në sigurinë e rajonit. Në mënyrë natyrale do të gëzohemi edhe për thellimin e euro-integrimeve, por me respektimin e kritereve të kërkuara”, tha Georgiev.
Përndryshe qeveria e re bullgare nuk morri pjesë në shënimin e ditëlindjes së revolucionarit Goce Dellçev. Kryediplomati bullgar Georgiev theksoi se nuk kanë marrë ftesë për një gjë të tillë. “E fundit ishte pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë në vitin 2017, nëse nuk gaboj. Deri në këtë moment, ne nuk kemi një ftesë nga Republika e Maqedonisë së Veriut për ta shënuar së bashku këtë ditë,” deklaroi kreu i diplomacisë bullgare.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot, së bashku me përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë, vendosi lule në varrin e Goce Dellçevit me rastin e shënimit të 153-vjetorit të lindjes së tij. “Më lejoni që gjithë opinionit maqedonas t’ia uroj ditëlindjen e këtij kolosi maqedonas, ideolog dhe hero, Goce Dellçev. Ajo që kemi bërë në të kaluarën, do të vazhdojmë ta bëjmë edhe si Qeveri. Vlerësojmë se Qeveria e Maqedonisë duhet ta kthejë në traditë shënimin e kësaj dite, sepse ky është një kolos maqedonas, i cili është pjesë e identitetit maqedonas dhe vepra e tij nuk duhet të harrohet kurrë”, tha Mickoski. Në shënimin e ditëlindjes së Goce Dellçevit morën pjesë edhe opozita maqedonase, por edhe ajo shqiptare. (koha.mk)