Më 17 nëntor 1988, pikërisht në ditën kur ishte caktuar të mbahej mbledhja e shumëpërfolur e Komitetit Krahinor, mbi 3000 minatorë të Trepçës, në orët e hershme të mëngjesit, nga “Stari Tërgu” u nisën në këmbë për në Prishtinë. Një hap i tillë u morë për t’i dhënë përkrahje morale udhëheqjes politike të Kosovës, në radhë të parë Kaqusha Jasharit dhe Azem Vllasit, por edhe në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës së vitit 1974
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Pas përfundimit të mbledhjes nga ana e disa mediuemeve të caktuara publike serbe, u përhap lajmi se “në marrëveshje” me Kryesinë e KQ të LKJ-së, kryetarja e KK të LK të Kosovës, Kaqusha Jashari dhe anëtarti i Kryesisë, Azem Vllasi “duhet t’i paraqesin dorëheqjet nga detyrat e tyre”. Kjo, por edhe disa shkrime dhe komente tjera, të cilat u botuan më vonë po nga këta mediume, shkaktuan shqetësim tek opinioni i gjerë shqiptarë në Kosovë. Lidhur me këto spekulime, e përditshmja kroate “Vjesnik”, më 14 nëntor ndër të tjerave shkruante se, nëse shikohet rrjedha e ngjarjeve lidhur me Kosovën gjatë muajve të fundit: “nuk është i papritur” ndonjë veprim i individëve që bartin funksione me përgjegjësi, të cilët “inkuadrohen (apo vetëm e vazhdojnë pjesëmarrjen e vet) në fushatën kundër udhëheqjes së LK të Kosovës, e veçanërisht kundër Kaqusha Jasharit dhe Azem Vllasit”, dhe në këtë mënyrë “të krijohet klima për t’u ndryshuar më lehtë dhe më shpejtë marrëdhëniet dhe situata në Krahinë”, në mënyrë që marrëdhëniet ndërnacionale “të përmirësohen” sa më shpejt dhe të gjitha këto, vetëm me nji kusht “nëse ata largohen nga funksionet e veta”. Në vazhdim gazeta konsideronte se “me këtë rast”, në mënyrë të gjithanshme shfrytëzohen edhe “spontaniteti” i organizuar nëpër mitingje si dhe nga disa mjete të informimit.
“Kur kihen të gjitha këto parasysh, përfundon gazeta, me vend shtrohet pyetja se a është e mundur që për të gjitha këto të jetë fajtore vetëm udhëheqja krahinore. A thua është e mundur, nëse kihet parasysh të gjitha ngjarjet gjatë vitit të fundit, që kreu republikan i RS të Serbisë e madje edhe i Jugosllavisë të jenë plotësisht të pafajshëm për përçarjen aq të madhe, si asnjëherë më parë, në KSA të Kosovës”.
Është e rëndësishme të theksohet fakti se, në shqetësimin e popullsisë shqiptare, rol të rëndësishëm pati edhe fushata që asaj kohe zhvillohej në Serbi, rreth ndryshimeve kushtetuese. Udhëheqja komuniste serbe, trumbetonte me të madhe për gjoja “pabarazinë e RS të Serbisë me republikat tjera”, mbi “nevojën që me ndryshimet e ardhshme kushtetuese ajo të konstituohet si republikë”, mbi “domosdoshmërinë e rregullimit unik juridiko-territorial” të saj, se “populli serb në paqë humbi republikën e vetë unike”, se “ndërrimet kushtetuese paraqesin kushtin e vetëm për stabilizimin e gjendjes në Kosovë” etj.
Rrjedhimisht, Kuvendi i RS të Serbisë, më 26 korrik 1988, aprovoi projekt-amandamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë, me të cilat, suprimohej autonomia e Kosovës, e fituar me Kushtetutën e RSFJ-së, të vitit 1974. Ndërkohë, në proklamatën e lëshuar më 15 nëntor 1988 nga Lidhja Socialiste e Beogradit, ftoheshin qytetarët serb, që të marrin pjesë në të ashtëquajturin “miting i vëllazërim bashkimit”, i cili ishte parapa të mbahej më 19 të atij muaji në Beograd. Në të ndër të tjerave thuhej se: “çështjen e Kosovës do ta zgjidhim, Kushtetutën e RS të Serbisë do ta ndryshojmë dhe reformat do t’i zbatojmë…”.
Një ditë para mbajtjes së mbledhjes ë Komitetit Krahinor, Kryesia e KQ të LKJ-së, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën, situatën në Kosovë e vlerësoi si “shumë të rëndë”, që sipas saj, tërë kjo vinte si rrjedhojë e “dobësive të caktuara” në Komitetin Krahinor të LK të Kosovës, i cili siç theksohej: “nuk pati aksion të vendosur në krijimin e shkallës së domosdoshme të unitetit në Lidhjen Komuniste të Kosovës dhe në organet e tij në luftën kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”.
Përveç kësaj, në vlerësimet dhe qëndrimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së, theksohej se “më mbledhjen e Komitetit Krahinor, krahas diferencimit ideopolitik, të ndërmerren edhe hapat e domosdoshme në përpunimin dhe realizimin e detajuar të të gjitha detyrave të përfshira në pikën 9-të të detyrave të drejtpërdrejta të miratuara në mbledhjen e 17-të të KQ të LKJ-së, në radhë të parë në drejtimin e përqendrimit të të gjitha forcave në zgjerimin dhe përforcimin e një fronti të përbashkët të shqiptarëve, serbëve, malazezëve, myslimanëve, kroatëve, turqve, romëve dhe të mbarë kombeve e kombësive që jetojnë në Kosovë, si dhe masa të domosdoshme në arritjen e sigurisë së plotë juridike të mbarë qytetarëve. Sipas Kryesisë së KQ të LKJ-së, përmbajtja bazë e pikës 9-të të Konkluzioneve të mbledhjes së 17-të të Komitetit Qendror, ishte për sa më poshtë vijon:
“- Komiteti Qendror vlerëson se situata në Kosovë shkon në përkeqësimin gjithnjë e më serioz e cila kushtozohet në radhë të parë në dobësitë gjatë punës së Lidhjes së Komunistëve dhe të organizatave tjera shoqërore-politike në Kosovë;
– Komiteti Qendror vlerëson se përgjegjësinë më të madhe për përkeqësimin e situatës në Kosovë e bartë Komiteti Krahinor i tanishëm dhe Kryesia e tij;
– Komiteti Krahinor dhe Kryesia e tij kanë për detyrë ta përcaktojnë përgjegjësinë individuale të anëtarëve të tyre dhe t’i ndërmarrin të gjitha masat në përputhje me Qëndrimet e mbledhjes së 9-të të KQ LKJ-së për Kosovën;
– është obligim i organeve të LK të Serbisë që në përputhje me Statutin t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për realizimin me sukses të politikës së LK-së për Kosovën;
– nevojitet që të gjitha forcat ideopolitike në Kosovë, në kuadër të Lidhjes Socialiste të angazhohen në mënyrë energjike në stabilizimin e marrëdhënieve ndërnacionale, në tejkalimin sa më parë të mosbesimit dhe të ndarjes mbi baza nacionale;
– mobilizimi i të gjitha forcave subjektive dhe të organeve në Kosovë, RS të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe angazhimi i përbashkët i tyre në sigurimin e sigurisë së plotë juridike të qytetarëve dhe realizimin e kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë përkatësisht në stabilizimin e shpejtë të gjendjes së përgjithshme në Kosovë”.
Më 17 nëntor 1988, pikërisht në ditën kur ishte caktuar të mbahej mbledhja e shumëpërfolur e Komitetit Krahinor, mbi 3000 minatorë të Trepçës, në orët e hershme të mëngjesit, nga “Stari Tërgu” u nisën në këmbë për në Prishtinë. Një hap i tillë u morë për t’i dhënë përkrahje morale udhëheqjes politike të Kosovës, në radhë të parë Kaqusha Jasharit dhe Azem Vllasit, por edhe në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës së vitit 1974. Në ballë të kolonës qëndronte fotografia e Josip Broz Titos, flamuri jugosllav, shqiptar dhe ai i minatorëve. Parullat kryesore ishin: “Tito – parti”, “rroftë vëllazërim bashkimi”, “Nuk duam dorëheqje”, “Rroftë Azemi”, “Rroftë Kaqushja”, “Nuk duam ndryshime”, “Jetën e japim Kosovën se japim”, “Nuk e japim Kushtetutën nga viti 1974” etj. Ushtruesi i detyrës kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor, Remzi Kolgeci, në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë së KQ të LKJ-së, e cila u mbajt më 24 nëntor 1988 në Beograd, me kërkesë të Sllobodan Millosheviçit dhe Petar Graçaninit, u shpreh se dy kanë qenë shkaqet kryesore që i kanë shtyrë minatorët e Trepçës që ta nisin marshin e tyre protestues nga Mitrovica për në Prishtinë. E para, që për të përbënte karakteristikën thelbësore, ishte ajo që “mbledhja e Komitetit Krahinor dhe paralajmërimi i mbledhjes së Komitetit Krahinor rreth ndërrimeve kadrovike në Komitetin Krahinor, u kuptua si një presion i caktuar ndaj kuadrit etj.”, dhe e dyta “informimi jo i mjaftueshëm, rreth ndryshimeve kushtetuese…”.
Ai më pas ndalet në përpjekjet e pasuksesshme të tij dhe të udhëheqjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës, përfshi edhe Azem Vllasin dhe Kaqusha Jasharin, për t’i bindur minatorët që të kthehen prap nga rrugëtimi i tyre për në Prishtinë. “…Mund të pohoj, shprehet Kolgeci, se aty nuk pati asnjë incident derisa kam qenë prezent, por edhe më vonë. Biseda u zhvillua ashtu siç qemë dakorduar, por kur ata tashmë kishin dalë në rrugë dhe insistonin të shkojnë në Prishtinë dhe ne u dakorduam, sepse nuk patëm mundësi tjetër për t’i kthyer për Mitrovicë…”.
Me minatorët e Trepçës, u solidarizuan edhe punëtorët e “Ramiz Sadikut”, të “Kishnicës”, të “Novo Bërdës”, punëtorët e Fabrikës së municionit të gjuetisë nga Skënderaj, punëtorët e Babushit të Muhaxherëve, të Organizatës Punonjëse “Kosovatrans” nga Podujeva dhe të ndërmarrjeve tjera. Në informatën e zgjeruar të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, thuhet se “rreth 2.000 minatorë” të Trepçës, kanë arritur në Prishtinë në ora 15,00. Pas tyre, në Prishtinë kanë arritur edhe 2.000 punëtorë të KNI “Ramiz Sadiku, të cilëve u ishte bashkangjitur edhe një grup i të rinjëve.
“Tubimi dhe ardhja e minatorëve nga organizata punonjëse Stari Tërg në orët e hershme të mëngjesit, thuhej më tej në informatë, dhe ardhja e mëvonshme e punëtorëve të Ramiz Sadikut dhe të Kishinicës, të Novo Bërdës dhe të tjerëve në Prishtinë, kanë qenë siç kanë theksuar ata të motivuar me përkrahjen e punës së Komitetit Krahinor ndërsa në esencë ky ka qenë një reagim ndaj marrjes së vendimeve të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, sepse kanë qenë të bindur se vendimet janë marrë me presion…”.
E përditshmja në gjuhën shqipe “Rilindja”, shkruante se “mbi njëzet mijë punëtorë të Trepçës dhe kolektivave tjerë të Krahinës u tubuan në Prishtinë”, me të cilët udhëheqja politike e Kosovës, organizoi bisedë në dy sallat e Pallatit të Rinisë “Boro e Ramizi”.
Biseda e parë u zhvillua me minatorët e Trepçës, me të cilët biseduan Remzi Kolgeci dhe Kaqusha Jashari, të cilët folën për situatën aktuale politike dhe sqaruan “disa çështje rreth diferencimit dhe freskimit me kuadro të Kryesisë së Komitetit Krahinor”. Pas tyre folën edhe një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, të cilët ndër të tjerave u shprehën se e përkrahin “KQ të LKJ dhe Kryesinë e saj në të gjitha aksionet e sidomos në stabilizimin e gjendjes në Kosovë”, pastaj se i japin përkrahje të plotë “udhëheqjes së KSA të Kosovës, Komitetit Krahinor të LK të Kosovës dhe Kryesisë së tij”, mirëpo nuk i pranojnë kërkesat dhe kritikat të paargunentuara nga ana e disa organeve dhe udhëheqësve të Serbisë “në adresë të udhëheqjes kosovare”, se nuk pranojnë “asnjë dorëheqje kolektive në Kosovë sipas tipit e modelit të Vojvodinës”, se gjithashtu “nuk pranojnë dorëheqjen e disa udhëheqësve kosovarë të imponuara” e që nuk kanë për bazë punën konkrete dhe vlerësimin konkret e angazhimin e secilit, se nëse “pranohen dorëheqjet e tilla kjo edhe si praktikë do të kishte pasoja të paparashikueshme për gjendjen e përgjithshme në KSA të Kosovës” etj. Minatorët, gjithashtu u deklaruan se “nuk mbrojnë asnjë kuadër a organ të cilin nuk e mbron puna e tij”, dhe i cili ka bërë gabime a ka treguar paaftësi e mosaktivitet, porse tërë kjo duhet të mbështetet me fakte e argumente “e jo të bëhet kjo sipas diktatit të rrugës, të tubimeve në bazë të ndasisë kombëtare e të individëve problematikë…”.
Marshi protestues i minatorëve të minierës “Trepça” që filloi më 17 nëntor 1988, i cili më pas u shndërrua në protesta dhe demonstrata mbarë-shqiptare në Kosovë, tronditën thellë udhëheqjen e atëhershme komuniste jugosllave në përgjithësi, e atë serbe në veçanti.
Në ato demonstrata të cilat zgjatën deri më 21 nëntor, qindra mijëra shqiptarë dolën nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës për ta mbrojtur Kushtetutën e vitit 1974, duke brohoritur parullat: “Jetën e japim – Kosovën se japim”, “Nuk e japim Kushtetutën nga viti 1974”, “Rroftë Kushtetuta e vitit 1974”, “Tërë Kosova është ç’u në këmbë që Kushtetutën e vitit 1974 mos me e ndërru”, “Kosovë po se po – Metohi jo se jo”, etj. Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme njoftonte se vetëm më datë 18 nëntor në Prishtinë kishin arritur në këmbë mbi 60 mijë demonstrues shqiptarë nga të gjitha vendbanimet e Kosovës, prej tyre 40.000 ishin vendosur në stadiumin e qytetit, ndërsa 20.000 të tjerë protestonin para Komitetit Krahinor. Ishin të kota masat e ndërmarra nga udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, për pengimin e tubimeve masive të popullsisë shqiptare dhe për pengimin e ardhjes së organizuar të tyre në Prishtinë. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës njoftonte se demonstruesit shqiptarë ishin këmbëngulës ndaj “kërkesave të veta”, duke mos iu përgjigjur apeleve dhe thirrjeve për shpërndarje, nga ana e strukturave të atëhershme udhëheqëse kosovare.
“…Edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe, thuhej në informatën e mësipërme të KK të LK të Kosovës, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për pengimin e tubimit të qytetarëve dhe për pengimin e ardhjes së organizuar në Prishtinë, me ç’rast posaçërisht është insistuar në kumtesën e organeve të Krahinës, në kumtesën e Kryesisë së RSFJ-së, në kumtesën e Kryesisë së KQ të LKJ-së të cilat përmes televizionit i ka mbarshtruar sekretari i Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe përmes paraqitjes së Kryesisë së KSA të Kosovës qytetarëve përmes TV Prishtinës, ardhjet në Prishtinë më 19 nëntor kanë vazhduar…”.
Përveçse në Prishtinë, më 18 nëntor 1988, tubime protestuese u mbajtën anë mbanë Kosovës, ndërsa në Ferizaj, mbi 600 nxënës të shkollave të mesme, demonstruan nëpër rrugët e qytetit, duke brohoritur “Kosova Republikë” e parulla tjera. Të nesërmit (19 nëntor), në Prishtinë arritën 12.000 protestues, të cilët u vendosën në njërën nga dy sallat e “Boro e Ramiz”, ndërsa në sallën tjetër u vendosën 4.000 studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët u ishin bashkangjitur demonstratave, të cilat siç u theksua mësipërm, filluan me marrshin protestues të minatorëve të Trepçës, që më pas ato të shndërrohen në demonstrata mbarëkombëtare. Përveç kësaj, në orët e mbrëmjes disa mira qytetarë tjerë u tubuan para ndërtesës së Komitetit Krahinor, ku ishte parapa të mbahej një mbledhje e zgjeruar e aktivit politik të Kosovës, të cilët ishin të vendosur në kërkesat e tyre, duke mos i pranuar apelet dhe thirrjet për shpërndarjen e tyre, derisa atyre u është drejtuar kryetari i KSA të Kosovës dhe ushtruesi i detyrës kryetar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës, Remzi Kolgeci, i cili pasi kërkoi nga demonstruesit të shpërndaheshin, ua komunikoi se mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit Krahinor, do të mbahej menjëherë posa të krijoheshin kushtet, në të cilën “në mënyrë të gjithanshme do të shqyrtohet situata e krijuar” dhe se në të “në mënyrë korrekte” do të shqyrtohen dhe do të vendoset për kërkesat e tyre.
Pas shpërndarjes së demonstruesve, në orët e vona u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e aktivit politik, në të cilën u shqyrtua situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, pas shpërthimit të demonstratave masive.
Me mbledhjen udhëhoqi, Remzi Kolgeci, i cili gjatë fjalimit të tij, tha se situata e përgjithshme në Kosovë, nuk ishte “aspak e mirë”, për arsye se vetëm gjatë asaj date (19 nëntor), në Prishtinë ishin grumbulluar 35 deri më 40 mijë njerëz. “Ajo masë, shprehet Kolgeci, nuk është vetëm nga Prishtina porse thuajse nga të gjitha viset e Kosovës, ka nga Prizreni, nga Suhareka, nga Peja, nga Deçani, nga Klina, nga Istogu, nga Gjilani, Vitia dhe të mos i numëroj komunat tjera…”. Në mbledhje morën pjesë edhe udhëheqësit e komiteteve komunale të LK-së, si dhe të organizatave shoqërore-politike, të cilët raportuan për protestat masive të qytetarëve si dhe për ndërprerjen e punës nga ana e punëtorëve të organizatave punuese, si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj etj.
(vijon nesër)