Masakra serbo-maqedone në Miratoc, Sopot, Llojan, Vaksincë, Sllupçan, Raincë, Zhunicë… (2)

Më 12 nëntor, me iniciativë të Abdulla Krashnicës, u mbajt një takim mes tij dhe Ibrahim Kelmendit. Abdullau, të cilin e shoqëronte njëfarë Dushan Tojaga, kërkoi nga Ibrahimi, ta ndërpret rezistencën e forcave vullnetare shqiptare kundër partizanëve, sepse atyre në kohë të fundit ju kanë ardhur në ndihmë njësi të mëdha partizane bullgare, të cilët janë të vendosur me e përdorë edhe artilerinë e rëndë përfshi këtu edhe aeroplanët dhe tanksat

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Luftimet e ashpra që u zhvilluan gjatë muajt shtator, në mes brigadave komuniste jugosllave dhe forcave vullnetare shqiptare, për marrjen e Preshevës, u dëshmua edhe njëherë, se njësitë partizane jugosllave (për kundër faktit se dominon si për nga numri i ushtarëve po ashtu edhe për nga armatimi), ishte e pamundur t’i pushtojnë tokat e liruara shqiptare. Të vetëdijshëm për këtë, Komandanti i SHK të LNÇM-së, Mihajllo Apostollski, në pjesën e dytë të shtatorit, udhëtoi për Sofje, ku arrin marrëveshje me udhëheqjen e PKB-së (Partinë Komuniste të Bullgarisë), që brigadat partizane bullgare të vendoseshin në Maqedoni. Sipas marrëveshjes, këto brigada duhej të vepronin nga Kriva Pallanka në drejtim të Kumanovës. Veç kësaj, Apostollski, me pëlqimin e udhëheqjes komuniste bullgare, në Sofje, bëri mobilizimin e ushtarëve të ish armatës fashiste bullgare me prejardhje nga territori i Maqedonisë. Për këtë, SHK i LNÇM-së, më 27 shtator 1944, njoftonte Shtabin e Zonës IV Operative se: “Gjeneral Apostollski në Sofje ka bërë pranimin e të gjithë maqedonasve të cilët kanë qenë në ushtrinë bullgare, i ka armatosur me armatim sovjetik dhe ka bërë organizimin e shumë njësive:”. Në njoftim, gjithashtu thuhej se: “Armata e kuqe ka marr pëlqimin nga Komandanti Suprem Mareshali i Jugosllavisë shoku Tito që si aleate të mund të futet brenda kufijve tanë, me kusht që ta pranoj pushtetin tonë administrativ.”.

Me ardhjen e brigadave partizane bullgare (fundi i tetorit), situata politiko-ushtarake në rrethet e Kumanovës, Preshevës e Bujanocit ndryshoi, kuptohet në dëm të forcave vullnetare shqiptare. Njësitë bullgare, më 25 tetor u vendosën në vendbanimet: Tabanoc, Sopot, Staro Nagoriçane dhe Novo Nagoriçane. Një ditë më pas ata u futën në fshatin Moravicë, ndërsa më 27 edhe në Bukuricë dhe Zhunicë, duke e vazhduar marshin e tyre në drejtim të fshatrave shqiptare që shtrihen mbi hekurudhë, të cilat kontrolloheshin nga forcat vullnetare shqiptare. Në afërsi të Zhunicës, ata u ndeshën me vullnetarët shqiptar nën komandën e Ibrahim Kelmendit, dhe pas një lufte dy orësh, bullgarët u detyruan të tërhiqen duke u vendosur brenda fshatit Zhunicë, ku atyre ju bashkuan edhe serbët vendor. Në anën tjetër, forcave shqiptare, ju erdhën në ndihmë qindra vullnetar shqiptarë nga Presheva, të cilët e rrethuan fshatin nga dy anët, me çka ushtria bullgare u detyrua ta lëshojë fshatin, për t’u vendosur në Sopot. Në këto luftime, bullgarët patën 74 ushtarë të vrarë dhe të zhdukur.

EKZEKUTIMI I SHQIPTARËVE NË SOPOT

Posa u vendosën në Sopot, bullgarët në shenjë hakmarrjeje, grumbulluan banorët e fshatit, edhe atë gratë dhe fëmijët i vendosën në shkollë ndërsa burrat në numër 71 në xhami dhe pasi i torturojnë, 68 i pushkatojnë, një i ri i larë në gjak arrin t’u ikë, ndërsa dy pleq i falin. Dy tre ditë pas ngjarjeve tragjike në Sopot, brigadat partizane, bullgaro-serbo-maqedonase, ku për fat të keq pati edhe ndonjë shqiptar, ndërmorën një ofensivë tjetër, me qëllim të pushtimit të tokave shqiptare në Kumanovë e Preshevë, e që më pas të futeshin në territorin e Kosovës. Luftime të ashpra u zhvilluan në fshatrat: Miratoc, Llojan, Vaksincë, Raincë, Zhunicë etj., ku deri më 11 nëntor forcat vullnetare shqiptare arritën që me sukses t’i përballojnë të gjitha sulmet e armikut.

Më 12 nëntor, me iniciativë të Abdulla Krashnicës, u mbajt një takim mes tij dhe Ibrahim Kelmendit. Abdullau, të cilin e shoqëronte njëfarë Dushan Tojaga, kërkoi nga Ibrahimi, ta ndërpret rezistencën e forcave vullnetare shqiptare kundër partizanëve, sepse atyre në kohë të fundit ju kanë ardhur në ndihmë njësi të mëdha partizane bullgare, të cilët janë të vendosur me e përdorë edhe artilerinë e rëndë përfshi këtu edhe aeroplanët dhe tanksat. Në takim nuk u arrit asnjë marrëveshje, nga shkaku se Ibrahim Kelmendi, duke folur në emër të palës shqiptare delegacionit të LNÇM-së, u thotë se forcat vullnetare nuk do të “tërhiqen nga fronti i luftës deri sa nuk përfundon çështja e Kosovës”.

Thuajse në të njëjtën kohë, në Kumanovë mbahet një takim tjetër ndërmjet Atllas Koçit (ish diplomat shqiptar në Sofje, i cili ishte rreshtuar përkrah partizanëve bullgar) dhe Shaban Efendiut. Me këtë rast, Koçi kërkoi nga Shaban Efendiu që të ndërhyjë te Sulë Hotla, me qëllim që ky i fundit t’i ndërpret luftimet kundër forcave partizane dhe të lejoj vendosjen e tyre në territoret që kontrolloheshin nga vullnetarët shqiptarë. Si garanci, ai i premton Shabanit, se aradhat partizane nuk do ta keqtrajtojnë popullatën civile, në përjashtim të atyre që ka të dhëna se: “kanë bërë krime ndaj partizanëve”, dhe se kjo tërheqje do të jetë afatshkurtër: “deri sa nuk tërhiqen nga këto vise brigadat bullgare.”. Kjo për Koçin, ishte e një rëndësie të veçantë nga shkaku se sipas tij, për momentin ishte e kotë të luftohej me një ushtri aq të fuqishme, ku “forcat vullnetare shqiptare do të dëmtoheshin shumë..” Gjithnjë sipas tij: “forcat shqiptare duhet të ruhen deri sa nuk tërhiqen bullgarët dhe në vend të tyre të vendoseshin forcat anglo-amerikane dhe me ndihmën e tyre do të mundësohet bashkimi i këtyre viseve me Shqipërinë.”.

Të njëjtën ditë, Shaban Efendiu, udhëtoi për Likovë, ku qëndronte Sulë Hotla me fuqinë e tij. Bisedimet ishin të gjata dhe të rënda, ndërsa krahas Shaban Efendiut dhe Sulë Hotlës në to morën pjesë edhe: Mulla Dulla i Hotlës, Hamzë Bellanoci, Mulla Hajdari, Azem Hoxha etj. Përkundër insistimit të Shaban Efendiut: “që forcat e armatosura shqiptare për momentin të tërhiqen nga fronti i luftës”, Sulë Hotla nuk pranoi një gjë të tillë duke deklaruar: “nuk mund të pajtohem me partizanët.” Ai në Likovë, ishte vendosur me fuqinë e tij me qëllim, që t’i sulmoj forcat partizane të cilët ishin vendosur në fshatin Vaksincë. Sjelljet e këqija të brigadave partizane- serbo-maqedonase ndaj popullatës civile shqiptare, e kishin irrituar së tepërmi Sulë Hotlën, prandaj në shenjë revolte gjatë bisedës do të deklaroj: “Bullgarët le të vijnë edhe rusët do t’i respektoj por partizanët assesi.”. Bisedimet zgjatën deri në orët e hershme të ditës së nesërme, ku më në fund, arrihet marrëveshje që: “Forcat vullnetare shqiptare të mos i sulmojnë partizanët në fshatin Vaksincë” dhe se “Sulë Hotla me 20 shokët e tij më të ngushtë të tërhiqet në Bellanocë, ndërsa vullnetarët tjerë të kthehen në shtëpi.” Gjithashtu,  u vendos që: “t’u lejohet forcave partizane të futen në vendbanimet shqiptare”.

Marrëveshja e arritur, sado që ishte e dhimbshme, për momentin ishte e vetmja alternativë, sepse njësitë partizane jugosllave-maqedonase tash më e kishin pushtuar Shkupin dhe me tërë potencialin ushtarak të Divizionit 42 (Shkup), të Divizionit të Kumanovës si dhe të Divizionit bullgar, qëndronin në vijën e frontit: Sullare e Epërme – Kisella Vodë, Kumanovë, Preshevë, dhe në momentin e dhënë të sulmohen forcat vullnetare shqiptare në dy drejtime: Graçan- Krevenik-Kotlinë e Epërme në anën e djathtë të Lepencit për të depërtuar në anën e majtë ku i tërë territori ishte nën kontrollin e forcave vullnetare shqiptare, si edhe në linjën Preshevë -Bellanoc-Dumanoc.

Më 15 nëntor të vitit 1944, njësitë e brigadës XVII bullgare, futen në fshatrat shqiptare edhe atë: Batalioni i III nga Vaksinca në drejtim të Sllupçanit, ndërsa Batalioni i II nga Nagushtaku në drejtim të Mateçit. Vendosja e njësive partizane, në vendbanimet shqiptare të Kumanovës, siç edhe pritej, u krye pa as çfarë rezistence nga ana shqiptare. Përkundër kësaj, njësitë partizane posa u vendosën, ndërmorën një aksion të dhunshëm ndaj popullatës civile. Sipas disa informacioneve të dëshmitarëve okularë vendosja e forcave partizane në fshatrat shqiptare të Fushëgropës së Kumanovës u përcoll me vrasje, masakrime burgosje masive të banorëve shqiptarë, si edhe djegie të shtëpive. Kjo sjellje e keqe e detyroi masën e përgjithshme shqiptare t’i lëshojnë shtëpitë e tyre për t’u vendosur në fshatrat malore të Karadakut. Shtabi i Brigadës XVII, me 16 nëntor njoftonte se në fshatrat: “Strimë, Riovcë, Gllazhnjë, Goshincë, Dumanocë dhe Izvor, qëndrojnë rreth 10.000 shqiptarë të arratisur nga fshatrat: Nakushtak, Vishticë, Ropalcë, Mateçë, Hotël, Likovë, Orizare dhe Sllupçan. Një ngjarje tjetër që tronditi thellë opinionin e gjerë shqiptarë, ishte masakra e kryer në fshatin Bllacë të Shkupit, më 18 nëntor 1944 nga ana e Brigadës XVI-të, ku nga të dhënat tash më të konfirmuara u masakruan 111 burra të këtij fshati. E tërë kjo kasaphane nuk i kënaqi gjakpirësit komunist jugosllav, të cilët më 19 nëntor, gjatë marshimit të tyre në drejtim të Kaçanikut morën edhe 50 banorë tjerë të Bllacës së Poshtme, të cilët i ekzekutuan në dalje të Hanit të Elezit, përkatësisht te vendi i quajtur “Uji i Tharrët”.

Brigadat komuniste serbo-maqedonase, nga 20 nëntori depërtuan në territorin e sotëm të Kosovës dhe të Preshevës edhe atë: Brigada XVI qëndronte në fshatrat shqiptare midis Bllacës dhe Kaçanikut, Brigada XVIII, në regjionin e Ferizajt, ndërsa Brigada XVII në territorin midis Mateçit dhe Preshevës. Në anën tjetër një pjesë e forcave vullnetare shqiptare në numër prej rreth 4.000 ushtarësh shtriheshin në perëndim të Preshevës, përkatësisht fshatrat: Kurbali, Raincë, Runicë, Strimë, Brezë, Mjak dhe në verilindje në drejtim të Podgraxhës, ndërsa një pjesë tjetër vepronte në territorin Kaçanik-Nerodime-Ferizaj.

Ndërkohë, Shtabi i Divizionit të Kumanovës, më 24 nëntor i raportonte Shtabit Kryesor të LNÇJ-së për Maqedoni, për “rrezikun” nga “ krijimi i brigadave shqiptare”, nga shkaku se ato, po krijohen, siç thuhet në të: “me direktivën e të deleguarit të Shtabit për Kosovë dhe Metohi, pa shkuar fare në çarmatosjen e përgjithshme të shqiptarëve…”. Dy ditë pas këtij raporti, Shtabi i Përgjithshëm i LNÇJ-së për Maqedoni, urdhëronte Shtabin e Divizionit të Kumanovës, që me brigadat e veta me 28 nëntor të kryej një aksion të përgjithshëm mbi fshatrat shqiptare të Kaçanikut, Ferizajt, Vitisë, Gjilanit, Kumanovës dhe të Preshevës:

“Gjatë marshimit ose luftimeve në qoftë se haset në ndonjë rezistencë armiqësore, të gjithë ata shqiptarë të cilët janë të armatosur, si edhe ata të cilët e kanë fshehur armatimin dhe gjatë kontrollimit zbulohen aty për aty të ekzekutohen. Të gjitha vendbanimet ku do të depërtoni detaisht të kontrollohen dhe të gjithë meshkujt nga mosha prej 16 deri 50 vjeç t’i merrni nëpër llogore dhe t’i koncentroni në territoret e brigadave të juaja.”.

Rrjedhimisht, më 29 nëntor, në orët e hershme të mëngjesit brigadat e Divizionit të Kumanovës dhe të Divizionit 42, sipas urdhëresës së lëshuar marshuan në vendbanimet shqiptare edhe atë: Brigada XII në fshatrat Kurbali, Mjak, Brezë, ndërsa Brigadat XVI dhe XVIII nga Ferizaj në drejtim të Vitisë. Gjatë atij marshimi, nën pretekstin e çarmatosjes së popullatës dhe të shtypjes së “reaksionit”, u vranë, masakruan u arrestuan qindra banorë shqiptarë të fshatrave që shtriheshin midis Ferizajt, Kaçanikut dhe Gjilanit. Sipas të dhënave që i ofronte Shtabi i Divizionit të Kumanovës, numri i të vrarëve ishte mbi 200, ndërsa 100 të tjerë ishin arrestuar si edhe ishin djegur dhe plaçkitur shumë fshatra.

Një masakër e ngjashme si ajo Bllacës, u krye në fshatin Izvor nga ana e Brigadës XVII. Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor, kur pas një marrëveshje paraprake midis parisë së fshatit dhe Shtabit të kësaj brigade, një batalion u fut në fshat. Me pretekst se fshatarët e Izvorit, paskan përgatitur një “atentat” ndaj Shtabit të këtij batalioni, u arrestuan të gjithë meshkujt e këtij fshati në numër 44 dhe që të gjithë përnjëherë u ekzekutuan. Njëkohësisht i jepet zjarri fshatit.

Forcat pushtuese partizane-çetnike jugosllave, pasi e çarmatosën e tërë popullsinë shqiptare, ndërmorën një aksion tjetër nëpër vendbanime shqiptare, ku mira të rinj shqiptar u mobilizuan në mënyrë të dhunshme, për fatin e të cilëve nuk dinte askush, sepse të njëjtit qëndronin të zbathur e të zhveshur në kampet e përqendrimit midis Kumanovës e Preshevës.

VEPRIMTARIA ILEGALE POLITIKE-USHTARAKE NËNTOR 1944-NËNTOR 1945

Pas ripushtimit të tokave shqiptare nga forcat komnuniste jugosllave, Ibrahim Kelmendi, sikurse edhe një numër i madh i intelektualkëve dhe nacionalistëve shqiptar doli në mal, me shpresë se një ditë këto toka, me ndihmën e aleancës ango-amerikane do të çliroheshin. Me nismën e Shtabit Suprem të Kosovës, më 15-16 gusht 1945 në Kopilaçe u mbajt Kongresi i (III) i NDSH-së, në të cilën morën pjesë krerët më të shquar të Lëvizjeç për Çlirimin dhe Bashkimin e tokave të ripushtuara shqiptare me shtetin Shqiptar, si: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, Profesor Ibrahim Hakiu-Kelmendi, Profesor Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi – Vitia, Din Hoxha – Kaçaniku, Qazim Sefë – Llugaxhiu, Qazim Sopa – Zekbasha, Hajriz Kajolli dhe 25 të tjerë, në mesin e tyre edhe dy përfaqësuesit e Komitetit të NDSH-së së Shkupit: Qemal Skënderi dhe hafiz Mexhit Zyberi.

Kongresi i Kopilaçes mori vendime të rëndësishme: emërimi i Lëvizjes së rezistencës, nga “Lëvizja e Ballit Kombëtar” në “Lëvizje Nacional Demokratike Shqiptare”për arsye se, në të qenë përfshirë të gjitha organizatat e partitë politike shqiptare, të cilat për synim kishin “Çlirimin dhe Bashkimin Shqiptar”. Ndër vendimet e tjera të Kongresit I (III) të LNDSH-së, duhet veçuar: “Komiteti i NDSH-së në Shkup është organi politik më i lartë i Lëvizjes për lirimin e tokave shqiptare dhe lidhje e vetme e lëvizjes me komitetet shqiptare në Greqi dhe në Itali si dhe me guerilen shqiptare, ballistët, të cilët quhen ushtri popullore demokratike shqiptare”. Kongresi emëroi Shtabin e përgjithshëm të luftës, me të cilin udhëhiqnin: Hysen Tërpeza, Luan Gashi, Hysen Xhakri, Rexhep Okllapi, Shaban Haliti, Syl Hotla dhe Din Hoxha. Në Shtabin e luftës ishin edhe Adem Gllavica, i ngarkuar për propagandën, si edhe Ibrahim Kelmendi dhe Luan Gashi. Ibrahim Kelmendi do të delegohet për propagandë në Shkup, kurse Luani në viset e Suharekës – Prizrenit. Kongresi aprovoi Platformën për një thirrje që Shtabi suprem i Ushtrisë popullore demokratike shqiptare të Kosovës duhet t’ia lëshonte popullit.

Meqenëse Komiteti i NDSH-së së Shkupit u shpall organi më i lartë i LNDSH-së, Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi, gjatë qëndrimit dyditor në Kopilaçe, zhvilluan bisedime kokë më kokë me disa figura të shquara ushtarake, intelektuale e atdhetare shqiptare, pjesëmarrës në Kongres. Ndër ta duhet veçuar bisedën e zhvilluar me profesor Ibrahim Kelmendin, i cili, u ka deklaruar se njihte shumë mësues shqiptarë, të cilët për momentin përcillnin kursin pedagogjik në Shkup, dhe se do të bënte përpjekje të njëjtit t’i organizojë. Është shtruar edhe çështja e udhëtimit për në Shkup, për çka I. Kelmendi u kishte propozuar që të udhëtonin së bashku. Mirëpo, një propozim i tillë, për shkaqe sigurie, e hodhën poshtë nga Q. Skënderi dhe M. Zyberi, njëkohësisht duke e porositur që në Shkup të vijë i veshur me uniformë të policisë jugosllave, të cilin do ta shoqëronin dy policët shqiptarë, përndryshe anëtarë besnik në organizatë, Rexhep Dauti dhe Xhemal Fazli Ferra.

Disa ditë pasi Qemal Skënderi dhe Mexhit Zyberi u kthyen nga Kongresi, në Shkup arriti edhe prof. Ibrahim Kelmendi. Ai u vendos te dhëndri i tij, Memedali Mehmeti, një veprimtar i shquar shqiptar, me profesion tregtar. Duhet të vëmë në dukje faktin se ai në Shkup nuk erdhi me përcjellje të dy policëve shqiptarë, Rexhep Dauti dhe Xhemal Fera, siç i kishin propozuar Q. Skënderi dhe M. Zyberi, por përmes një korrieri të Shtabit të Syl Hotlës, Mehmet Orllanca, i cili po atë mbrëmje njoftoi Qemal Skënderin. Ja se si e përshkruante Qemal Skënderi ardhjen e I. Kelmendit në Shkup dhe takimin e tij të parë me të:

“…Në ndërkohë edhe Ibrahim Hakiu erdhi në Shkup. Në dyqanin tim erdhi Mehmet Orllanca dhe ma tregoi shenjën, përkatësisht parullën ‘Jurizi’. Unë iu përgjigja ‘Gara’. Pas asaj Mehmeti më tha se ka ardhur Ibrahim Hakiu dhe se më thërret mua të shkoj te shtëpia e Memedaliut ku ishte vendosur. Unë e dija se është te Memedaliu, pasi Ibrahim Hakiu më pat thënë se atë e kishte dhëndër dhe se kur do të vij në Shkup, do të jetë te ai. Ibrahim Hakiun nga mali në Shkup e solli korrieri Mehmeti nga Orllanca…Po atë mbrëmje shkova te Memedaliu, u pash me Ibrahim Hakiun, i cili më tha se duhet të shohim se cilët persona duhet t’i thërrasim për të biseduar. Unë i thash se mos të thërrasim shumë, sepse mund të zbulohemi, por për fillim do të mjaftonte të merrte pjesë vetëm Hasan Bilalli dhe unë. Ai u pajtua me propozimin tim dhe vendosëm mbledhjen e parë ta mbajmë pas dy ditëve, e deri atëherë unë të vendosi kontakt me Hasanin…”.

(vijon nesër)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm