Posa u vendosën brigadat partizane shqiptare, njësitë ushtarake komuniste jugosllave ndërmorën një aksion të tmerrshëm kundër popullsisë shqiptare, në mbarë trevat verilindore shqiptare. Gjatë këtij vërshimi të egër, njësitë komuniste jugosllave, vranë, masakruan qindra shqiptarë të pafajshëm, si në Kërçovë, Gostivar, Tetovë, në fshatin Bllacë të Shkupit, në fshatrat Izvor e Sopot të rrethit të Kumanovës e në shumë vendbanime tjera
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Është me rëndësi të theksohet se gjatë muajit mars të vitit 1944, u iniciua formimi i divizionit SS Shqiptar. Nisur nga kjo, më 30 mars 1944 Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mbajti mbledhje të jashtëzakonsme, në të cilën u zhvillua një diskutim i gjerë rreth mënyrës së formimit të divizionit në fjalë. Një pjesë e anëtarëve mbronin qëndrimin që divizioni të formohet përmes procedurës së ushtarisë së rregullt, përkatësisht me anë të një rekrutimi ushtarak, ndërsa pjesa tjetër mendonte që ky divizion duhet formuar përmes rekrutimit vullnetar, ngjashëm sikurse edhe njësitë kreshnike që vepronin në Tokat e Liruara. Në fund të mbledhjes, anëtarët e Komitetit Qendror në mënyrë unanime vendosën formimin e divizionit përmes procedurës së rekrutimit të rregullt ligjor. Divizioni mori emrin “Divizioni Skënderbg”, ndërsa arsyet kryesore që i shtynë anëtarët e Komiteit Qendror për të marrë një qëndrim të tillë ishin për sa më poshtë vijon:
“1.- Populli i Kosovës ka pranue themelisht, si në kongresin e tij më 16/19 Shtatuer 1943, si n’atë të 17/21-I-944 që krejt mashkujt e vendit 15-60 vjeç janë të mobilizueshëm nëpër veprimtarin e zyrave shtetnore.
2.- Të gjitha rrethanat e mbrendëshme dhe të jashtme janë tue na imponue për ditë ma tepër e ma seriozisht; zgjanimin e organizimit t’onë ushtarak, në çdo formë e në çdo vend qoftë. Pra, heret a vonë do të jemi të shtrenguem me iu futë nji organizimit ushtarak radikal kur i kemi të gjitha mundësit i nji rekrutmit të rregullshëm.
3.- Nji rekrutim vullnetarësh për nji divizion mund të na japi nji divizion ku ka mundësi të marri pjesë nji element që quhet në Kosovë ‘i hunit e i konopit (litarit)’, kurse me té do të përmblidhet ajka e elementit serioz t’Kosovës nga pikvështrimi moral e fyzik në qoftë se zbatohën ligjet e sherbimit të detyrueshëm.
4.- Nji rekrutim vullnetarësh mundet me deshtue për shumë arsyena, kurse rekrutimi në bazë të ligjevet t’ona ushtarake dhe nasionale ka m’u kunorzue me fitim të plotë tuej na dhanë nji divizion nga ma të mirat e botës nëpër nji përpjekje fare praktike, pa farë ngatrreset.
5.- Systemi i organizimit ushtarak i kohës së Babunës, si dhe aj i ish regjimit italo-shqiptar duhet të marri fund nji herë e mirë bashkë me ngjyrat e tij mercenare për t’ia lëshue vendin definitivisht systemit modernë dhe patriotik mbasi neve nuk i kemi aspak konditat e shkëlqyeshme të djalëris Gjemane”.
Një ditë më vonë, kryetari i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, përmes një shkrese të besueshme njoftonte Këshillin e Ministriave në Tiranë, për vendim e marrë, duke kërkuar që të merreshin masat e menjëhershme për dekretimin e formimit të divizionit përmes “zbatimit të ligjeve ushtarake Shqiptare, o nëpër frymën e vendimeve të marruna prej mbledhjes së jashtë-zakonshme mbi të cilën flet paragrafi i parë i kësaj shkrese”. Krejt në fund të shkresës, B. Pejani, e përcjell kërkesën e tij dhe të anëtarëve të KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që ky divizion të mos mund të shfrytëzohet jashtë kufijve shqiptar. “E vetmja gjâ, shkruan Pejani, për të cilën kjo Kryesi bashkë me të gjithë anëtarët e L. II. të Prizrenit dëshiron m’u sigurue, asht që, divizioni Skënderbeg mos të mundet me i lëshue kufijt e Shqipnis ethnike për me shkue diku larg Atdheut Shqiptar”.
Organizimi i njësive kreshnike dhe i xhandarmërisë në Prefekturën e Dibrës, mundësoi një stabilitet të përkohshëm, i cili nuk zgjati më shumë se deri kah mesi i muajit mars 1944, kur do të rifillojnë luftimet e ashpra midis forcave vullnetare e të xhandarmërisë shqiptare nga njëra anë dhe atyre komuniste jugosllavo-maqedonase nga ana tjetër. Paraprakisht, me insistimin e të deleguarit të KQ të PKJ-së, Svetozar Vukmanoviq – Tempo, qe formuar Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Maqedonisë (PKM-së) për Pollog, Dibër, Rekë e Kërçovë, në të cilin u përfshinë edhe disa komunistë shqiptarë, si vëllezërit Agolli, Hamdi Dema, Lutfi Rusi etj. Në kuadër të atij komiteti vepronin disa aradha partizane maqedonase, të cilat bashkëvepronin me aradhën partizane të Haxhi Lleshit. Natyrisht, ky bashkëveprim, nuk e pati për synim luftën kundër gjermanëve, por asgjësimin e njësive kreshnike shqiptare, që etiketoheshin si “forca reaksionare”. Ndërkohë, brigada e parë sulmuese maqedono-kosovare, e cila gjatë muajit nëntor 1943, qe detyruar të tërhiqet nga territori i Prefekturës së Dibrës, mori urdhër nga Shtabi Kryesor i LNÇM-së, që të depërtoj në territorin e Prefekturës së Dibrës. Aty kah mesi i muajit prill, kjo brigadë u vendos në zonën e Debërcës, me synim që të shtrihet në një territor më të gjerë në hapësirën Strugë, Kërçovë dhe Dibër. Asaj brigade, së shpejti iu bashkangjit edhe “Batalioni i Rinisë së Dibrës”, i cili, siç u theksua më lartë, vepronte në kuadër të UNÇM-së. Burimet arkivore dëshmojnë qartë, se shqiptarët e Trevave Lindore, qëndronin fuqishëm në linjën e politikës të “Lidhjes II të Prizrenit”, dhe se forcat komuniste jugosllave e kishin të pamundur të shkelin në këto toka shqiptare pa ndihmën e brigadave komuniste shqiptare. Një numër jo i vogël i udhëheqësve politik, ekzekutiv e administrativ, lanë detyrat e tyre për t’iu bashkuar njësive ushtarake vetëm e vetëm për t’i mbrojtur kufijtë e Shqipërisë Etnike, që rrezikoheshin nga forcat armiqësore jugosllave, qofshin ato komuniste apo çetnike. Si shembull po e marrim rastin me prefektin e Dibrës, Abdi Golia, i cili më 16 maj 1944, la detyrën e prefektit dhe me 150 vullnetarë nga qyteti i Dibrës, iu bashkua forcave kreshnike shqiptare që zhvillonin luftime të përgjakëshme në Galiçnik dhe Gajre të Nënprefekturës së Rekës, kundër njësive komuniste jugosllavo-maqedonase. Një veprim tjetër edhe me të guximshëm në atë periudhë kohore u mor nga kryetari i komunës së Stençës, Mehmet Bushi, i cili kërkoi leje nga prefekti i Tetovës, Tafil Boletini, që në mënyrë vullnetare të merrte pjesë në mbrojtje të Atdheut, kundër çetave sllave të cilat kërconin kufijtë etnik shqiptar në qarkun e Pejës. Menjëherë pas kësaj pasoi shkresa e T. Boletinit, në të cilën thuhej shprehimisht:
“Kjo Prefekturë tue çmue ndjenjat Patriotike të Titullarit t’asaj Komune dhe dëshirën e çfaqun me lutjen të përcjellun me shkresën Nr. 20. Res. Data 12/6/44 për të marrë pjesë vullnetare për Mbrojtjen e Atdheut, kundra Çetave Sllave që po i kërcnohen kufinit t’onë në qarkun e Prefekturës Pejës, autorizon lejimin tuaj për t’i ardhë në ndihmë vllezërve t’onë Kosovarë”.
Ishin pikërisht këto ndjenja të larta atdhetare të krerëve politik dhe ushtarak shqiptar, që pamundësuan futjen e çetave sllave brenda kufijve shqiptar. Këtë e kishte mase të qartë udhëheqja komuniste jugosllave, prandaj ajo gjatë pranverës dhe verës së vitit 1944, insistonte me çdo kusht që brigadat komuniste shqiptare të vendoseshin në këtë pjesë shqiptare. Këtë mund ta shohim nga letrat e Peka Dapçeviqit, Fadil Hoxhës, Cvetko Uzunovski-Abaz, Video Smilevski-Bato, Enver Hoxhës, Petar Brajoviqit, Dali Ndreut etj. Dërgimin e brigadave partizane shqiptare, në këto vise, ishte kërkesa e kamotshme e kreut udhëheqës të PKJ-së, andaj nuk ishte e rastit që menjëherë pas letrës së Enver Hoxhës dërguar më 14 qershor 1944 SHK. të LNÇM-së për Maqedoni, ku në tërësi pajtohej për aksion të përbashkët ushtarak me njësitë partizane jugosllave në regjionin e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës. Dibrës e Strugës, të pasojnë urimet e përzemërta nga kjo e fundit, drejtuar Enver Hoxhës, ku shprehimisht thuhej: “…Ne krenohemi dhe ia urojmë emrimin Komandantë Supremë, dhe gradën Gjeneral -kolonelë shokut Enver Hoxha, dhe i dëshirojmë suksesë në luftën heroike që po e zhvillon populli shqiptarë dhe ushtria e saj heroike LNÇ nën udhëheqjen e djemve më të mirë të popullit Shqiptarë…”.
Posa u vendosën brigadat partizane shqiptare, njësitë ushtarake komuniste jugosllave ndërmorën një aksion të tmerrshëm kundër popullsisë shqiptare, në mbarë trevat verilindore shqiptare. Gjatë këtij vërshimi të egër, njësitë komuniste jugosllave, vranë, masakruan qindra shqiptarë të pafajshëm, si në Kërçovë, Gostivar, Tetovë, në fshatin Bllacë të Shkupit, në fshatrat Izvor e Sopot të rrethit të Kumanovës e në shumë vendbanime tjera. Përveç kësaj, bënë arrestimin e tërë popullatës mashkullore nga mosha 16-60 vjeç duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera, dogjën vendbanime të tërë shqiptare etj. Veprimet e tilla kryheshin me urdhër të udhëheqjes së lartë politike e ushtarake jugosllave. Këtë më së miri e dëshmon urdhëresa e lëshuar më 18 nëntor 1944 nga ana e shtabit të Korparmatës së XV të LNÇM-së, në të cilën kërkohej nga brigadat partizane të Divizionit 48, ku merrte pjesë edhe Brigada e IV Shqiptare, që: “me datën 19.11.1944, të bëjnë bllokadë në qytetin e Gostivarit”, pastaj të grumbullojnë e tërë popullatën mashkullore që ishte e aftë të mbajë armatim dhe t’ i vendosin nëpër llogore në ndonjë ndërtesë ku, siç thuhej “do ta gjeni ju që është e përshtatshme për atë çështje. Në të njëjtën kohë të grumbullohet i gjithë armatimi, municioni, si dhe arsenali tjetër ushtarak.”. Është me interes të shpaloset edhe pjesa e dytë e urdhëresës së mësipërme, në të cilën thuhej se aksionin duhej ta kryenin tre brigadat maqedonase, ndërsa brigada shqiptare të vendoset në kazermën e qytetit për të pushuar. Ja se çfarë thuhej në të: “…nga hekurudha Gostivar-Kërçovë deri te rruga Gostivar Dibër do ta kryejë brigada e 15-të; nga rruga Gostivar-Dibër deri te rruga Gostivar-Tetovë do ta kryej brigada e 6-të; Nga rruga Gostivar-Tetovë deri te hekurudha Gostivar-Kërçovë do ta kryej brigada e 1-ë; regjionin deri te distanca e brigadës së parë bllokimin do ta kryej brigada e 15-të; Brigada e 4-të do të vendoset në kazermë e qyt. të Gostivarit për pushim dhe përmes rojës do ta siguroj vetveten”.
Për sa u tha më sipër, vetvetiu shtrohen dy pyetje: Së pari, A është e ndershme që udhëheqja e PKSH-së dhe e UNÇSH-së, vendosjen e njësive ushtarake komuniste jugosllave në trevat verilindore, ta konsideroj si “nacionalçlirimtare”, kur të njëjtat në mënyrë të pamëshirshme masakruan, terrorizuan, plaçkitën popullsinë e pambrojtur shqiptare!?, dhe së dyti: A është e drejtë që shqiptarët e këtyre viseve, vetëm për shkak se mbronin pragun e shtëpisë së tyre të shpallen “kriminel”, “reaksionar” “bandit” siç etiketohen nga histriografia maqedonase, serbe, bullgare e aty këtu edhe nga disa historian shqiptar!?
Këtë qëndrim të kreut të PKSH-së dhe të UNÇSH-së e mbrojti me një fanatizëm të paparë, komandanti i Divizionit të I të UNÇSH-së, Mehme Shehu, në takimin me delegacionin shqiptar të Kërçovës, i cili u mbajt më 12 shtator 1944 në Dibër të Madhe. Të njëjtën ditë, Shehu i shkruante Qemal Agollit për sa më poshtë vijon:
“Delegatët e Kërçovës i gjetëm dhe biseduam me’ta. Asht e mira që të bisedosh edhe t’i me’ta për t’u skjaruar mbi gjendjen. Neve u thamë kështu: Ky delegacion nuk asht i dërguar nga populli i Kërçovës por nga populli dhe nga parija. Neve nuk mund të pranojmë asnjë bisedim dhe asnjë marveshtje me parinë e Kërçovës dhe të Gostivarit, për deri sa ajo pari nuk na paraqitet pa kondita, që të na jap llogari për tradhëtinë që ka bërë deri tash. Populli i Kërçovës duhesh që të më dërgonte një delegacion i cili tishte krejtsisht i çkëputur nga parija. Neve shqiptarët, edhe në qoftë se vimë në Kërçovë, nuk mund të vimë përveç se bashkë me shokët maqedhonas dhe jo vetëm me flamurin shqiptar por patjetër edhe me flamurin maqedhonas. Delegacioni para se të vinte tek neve duhesh t’ishte paraqitur për marëveshje, pranë Shtabit Maqedhonas. Duhet pra që populli i Kërçovës t’a përjashtojë Mefailin dhe tradhtarët e tjerë nga gjiri i tij dhe të hyjë me një herë në marëveshje me Shtabin Maqedhonas. Ndryshe, jo vetëm që nuk do të ketë asnjë ndihmë nga neve po përkundrazi do të detyrohemi që të dërgojmë forca partizane shqiptare të cilat bashkë me forcat partizane maqedhonase do të bëjnë detyrën e tyre për çlirimin e Kërçovës dhe të Gostivarit. Populli i Kërçovës duhet t’a kuptojë se e vetmja rrugë e shpëtimit për t’a është që të bashkohet me një herë me forcat maqedhonase e të ndahet nga tradhtarët e vendit…”.
Të njëjtën ditë, M. Shehu i shkruante edhe Vidoe Smilevskit, ku ndryshe nga letra e parë, këtu, ai është edhe më i qartë, duke u shprehur:
“…Ne partizanët shqiptarë nuk mund të ndërhymjë në punët e Maqedhonisë, pa marrëveshtje dhe bashkëpunim të shkokëve maqedhonas…Edhe në qoftë se neve do të dërgojmë një forcë në Kërçovë nuk do të futemi kurrë vetëm porse me doemos e me çdo sakrificë bashkë me partizanët maqedhonas. Dhe nuk pranohet në asnjë mënyrë që në Kërçovë të shkojnë forca shqiptare me vetëm flamurin shqiptar, porse me doemos edhe me flamurin maqedhonas, duke e respektuar këtë ma tepër se t’onin për në atë vend. Të mos shpresoj populli i Kërçovës se neve partizanët shqiptarë do të shkojmë atje dhe do të pranojmë kompromise duke mbrojtur tradhtarët…Tash neve mejtojmë që edhe në mos ardhshim neve, pllani i veprimit t’uaj të mos pengohet. Në qoftë se e shihni t’arsyeshme dhe të nevojshme që Shtabi i këtij Divizioni t’i bëjë nji thirrje popullit të Kërçovës, simbas udhëzimeve t’uaja na njoftoni menjëherë që t’u a dërgojmë thirrjen për kontrollim dhe për shpërndarje, duke na e njoftuar gjendjen me hollësi dhe listën e tradhtarëve që duhet të dënohen edhe nga neve me anën e traktatit. Kemi bindje se delegasioni ka mbetur i bindur se midis nesh dhe jush nuk ka asnjë ndarje dhe përçarje. Dhe tash s’kanë nga ja mbajnë veçse të kapitullojnë me hir ose pa hir…”.
(Fund)