Demonstratat e Kosovës, do të shfrytëzohen edhe nga udhëheqja komuniste maqedonase për të ndërmarrë masa të dhunshme, kundër inteligjencies shqiptare në përgjithësi, e kundër punonjësve të arsimit në veçanti. Kuvendi i RSM-së – Dhoma Shoqërore, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, miratoi Konkluzionin, kushtuar procesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku vihej në dukje se në të “ishin vërejtur dukuri të ndikimeve të huaja dhe paraqitje të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Nuk vonoi shumë, Komisioni i përbashkët i Kuvendit të RSM-së hartoi Projektrezolutën për realizimin e dispozitave kushtetuese për “barazinë e kombësisë shqiptare e turke me kombin maqedonas”, e cila u soll në mbledhjen e përbashkët të tri dhomave të Kuvendit të RSM-së, që u mbajt më 29 prill të vitit 1971. Në Rezolutë përfshiheshin disa fusha në të cilat kërkohej angazhim më i madh i organeve republikane e komunale, për zbatimin konsekuent të dispozitave kushtetuese e ligjore, si: barazia gjuhësore, zgjidhja përfundimtare e problemit të arsimit shqiptar në republikë, zhvillimi më i përshpejtuar i kulturës, ku kërkohej që Radio Televizioni i Shkupit të përfshijë më shumë programe në gjuhën shqipe, pastaj Flaka e Vëllazërimit të shpallet si gazetë ditore, krijimi i kushteve për punën e Teatrit të Kombësive në Shkup, përdorimi i flamujve të kombësive etj. Për realizimin e veprimtarisë së detyrave nga kjo rezolutë, Këshilli Ekzekutiv kishte për detyrë ta njoftojë Kuvendin e Republikan. Njëkohësisht, Rezoluta i obligonte edhe kuvendet komunale si dhe organizatat punuese dhe organizatat tjera, që në kuadër të drejtave dhe obligimeve të tyre të vërtetuara me Kushtetutë, të bënin studimin dhe ta shqyrtonin gjendjen dhe problemet në lidhje me “realizimin e barazisë së kombësive në territoret e tyre dhe me aktet e tyre të përgjithshme t’i caktojnë detyrat dhe masat që të sigurojnë realizimin e plotë e konsekuent të dispozitave kushtetuese për barazinë dhe të qëndrimeve të përfshirë në këtë rezolutë”.
I njëjti Komision, më 12 shtator 1971, botoi Projekt tekstin e 26 amendamenteve Kushtetuese, përkatësisht nga amendamenti XV deri XL, që duhej të bëheshin pjesë përbërëse e Kushtetutës së RSM-së. Të gjitha amendamentet ishin me rëndësi, sepse përmes tyre ndryshohej në masë të madhe fizionomia e sistemit shoqëror, ku maqedonasit, shqiptarët dhe turqit si dhe grupet etnike, “të drejtat e tyre do t’i realizonin në Republikë”, ndërsa në Federatë, vetëm kur ajo ishte “në interesin e përbashkët” të përcaktuar me Kushtetutën e RSFJ-së. Me fjalë tjera, këto ndryshime përforconin pozitën e republikës dhe të komunave, ndërsa Federata sa vinte e dobësohej.
Me publikimin e projekt amendamenteve filloi debati publik, i cili zgjati plot një muaj, ku u përfshinë një numër i madh i institucioneve dhe organizatave shkencore, politike, kulturore, ekonomike etj. Në raportin për rezultatet e arritura nga debati, që Komisioni për çështje kushtetuese ia dërgoi më 19 nëntor 1971 Kuvendit të RSM-së, thuhej: “Debati publik rreth Projektit të amendamenteve kushtetuese pati karakter jashtëzakonisht të gjerë dhe përbënte lëvizje të gjerë e domethënëse të qytetarëve” sepse siç vihet në pah, “i njëjti shënoi pjesëmarrje masive të njerëzve punonjës e të qytetarëve gjatë tubimeve të organizuara nga organizatat punuese, bashkësive lokale, organizatave shoqëror-politike…etj”. Për shqiptarët, më me interes përbënin amendamentet XV, XVI dhe XVII, përmes të cilëve definoheshin të drejtat e tyre kombëtare, politike, kulturore, arsimore e ekonomike. Kështu, pikat 4, 5 , 6 dhe 7 të amendamentit XVII, përcaktonin kushtet e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe asaj turke, ku thuhej:
“…4. Në viset ku jetojnë pjesëtarët e kombësive, në jetën publike e shoqërore, gjuha dhe shkrimi i kombësive janë të barabarta me gjuhën maqedonase.
Në komunat, në territorin e të cilave – jetojnë pjesëtarët e kombësive, vendimet dhe aktet tjera më të rëndësishme të kuvendeve komunale dhe të organizatave punuese publikohen edhe në gjuhët e kombësive. Mbishkrimet publike në këto territore janë edhe në gjuhët e kombësive.
- Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe shkrimit të tyre në realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre, si dhe në procedurën para organeve dhe organizatave shtetërore që kryejnë shërbime publike.
- Me ligj dhe me statut të komunës përcaktohen më përsëafërmi kushtet dhe procedurat që sigurojnë realizimin e të drejtave të kombësive dhe grupeve etnike, si dhe mënyrën dhe kushtet për përdorimin e barabartë të gjuhëve dhe shkrimeve të kombësive me gjuhën maqedonase në territoret ku jetojnë kombësitë.
- Me akte të përgjithshme të organizatave të punës së bashkuar dhe të organizatave tjera vetëqeverisëse përcaktohet mënyra dhe kushtet për përdorimin e barabartë të gjuhëve të kombësive me gjuhën maqedonase, në territoret ku jetojnë kombësitë…”.
Për sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se gjuha shqipe në RS të Maqedonisë, përkundër një avancimi të dukshëm që e përjetoi gjatë viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, megjithatë ajo ngeli si gjuhë lokale, sepse përdorimi i saj zyrtar nuk u përfshi në mbarë territorin e asaj ish republike jugosllave, por vetëm në komunat ku shqiptarët përbënin shumicën apo pjesë të rëndësishme të popullsisë si: Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Kumanovë, Dibër, Strugë, si dhe pjesërisht në tri komunat e Shkupit, Çair, Karposh dhe Qendër, por jo edhe vetë qyteti i Shkupit.
Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, udhëheqja komuniste jugosllave u vërsul ndaj institucioneve shkencore, arsimore e kulturore shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Kryetari i KQ të LKJ-së, Llazar Mojsov, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në fund të vitit 1981, ndër të tjerave kërkoi që studiuesit shqiptarë “të mos hulumtojnë” dhe të mos u bëjnë të njohur brezit të ri “trashëgiminë kulturore të kombit shqiptar” dhe të kaluarën e tij historike. Ndërkoh Fadil Hoxha, në Konferencën Krahinore të LK të Kosovës, e cila u mbajt më 25-26 prill 1982, duke e sulmuar inteligjencën shqiptare të Kosovës, ndër të tjerave u shpreh se “duhet t’i lajmë hesapet ideogjikisht dhe politikisht edhe me ata njerëz, të cilët nën maskën e shkencës dhe të dijeve përpiqen që rininë tonë ta kthej nga e kaluara, ta lëkundë atë nga rruga jonë, të mbjellë dyshime…”.
Demonstratat e Kosovës, do të shfrytëzohen edhe nga udhëheqja komuniste maqedonase për të ndërmarrë masa të dhunshme, kundër inteligjencies shqiptare në përgjithësi, e kundër punonjësve të arsimit në veçanti. Kuvendi i RSM-së – Dhoma Shoqërore, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, miratoi Konkluzionin, kushtuar procesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku vihej në dukje se në të “ishin vërejtur dukuri të ndikimeve të huaja dhe paraqitje të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”. Nisur nga një konstatim i tillë, Dhoma, ngarkoi Sekretariatin Republikan për Arsim dhe Shkencë të ndërmerrte masa përkatëse, për “kualitetin moralo-politik” të kuadrit arsimor me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa, në bashkëpunim me organet e organizatat tjera, të “kryej inspektim të menjëhershëm në të gjitha librat shkollore dhe literaturën ndihmëse me mësim në gjuhën shqipe”, dhe nëse do të konstatoheshin “dukuri të tilla, t’i tërheqë nga përdorimi”. E një rëndësie të veçantë për t’u theksuar është, pika 6 e Konkluzioneve, ku thuhej shprehimisht: “Dhoma vë në dukje edhe për nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave nga këndvështrimi ideor dhe edukativ dhe për situatat në historiografi”.
Për rrjedhojë, Sekretariati për Arsim dhe Shkencë, në bashkëpunim me Entin Republikan për zhvillimin e edukimit dhe arsimit, entet përkatëse komunale dhe Shtëpinë Botuese “Prosvetno Dello”, në korrik të vitit 1981, hartoi një informatë, e cila ofronte një pasqyrë më të zgjeruar rreth “qasjes dhe realizimit të veprimtarisë edukativo-arsimore me mësim në gjuhën shqipe”, përkatësisht, prezantim të “arritjeve” të veprimtarisë në këtë fushë. Në pjesën ku përshkruheshin planet dhe programet mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, thuhej se ishin përfshi vepra të autorëve nga RPS e Shqipërisë, të cilat, përpunonin ngarje nga e kaluara më e vjetër e kombit shqiptar e deri te periudha e pasluftës.
“…Kjo letërsi, thuhet në informatë, nuk ka elemente që i përkasin luftës së kombeve e kombësive jugosllave…Këto vepra janë ribotuar në KSA të Kosovës dhe nuk kanë tekste shoqëruese nga kritikët tanë letrarë, parathënie, pasthënie, e me këtë është vështirësuar përpunimi dhe ndërtimi i qëndrimit kritik tek nxënësit…”.
Përveç kësaj, në lekturën shkollore, ishin parapa edhe shkrimtarët më të njohur shqiptar: Ismail Kadare dhe Dritoro Agolli, për të cilët në Informatë thuhej se “menjëherë pas ngjarjeve të paradokohshme në KSA të Kosovës”, kishin dalur me një qëndrim kundër Jugosllavisë. Sa i përket teksteve shkollore, theksohej se, si “dobësi më të mëdha”, ishin konstatuar, në librat e leximit të gjuhës shqipe nga klasa V e deri te VIII, në të cilat “dominonin tekstet e autorëve nga RPS e Shqipërisë”, përfshi këtu edhe shkrimtarët bashkëkohorë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sterjo Spase, Fatos Arapi, Naum Prifti, Thoma Kaçorri, Fatmir Gjata, Spiro Çomora etj., që sipas informatës: “krijohet hapësirë e mjaftueshme për indoktrinimin e drejtpërdrejtë të gjeneratës së re dhe, me temat, idetë dhe porositë që i ofrojnë, nxisin ndjenja nacionaliste”.
Në bazë të Informatës së mësipërme, Sekretariati për Arsim dhe Shkencë në bashkëpunim me “Prosvetno Dello” dhe me Entin Republikan për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit, më 15 korrik 1981 formoi një grup punues me detyrë që: “të bëj vlerësimin dhe përcaktimin e funksionit ideoro-edukativ të librave të leximit nga klasa V-VIII me mësim në gjuhën shqipe”, si dhe “ta përcaktoj shkallën e përputhshmërisë së librave të leximit me kërkesat programore”. Grupi punues në përbërje: Shaban Shehu, kryetar, Sefedin Sulejmani, Luan Starova, Petro Janura (i cili nuk mori pjesë në asnjë mledhje të grupit), Avni Zllatku, Stevan Zorba, Xhevat Gega, Vojo Jakovski, Dragan Mishkoski, Pavle Petrov, Atanas Nikolloski dhe Islam Karanfili anëtarë, më 22 korrik 1981 i prozonte Këshllit Pedagogjik Republikan që: “Librat e leximit për klasë të V, VI, VII dhe VIII në gjuhën mësimore shqipe të lihen jashtë përdorimit”. Ky propozim i anëtarëve të Grupit erdhi, për shkak se sipas botëkuptimeve të tyre, librat e leximit nga pikëpamja programore nuk “përputheshin me qëllimet dhe detyrat e mësimit për gjuhën mësimore shqipe sipas programit të miratuar në vitin 1972”, se në to, na qenkan vendosur, tekste të cilat “binin ndesh me përcaktimet ideologjike-marksiste të edukimit dhe arsimit të shoqërisë” socialiste vetëqeverisëse jugosllave, se në ato tekste, nuk na qenka përfaqësuar në përmasa të mjaftueshme “LNÇ-ja dhe revolucioni socialistë, vëllazërim bashkimi dhe uniteti i kombeve e kombësive jugosllave, roli i LKJ-së, ndërtimi socialistë vetëqeverisës dhe vlerat tjera” jugosllave, dhe së fundi, gjatë përzgjedhjes së teksteve, na paska munguar “kriteri dhe vlerësimi më i fortë sipas përcaktimeve ideologjike, përfaqësimit të autorëve, aktualitetit dhe funksionit të tyre në edukimin e nxënësve”.
Në bazë të propozimit të Grupit punues, Këshillit Pedagogjik Republikan, në mbledhjen e mbajture më 28 gusht, vendosi që librat e leximit për shkollat fillore në RS të Maqedonisë me mësim në gjuhën shqipe, për klasë të V, të autërve Adnan Agai dhe Kimete Agai, si dhe të klasëve: VI, VII dhe VIII të autorit Ali Aliu, “nga fillimi i vitit shkollor 1981/82 vendosen jashtë përdorimit”, si dhe, pranë “Prosvetno Dellos”, të formohet grup redaktues, për përzgjedhjen e teksteve për shfrytëzim të përkohshëm në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.
Siç është e njohur, KQ i LKJ-së, në mbledhjen e tij të nëntë e cila u mbajt më 3 qershor 1987 në Beograd, solli Konkluzionet të titulluar “Realizimi i qëndrimeve të LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe unitetin në Kosovë”. Në to ndër të tjerave thuhej se përkundër përpjekjeve të dukshme nga ana e Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës “për eliminimin e shkaqeve dhe pasojave të nacionalizmit shqiptar në Kosovë”, megjithatë atje nuk janë duke u realizuar disa “detyra me rëndësi nga Platforma Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë dhe Rezolutës së Kongresit të XIII të LKJ-së për Kosovën”. Menjëherë pas kësaj, udhëheqja komuniste maqedonase, nën preteksin e realizimit të këtyre konkluzioneve, solli Programin operativ për “detyrat e drejtpërdrejta të anëtarëve, organizatave e organeve të LKM-së” në realizimin e konkluzioneve të mësipërme. Në pikën 27 të atij programi thuhej shprehimisht: “Anëtarët e LK-së në LSPPM-ë dhe në organet përkatëse shtetërore duhet të iniciojnë të shqyrtohet në tërësi gjendja në kuptimin e përdorimit të drejtë të gjuhës dhe shkrimit maqedonas si dhe gjuhët dhe shkrimet e kombësive; përdorimi i drejtë i emrave të vendbanimeve dhe termeve tjera gjeografike, dhe mbi këtë bazë të iniciojnë masa e aktivitete përkatëse në pajtueshmëri me normat kushtetuese e ligjore për tejkalimin efikas e të shpejtë të dobësive e mangësive ekzistuese”.
Rrjedhimisht, Drejtoria e RTV – Shkupit solli vendim me të cilin urdhëroheshin dy redaksitë në gjuhën shqipe, redaksia e Radios dhe ajo e Televizionit, që në të ardhmen emrat e vendbanimeve, përkatësisht të qyteteve t’i përdorin me toponime sllave, si p.sh. Shkupit – Skopje, Tetovës – Tetovo, Kërçovës – Kiçevo, Dibrës – Debar, Manastirit – Bitolla etj. Ngjashëm si RTV – Shkupi, veproi edhe udhëheqja e ShB “Prosvetno Dello”, por edhe institucionet dhe organizatat tjera informative, arsimore e kulturore, në përjashtim të udhëheqjes së Redaksisë së Flakës së Vëllazërimit, e cila përkundër presionit të madh që pati nga pushtetarët e atëhershëm komunist maqedonas, vazhdoi edhe më tej t’i përdorte toponimet shqipe.
Kundër këtij vendimi arbitrar të Shkupit zyrtar, dolën tre akademikët e njohur shqiptarë të Kosovës: Akad. Gazmend Zajmi, Akad. Idriz Ajeti dhe Akad. Rexhen Qosja, të cilët më 4 qershor 1988 ngritën një iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese e RSFJ-së, për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së aktit të Radio-Televizionit të Shkupit – redaksitë në gjuhën shqipe për “shqiptimin e toponimeve në RS të Maqedonisë vetëm në bazë të theksimit leksikor të gjuhës maqedonase” në emisionet në gjuhën shqipe. Në këtë iniciativë, ata ndër të tjerave, theksojnë se ishte e njohur botërisht se në bashkësitë dhe mjediset e përziera nacionale-gjuhësore, në indin gjuhësor të kombeve të ndryshme “ekzistojnë toponime të ndryshme gjuhësore”, që ndër të tjera konsiderohet si rezultat i ligjshmërive zhvillimore të pavarura të strukturës morfologjike dhe fonetike të gjuhëve të caktuara edhe kur emrat e vendeve kanë prejardhje të përbashkët leksikore (p.sh: Skopje, Skoplje, Shkupi, Yskyp; Debar, Dibër etj), “Prandaj – shprehen ata – i takon lirisë nacionale të pranuar përgjithësisht, që çdo bashkësi nacionale, çdo entitet nacional në formën e folur dhe të shkruar të gjuhës amtare të përdorë toponime të materialit të vet gjuhësor, në pajtim me natyrën e asaj gjuhe. Një e drejtë e këtillë është edhe më e natyrshme dhe organike në aspektin e emërimit të vendeve ku zhvillohet një jetë e përbashkët”.
Në vazhdim ata duke u mbështetur në shkrimet e gazetës së atëhershme në gjuhën maqedonase “Nova Makedonija”, por edhe nga shkrimet e mjeteve tjera të informimit, kishin qenë të informuar se me aktin e përmendur të Radio Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), ishte vendosur që në emisionet në gjuhën shqipe, “toponimet në RS të Maqedonisë të shqiptohen vetëm në bazë të rrënjës (indit) leksikore të gjuhës maqedonase”, që kjo praktikisht nënkuptohet “ndalim dhe përjashtim i përdorimit sipas toponimeve tradicionale të gjuhës shqipe dhe një gjë e këtillë bëhet pikërisht aty ku emisionet gojore janë vetëm në gjuhën shqipe”. Sipas tyre, akti kontestues i Radio-Televizionit të Shkupit (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe), me të cilin shkelen liritë dhe të drejtatr kushtetuese që toponimet të shqiptohen dhe të shkruhen në gjuhën e vet amtare “është në kundërshtim flagrant me nenin 170, paragrafin 1 të Kushtetutës së RSFJ-së dhe nenin 247 të kësaj Kushtetute”.
Ndaj iniciativës së akademikëve shqiptar të Kosovës, pati reagime të shumta nga ana e drejtuesve politik maqedonas, të cilëve iu bashkangjit edhe kryetari i Kuvendit të RS të Maqedonisë, Vullnet Starova, i cili në fjalimin e mbajtur më 28 dhjetor 1988 para aktivit politik të Tetovës, sulmoi inteligjencën shqiptare të Kosovës, se gjoja ajo “nga viti 1981 e këndej plason situata të trilluara dhe të pavërteta”, në lidhje me pozitën e shqiptarëve në RSM.
“…Këto situata të trilluara, thekson Starova, për fat të keq, në mjedise të caktuara në vend, pranohen si të sakta dhe ato gjykohen në mënyrë të paargumentuar. Se ky është qëllimi i tyre flet edhe fakti se nga viti 1981 deri më sot, numri më i madh i pjesëtarëve të kombësisë shqiptare nga RSM-ja, ndaj të cilëve ju është shqiptuar masa ideopolitike për shkak dukurive nga pozitat e nacionalizmit e separatizmit shqiptaro-madh kalojnë në KSA të Kosovës dhe atyre u jepet vende me përgjegjësi nëpër institucionet arsimore, kulturore etj. Në paraqitjet e tyre, vazhdon Starova, këto zëra të fuqishëm të ideologjisë shqiptaro-madhe nacionaliste e separatiste, të verbuar në rastet dhe nga ngjarjet e trilluara, shprehin mosbesim decid edhe në institucionet e caktuara kushtetuese, mekanizmave dhe subjekteve të sistemit politik e juridik të RS të Maqedonisë dhe RSFJ-së. Për ta janë jolegale vendimet e kuvendeve komunale, arbitrazhi për këto çështje të trupave të Kuvendit Federativ, madje edhe vendimi i fundit i Gjyqit Kushtetues të Jugosllavisë për harmonizimin e Kushtetutës së RSM-së me Kushtetutën e RSFJ-së kur janë në pyetje dispozitat për barazinë e gjuhëve dhe shkrimet të kombësive…”.
Ndryshe nga klika komuniste maqedonase, në mbështetje të akademikëve shqiptarë, doli shoqëria civile shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, por edhe shtypi i atëhershëm demokratik në Kroaci e Slloveni. Mirëpo udhëheqja komuniste maqedonase nuk e pa të arsyeshme të njëjtin ta tërheqë, përkundrazi, disa institucione, si p.sh. “Prosvetno Dello”, e cila asaj kohe gëzonte të drejtën ekskluzive për botimin e teksteve, përkatësisht të librave shkollor, vazhdoi t’i përdorte toponimet sllave edhe pas viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, diçka që e acaronte tej mase opinionin e gjerë shqiptar në përgjithësi, e mësimdhënësit dhe nxënësit në veçanti. (fund)