Programi politik prej 50 faqeve dhe 90 pikave, krahas pjesës hyrëse, ndahej në katër kapituj të veçantë dhe më shumë nënkapituj. Në pjesën hyrëse, pika 2, ndër të tjerave kërkohej marrja e masave energjike nga organet shtetërore të KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe të RSFJ-së, që në një afat sa më të shkurtë të mënjanoheshin “shkaqet e lëkundjeve serioze në marrëdhëniet ndërnacionale të krijuara me veprimin afatgjatë të nacionalizmit e separatizmit shqiptar”
Nga Qerim LITA
Më 26 qershor të vitit 1987, u mbajt mbledhja e nëntë e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (KQ LKJ), në të cilën u sollën Konkluzionet të titulluar: “Realizimi i qëndrimeve të LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe unitetin në Kosovë”. Në to ndër të tjerave thuhej se përkundër përpjekjeve të dukshme nga ana e Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës “për eliminimin e shkaqeve dhe pasojave të nacionalizmit shqiptar në Kosovë”, megjithatë atje nuk janë duke u realizuar disa “detyra me rëndësi nga Platforma Politike për aksionin e LKJ-së në Kosovë dhe Rezoluta e Kongresit të XIII të LKJ-së për Kosovën”. Si problem më i rëndë në Kosovë, sipas hartuesve të konkluzioneve ishte mosrealizimi i politikës së LKJ-së në dy çështje esenciale:: “shpërngulja e serbëve e malazezëve” dhe përkeqësimi i gjendjes ndërnacionale”.
Në pjesën e fundit të pikës së pestë të konkluzioneve, vihej në dukje kundërshtimi i hapur i udhëheqjes komuniste jugosllave ndaj disa qëndrimeve të përfshira në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për çka KQ i LKJ-së e ngarkonte KK të LK të Kosovës t’i shqyrtoj të gjitha “pasojat” që vinin si rrjedhojë e sjelljes “jo kritike” ndaj qëndrimeve të asaj rezolute. Lidhur me këtë, por edhe për shkaqet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkohej përgjegjësi ideopolitike për një pjesë të caktuar të udhëheqësve politik shqiptarë, të cilët me vite të tëra kishin bartur funksione të larta partiake e shtetërore në Krahinë e në Federatë, e të cilët sipas vlerësimeve të udhëheqjes komuniste jugosllave, kishin pasur ndikim vendimtar në krijimin e politikës së atëhershme që kishte sjell “deri te shpërthimi i nacionalizmit e separatizmit shqiptar”. Për këtë arsye, theksohej më tej në konkluzione duhet deri në fund të sqaroheshin politikisht se “çfarë marrëdhënie konkrete kanë pasur dhe kanë kuadrot e caktuar ndaj nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar dhe ideologjisë së saj”, si dhe çfarë qëndrimi kanë ndaj politikës së aksioneve të tanishme të LKJ-së në “demaskimin e saj” si dhe ndaj masave e aksioneve të ndërmarra në Kosovë. Nisur nga kjo KQ i LKJ-së e obligonte KK të LK të Kosovës që të ngrejë çështjen e përgjegjësisë ideopolitike për këta udhëheqës të lartë politik, dhe për këtë ta njoftonte me kohë “anëtarësinë e LKJ-së dhe opinionin e gjerë jugosllav”.
Të njëjtën ditë kur u mbajt mbledhja e Komitetit Qendror, një grup prej rreth 400 qytetarëve të kombësisë serbe e malazeze nga Kosova udhëtuan për në Beograd, për të protestuar para ndërtesës së Komitetit Qendror të LKJ-së. Turmës iu bashkuan edhe disa ultranacionalistë të njohur serb, si Vojisllav Sheshel, Miodrag Bullatoviç, Millan Komneniç, Velimir Cvetiç etj. Ky i fundit përmes një telegrami dërguar KQ të LKJ-së kërkonte “marrjen e masave radikale” ndaj siç do të shprehet “fashistëve, ballistëve dhe nacionalistëve shqiptarë”. Para turmës folën më shumë vetë, në mesin e tyre edhe historiani serb nga Kosova, Danillo Axhiç, i cili ndër të tjerave tha: “Do t’i shkatërrojmë këta armiq tanë të Jugosllavisë, do t’i shkatërrojmë me armë të ndritshme e heroike. Ne, që të gjithë, do të ngrihemi me armë në dorë…”. Duhet të vëmë në dukje faktin se tubime të tilla nga ana e serbëve dhe malazezëve organizoheshin në të gjitha kryqendrat dhe qytetet më të mëdha të republikave të atëhershme jugosllave dhe KSA të Vojvodinës, në përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë, në të cilat tubime shfaqeshin parulla raciste dhe antishqiptare si: “vdekje shqiptarëve”, “duam armë”, “shkojmë në Kosovë”, “shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemura” etj. Sipas një anketë të kryer nga ana e Institutit për hulumtime të opinionit publik pranë Universitetit “Eduard Kardel” në Lubjanë, tubimet e organizuara nga ana e serbëve dhe malazezëve, nga pjesë dërmuese e të anketuarve vlerësoheshin si “përpjekje për mbisundim të Serbisë dhe për unitarizëm në Jugosllavi”, ndërsa si politikanë me mbështetje më të ulët, renditeshin: Sllobodan Millosheviç, Branku Mikuliç dhe Stane Dollanc.
Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKJ-së, me 21 korrik 1987, solli “Programin Operativ”, i cili në mënyrë të detajuar i përshkruante masat dhe aktivitetet që duhej të ndërmerreshin nga institucionet e ndryshme shoqëroro-politike, në realizimin e konkluzioneve të mësipërme. Ndër masat që përfshiheshin në program, po e veçojmë atë të kontrollit dhe mbikëqyrjes së rreptë të mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, me arsyetimin se ato, problemet në KSA të Kosovës i trajtuakan “në mënyrë senzacionale” dhe në kundërshtim me qëndrimet e përcaktuara në Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, për çka nga Komisioni për veprimtari informative-propagandistike pranë KK të LK të Kosovës, kërkohej që kryeredaktorëve të atyre mediumeve t’u tërhiqej vërejtja rregullisht “për lëshimet në angazhimin e mediumeve publike”.
Në kushte të këtilla, Kuvendi Federativ i RSFJ-së në seancën e mbajtur më 23 nëntor 1987, në mënyrë unanime, pa asnjë votë kundër, e solli “Programin jugosllav për masat e aktivitetet për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre, të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë”.
Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për hartimin e atij programi antishqiptar, para deputeteve gjerësisht foli Stojan Andovi, sipas të cilit, “shpërngulja e serbëve dhe malazezëve nga Kosova” përbënte problemin më të rëndë moral, politik dhe shoqëroro-ekonomik të shoqërisë jugosllave, i cili siç theksoi: “shprehet një periudhë të gjatë kohore, ndërsa pas ngjarjeve kundërrevolucionare në vitin 1981 vazhdoi me një intensitet edhe më të theksuar, që solli deri te ndryshimi i lartë dhe brengosës i strukturës nacionale të popullsisë në Kosovë”.
“Në përputhje me vendimet e mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së, shprehet në fund Andovi, detyrimisht duhet të ndërmerren masa radikale nga ana e organeve shtetërore e vetëqeverisëse në KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe nga mbarë bashkësia jugosllave, që për një afat sa më të shkurtër të mënjanohen shkaqet e përkeqësimit serioz të marrëdhënieve ndërnacionale që është rezultat i veprimtarisë së stërzgjatur të nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe me vendosmëri të realizohet politika e barazisë së plotë nacionale”.
Programi politik prej 50 faqeve dhe 90 pikave, krahas pjesës hyrëse, ndahej në katër kapituj të veçantë dhe më shumë nënkapituj. Në pjesën hyrëse, pika 2, ndër të tjerave kërkohej marrja e masave energjike nga organet shtetërore të KSA të Kosovës, RS të Serbisë dhe të RSFJ-së, që në një afat sa më të shkurtë të mënjanoheshin “shkaqet e lëkundjeve serioze në marrëdhëniet ndërnacionale të krijuara me veprimin afatgjatë të nacionalizmit e separatizmit shqiptar”.
Ndërsa, në pikën 5 dhe 6, parashihej ndërhyrja në aktet normative, përkatësisht ndryshimet dhe plotësimit të ligjeve të caktuara dhe të dispozitave tjera dhe të akteve dhe planeve të përgjithshme, me çka do të mundësohej realizimi sa më i shpejtë dhe sa më efikas të programit, i cili përfshinte kolonizimin e Kosovës me elemente sllave. Është me interes të ndalemi në kapitullin e dytë, pika 58, ku thuhet tekstualisht që “parcelat, shtëpitë dhe banesat e njerëzve të shpërngulur e të cilët kthehen në Kosovë si dhe personat që pasuri të tillë posedojnë jashtë Kosovës, ndërsa jetojnë e punojnë në Kosovë, t’i blejnë bashkësitë shoqërore-politike jashtë Kosovës, ose organizatat e bashkuara punuese t’u mundësojnë pronarëve të atyre pronave të patundshme që me ato mjete e të tjera të ngrenë objekte banesore në territorin e KSA të Kosovës që ata kthehen, përkatësisht ku tash jetojnë dhe punojnë në Kosovë”. Po aq me interes është edhe pika 59, ku në mënyrë të hapur e arbitrare kërkohej ndryshimi i planeve urbanistike të tokës shoqërore, me qëllim të mundësimit të shpërndarjes së parcelave për ndërtimin e shtëpive nëpër fshatra e lagje për serbët e malazezët të cilët na paskan shprehur “dëshirë” për t’u kthyer në Kosovë.
Në kapitullin e katërt (të fundit), përshkruhej mënyra e realizimit të programit jugosllav kushtuar Kosovës. Në të ndër të tjerave ngarkoheshin: Kuvendi i RSFJ-së, kuvendet e republikave dhe kuvendet e krahinave autonome t’i shqyrtonin rregullisht raportet e organeve të tyre ekzekutive për realizimin e programit në fjalë si dhe të Platformës politike të KQ LKJ-së për Kosovën, Rezolutën e Kongresit të XIII të LKJ-së, Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, konkluzionet dhe masat e aksionet e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së si dhe Konkluzionet e Kuvendit të RSFJ-së dhe kuvendet e RS të Serbisë dhe KSA të Kosovës. Krejt në fund kërkohej nga Kuvendi i RSFJ-së të themelonte komision të veçantë për vëzhgimin e zbatimit të këtij Programi jugosllav për Kosovën, si dhe për koordinimin e masave e aktiviteteve të parapara për realizimin e këtij programi, i cili do të ishte si trup i përhershëm punues i dy dhomave të Kuvendit të RSFJ-së, i përbërë nga delegatët e të gjitha republikave dhe krahinave autonome.
Në përputhshmëri me Programin jugosllav për Kosovën, gjatë vitit 1987/88, nga ana e institucioneve partiake e shtetërore federative, republikane e krahinore u sollën një sërë programesh operative kundër popullit shqiptar nën Jugosllavi në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti. Kështu, Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, në janar të vitit 1988, solli “Programin e veçantë” të masave, në zbatimin e “Programit jugosllav për Kosovën”, në të cilin si detyra prioritare veçoheshin:
“Zbulimi dhe pengimi i veprimtarisë ilegale dhe të veprimtarive tjera subversive të nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë në krijimin e kushteve të rënda për jetesë të serbëve dhe malazezëve dhe të banorëve tjerë jo shqiptarë në Kosovë; ndjekja dhe hulumtimi i metodave, formave, të kryerësve dhe nxitësve të të gjitha formave të presionit të orientuar kah shpërngulja; hulumtimi i burimeve të financimit të veprimtarisë së nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë, si dhe burimet e mjeteve financiare për blerjen e pronave të serbëve dhe malazezëve me çmime tepër të larta; hulumtimi i lidhjeve të nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë me shërbimin informativ shqiptarë dhe me emigracionin armiqësor shqiptarë dhe të aksioneve konkrete të presionit të orientuar kah shpërngulja e serbëve dhe malazezëve me qëllim të krijimit të një Kosove etnikisht të pastërt; zbulimin dhe analizimin e burimit dhe të formës së riprodhimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar…etj.”.
Programi parashihte edhe inspektimin e jashtëzakonshëm nga ana e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror Federativ dhe drejtorive përkatëse të: RS të Serbisë, RS të Maqedonisë, RS të Malit të Zi, KSA të Kosovës dhe KSA të Vojvodinës në “veprimtarinë kundërzbuluese ndaj shërbimit informativ shqiptar, emigracionit politik shqiptar dhe organizimin e veprimtarisë zbuluese ndaj RPS të Shqipërisë. Për rrjedhojë, në Kosovë gjatë viteve 1987-1989, qenë stacionuar qindra agjentë të shërbimit sekret nga: Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Vojvodina, të cilët në mënyrë të paskrupullt e torturuan popullsinë shqiptare në Kosovë.
Më 29-30 korrik 1988 në Beograd u mbajt mbledhja e 16 e KQ të LKJ-së, në të cilën si temë boshte ishte “realizimi i Konkluzioneve të mbledhjes së 9 të KQ të LKJ-së për Kosovën”. Anëtari i Kryesisë së KQ të LKJ-së, Franc Shetinc, në fjalën hyrëse, ndër të tjerave tha se “përshkallëzimi i nacionalizmit në të gjitha pjesët e Jugosllavisë po e vështirëson stabilizimin e rrethanave në Kosovë”.
Sipas tij, mosmarrëveshjet rreth dukurive të tilla e të ngjashme, shpeshherë kishin qenë preokupimi i udhëheqjes politike jugosllave, në vend se “të konsultohemi e të merremi vesh”, në mënyrë të barabartë e të argumentuar “për aksionet e përbashkëta” për daljen nga vështirësitë e mëdha. Politikani slloven, foli edhe për tubimet e serbëve e malazezëve nga “Kosova” të organizuara nga disa shoqata ultranicionaliste serbe, ku ndër të tjerave ai tha:“Tubime mbi baza nacionale, protestat publike, shkuarjet masive në mjedise të tjera dhe format e ndryshme të presioneve jodemokratike nuk janë rrugë e drejtë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara. Nuk është kjo rrugë që shpie drejt përmirësimit dhe konsultimeve e marrëveshjeve më të suksesshme për situatën tonë të rëndë, kjo vetëm keqëson gjendjen e rënduar me rreziqe të përmasave tragjike…Nuk bënë të lejojmë të përdoren kritere të ndryshme për nacionalizmin, që nacionalizmat të renditen e vlerësohen sipas asaj – a janë më shumë apo më pak të rrezikshëm, a janë primarë apo sekondarë, shkak apo pasojë…Përse të jetë cilido, pra edhe nacionalizmi e revanshizmi serb…., më pak i rrezikshëm se nacionalizmi shqiptar? Në bazë të cilit kriter dhe në emër të cilit parim?”.
Dy muaj pas kësaj u mbajt edhe mbledhja e 17 e KQ të LKJ-së, në të cilën u dha vlerësimi i përgjithshëm se pas mbledhjes së 16 të KQ të LKJ-së, edhe më tej ishte ashpërsuar situata e tërësishme politike në Jugosllavi në përgjithësi, e në Kosovë në veçanti.
“Me gjithë përpjekjet e rëndësishme dhe aktivitetet e shumta që janë zhvilluar, thuhej në më tej në vlerësimet e KQ të LKJ-së, nuk u realizuan Konkluzionet e KQ të LKJ-së në çështjet më të rëndësishme kyçe të jetës shoqërore-politike. Marrëdhëniet ndërnacionale u keqësuan, shpërngulja e serbëve dhe malazezëve ka vazhduar, nuk është siguruar siguria e plotë personale dhe siguria e pasurisë së qytetarëve, e posaçërisht të nacionalitetit serbë e malazias, nuk ka pasur vendosshmëri të duhur për mbrojtjen e kushtetutëshmërisë e të ligjshmërisë…”.
Komiteti Qendror i LKJ-së, konsideronte se përgjegjësinë më të madhe për “përkeqësimin e situatës në Kosovë”, si dhe për “mosrealizimin e qëllimeve të LKJ-së në çështjet kyçe”, e mbante Komiteti Krahinor i LK të Kosovës dhe Kryesia e tij. “Për këtë arsye, theksohej në fund të vlerësimeve, Komiteti Qendror i LKJ-së, në pajtim me pikën 53 të Statutit të LKJ-së ia tërheq vërejtjen Komitetit Krahinor të LK të Kosovës dhe Kryesisë së tij dhe i obligon që ta përcaktojnë përgjegjësinë individuale të anëtarëve të vetë për mosrealizimin e detyrave të përcaktuara dhe t’i ndërmarrin të gjitha masat në pajtim me qëndrimet e Kongresit të 13-të dhe të Mbledhjes së 9-të të KQ të LKJ-së për Kosovën, për stabilizimin e gjendjes në këtë Krahinë”.
Rrjedhimisht, Kryesia e KK të LK të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 tetor 1988, konstatoi se si organ ekzekutiv-politik “objektivisht mban përgjegjësi” për situatën në Kosovë, prandaj ajo, i propozonte Komitetit Krahinor, që t’i “shqiptoj kritika publike” Kryesisë së KK të LK të Kosovës, si dhe “një nga masat e përgjegjësisë”. Me 2-3 nëntor të vitit 1988, në Beograd u mbajt mbledhja e përbashkët e Kryesisë së KQ të LK të Serbisë dhe Kryesisë së KK të LK të Kosovës, në të cilën u zhvillua një debat i nxehtë ndërmjet anëtarëve të të dyja kryesive, lidhur me “përgjegjësinë individuale” të anëtarëve të udhëheqjes më të lartë partiake të Kosovës, pas së cilës pasuan dorëheqjet e katër anëtarëve dhe të sekretarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës. Ndërkohë, në mbledhjen e Kryesisë së KK të LK të Kosovës, e cila u mbajt më 10 nëntor 1988 në Prishtinë, në të cilën morën pjesë grupet punuese të KQ të LKJ -së dhe të KQ të LK të Serbisë, u konstatua se “Kryesia e Komitetit Krahinor nuk ka shprehur gatishmëri të mjaftueshme për përcaktimin e përgjegjësisë individuale të anëtarëve të Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë e kryetarit të mëparshëm (Azem Vllasit – v.j.) dhe kryetarit të tanishëm (Kaçusha Jasharit – v.j.)…”. Në të njëjtën mbledhje, u vendos që mbledhja e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, e cila ishte parapa të mbahej më 11 nëntor, të shtihej për 17 nëntor.
(vijon nesër)