Mahmoud Shalabi, punonjës shëndetësor në Beit Kahia, ka thënë se njerëzit po bluajnë kokrrat e ushqimit të kafshëve dhe po e shndërrojnë në miell, por se edhe ato po harxhohen. Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se katër nga pesë konvojet e fundit të ndihmës për në veri janë ndaluar nga forcat izraelite, që nënkupton një hendek prej dy javësh mes dërgesave në Gaza
Njerëzit që jetojnë në veriun e izoluar të Gazës i kanë thënë BBC-së se fëmijët po mbeten pa ushqim për ditë të tëra, pasi kolonave të ndihmave po u mohohen lejet për të hyrë. Disa banorë kanë gjetur zgjidhjen në bluarjen e ushqimit të kafshëve si miell për të mbijetuar, por edhe rezervat e atyre tani janë duke u pakësuar, thonë ata.
Njerëzit kanë përshkruar gjithashtu se si po gërmojnë në tokë për të hyrë në tubacionet e ujit, për të pirë dhe për t’u larë. OKB-ja ka paralajmëruar se kequshqyerja akute te fëmijët e vegjël në veri është rritur ndjeshëm dhe tani është mbi pragun kritik prej 15%. Agjencia e Koordinimit Humanitar të OKB-së, Ocha, thotë se më shumë se gjysmës së misioneve të ndihmës në veri të Gazës iu mohua hyrja muajin e kaluar dhe se ka një ndërhyrje në rritje nga forcat izraelite në mënyrën dhe vendin ku ofrohet ndihma.
Ajo thotë se 300.000 njerëz që vlerësohet se jetojnë në zonat veriore janë kryesisht të shkëputur nga ndihma dhe përballen me një rrezik në rritje të urisë. Një zëdhënës i agjencisë ushtarake izraelite i ngarkuar me koordinimin e qasjes së ndihmës në Gaza pati thënë në një konferencë muajin e kaluar se “nuk kishte uri në Gaza. Pikë”. Agjencia, Cogat, ka thënë vazhdimisht se nuk e kufizon sasinë e ndihmave humanitare të dërguara në Gaza. Mahmoud Shalabi, punonjës shëndetësor në Beit Kahia, ka thënë se njerëzit po bluajnë kokrrat e ushqimit të kafshëve dhe po e shndërrojnë në miell, por se edhe ato po harxhohen. Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se katër nga pesë konvojet e fundit të ndihmës për në veri janë ndaluar nga forcat izraelite, që nënkupton një hendek prej dy javësh mes dërgesave në Gaza.
“E dimë se ka një rrezik serioz për uri në Gaza nëse nuk ofrojmë sasinë e duhur të ushqimit në baza të rregullta”, ka thënë Matt Hollingworth, shef rajonal i Programit. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Ndihmave Humanitare ka thënë se ka rritje të numrit të misioneve të ndihmës që janë mohuar të futen në veriun e Gazës: 56% të dërgesave janë mohuar në janar, 14% më shumë se në tetor dhe dhjetor.
Në ndërkohë, të paktën 35 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet e reja në Rafah të dielën, duke rritur frikën tek palestinezët për një pushtim në terren. Sipas medias palestineze, Wafa, Rafah u godit mëngjesin e së shtunës nga sulmet ajrore dhe granatimet izraelite. Ekziston një alarm ndërkombëtar në rritje mbi Rafah, shtëpia e më shumë se një milion njerëzve, pasi Izraeli tha se së shpejti do të hynte në qytet si pjesë e fushatës së tij tokësore kundër Hamasit. Mirëpo Hamasi ka paralajmëruar të shtunën se mund të ketë “dhjetëra mijëra” të vdekur dhe të plagosur, nëse ushtria izraelite e pushton Rafah. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur disa ditë më parë se ai kishte urdhëruar trupat të përgatiteshin për të hyrë në qytet, i mbushur me palestinezë të zhvendosur.
Ndërkaq, të dielën ai tha se operacioni i Forcave Izraelite të Mbrojtjes në Rafah duhet të përmbyllet deri në fillim të Muajit të Ramazanit, më 10 Mars. Njoftimi shkaktoi shqetësim te qeveritë e huaja, përfshirë SHBA-në dhe agjencitë e ndihmës që po përballen me një krizë humanitare në rritje në Gaza si rezultat i luftës. Netanyahu ka urdhëruar zyrtarët ushtarakë që të hartojnë plane për “evakuimin” e Rafahut krahas “shkatërrimit” të luftëtarëve të Hamasit në qytet. OKB-ja thotë se rreth gjysma e 2.4 milionë njerëzve të Gazës tani janë strehuar në qytet, me shumë që flenë jashtë në tenda dhe strehimore të improvizuara dhe shqetësime në rritje për mungesën e ushqimit, ujit dhe kanalizimeve. (Koha.net)