Nga 19 sektorë, vend për shqiptarët Ministria e Mbrojtjes ka gjetur vetëm për një. Bujar Mustafai është i vetmi shqiptar në mesin e 19 udhëheqësve të Sektorëve, megjithëse nuk ka vendim të përhershëm, por i është ndarë autorizim i përkohshëm. Edhe në Akademinë e vetme Ushtarake në shtet, institucion nën kompetencat e Mbrojtjes, asnjë shqiptarë nuk ka gjetur vend nga 28 sa janë në udhëheqësinë e Akademisë
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 5 shkurt – Ministria e Mbrojtjes po vazhdon rrugën e pastrimit të shqiptarëve njëjtë sikurse muaj më parë kur shqiptarët u spostuan nga Shtabi i Armatës së Maqedonisë së Veriut. Këtyre ditëve, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski ka firmosur vendimet dhe autorizimet e reja për 19 sektorët e kësaj ministrie. Megjithatë, nga 19 sektorë, vend për shqiptarët Misajllovski ka gjetur vetëm për një. Bujar Mustafai është i vetmi shqiptar në mesin e 19 udhëheqësve të Sektorëve, ndërsa i është besuar drejtimi i Sektorit për Revizion të Brendshëm. Edhe Mustafai nuk ka vendim të përhershëm, por i është ndarë autorizim i përkohshëm, shkruan gazeta KOHA.
Igor Pavlevski do të jetë drejtues i Sektorit për Mbështetje të Ministrit, Dushko Avramovski do të udhëheq me Sektorin për Informata dhe Komunikim, Sasho Gelevski në Sektorin Rajonal për Marrëdhënie me Publikun, Zoran Ilov në Sektorin për Inspektim në Mbrojtje, Igor Jankullovski në Sektorin për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Jovanovski në Sektorin për Politikë dhe Planifikim, Krste Malinkovski në Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Trajan Cekovski në Sektorin për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, Milan Andonovski në Sektorin për Shërbime Juridike, Irena Stankovski në Sektorin e Burimeve Njerëzore, Dame Tomeski në Sektorin për Financa, Donka Milloshevska në Logjistikë, Olivera Prokoviq në Sektorin për Patundshmëri, Vllatko Rafeski në Sektorin për Shërbime dhe Turizëm, Parkun e Automjeteve dhe Mirëmbajtje, Petar Bogoevski në Sektorin për Prodhime të Veçanta, Gjoko Vançov në Sektori K-4 (informatikë dhe telekomunikacion), Goran Ratkov në Shërbimin për Histori, si dhe Valentin Ivanovski në Autoritetin e Forcave të Armatosura.
Gazeta KOHA merr vesh se përfaqësimi i drejtë ka rënë si në pjesën e administratës, atë të uniformës, në diplomacinë ushtarake, madje edhe misionet paqeruajtëse jashtë vendit.
SHPËRBLHETE ANTISHQIPTARI DHE PRO-RUSI, PETAR BOGOEVSKI
Një tjetër emërim shqetësues është emërimi i Petar Bogoevskit për udhëheqës Sektori për Prodhime të Veçanta. Një shtet anëtar në NATO dhe një ministri që ka kontakte direkte me aleatë të NATO-s emëron një person si Bogoevski të njohur publikisht si person pro-Putin dhe pro-Rusi.
Sektori me të cilin udhëheq Bogoevski, merret me, siç thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, punë profesionale dhe cilësore në fushën e prodhimeve të veçanta, ndërsa në veçanti kryen punë në fushën e mirëmbajtjes së automjeteve dhe pajisjeve speciale, si dhe kontrollin dhe servisimin e rregullt të tyre. Emërimi i tij pa dyshim se shton pasigurinë dhe shqetësimin si tek aleatët e NATO-s, ashtu edhe në opinionin e gjerë në Maqedoni, sidomos kur kemi parasysh se i njëjti ka patur disa masa disiplinore ndaj tij, duke shprehur hapur qëndrime pro-Rusisë si kundërshtarja më e madhe e NATO-s, pjesë e së cilës është edhe Maqedonia e Veriut.
“Duket se Bogoevski, i cili për çdo ditë fyen shqiptarët, u shpërblye për qëndrimet e tij kundër të gjithëve, përjashto këtu Rusinë dhe Serbinë”, thonë të punësuarit shqiptarë në Mbrojtje.
NGA 6 SHQIPTARË, MBETËN VETËM 1
Para Misajllovskit, ose më mirë thënë që nga koha kur me Ministrinë e Mbrojtjes udhëhoqi ish-ministri Talat Xhaferi, në ministri shqiptarët zinin vend në 6 sektorë, duke përmirësuar dukshëm përfaqësimin e drejtë vertikal. Zhvillimet e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes janë vazhdimësi i një procesi diskriminues që ka filluar që nga shtabet dhe strukturat e armatës, duke pasqyruar një mungesë të qartë të integrimit dhe përfaqësimit të shqiptarëve në pozita kyçe dhe udhëheqëse.
Pas një periudhe kur shqiptarët kanë patur më shumë mundësi dhe pozita udhëheqëse, tashmë ata po ndodhen në një periudhë të izolimit dhe margjinalizimit. “Ky diskriminim dhe papërfaqësim ka krijuar një ndjenjë të thellë të padrejtësisë dhe frikës në mesin e shqiptarëve që janë pjesë e kësaj ministri, pasi tashmë nuk ka asnjë mundësi dhe transparencë në proceset e emërimit dhe përfaqësimit”, ankohen punonjësit shqiptarë në Mbrojtje.
EDHE AKADEMIA ME DYER TË MBYLLURA
Edhe një tjetër institucion që është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes – Akademi Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski” vijon politikat diskriminuese, konkretisht mbylljen e dyerve për shqiptarët. Gjithsej 28 veta personel janë në krye të Akademisë Ushtarake dhe shqiptarët përfaqësohen me zero kuadro. Kjo akademi që nxjerr kuadro për nevojat e Shtabit të ARM-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka gjetur vend për kuadrot shqiptare as si asistentë, e të mos flasim për ligjërues të rregullt.
“Kuadro kemi tashmë, sepse nuk jemi pa togerë të shkolluar dhe ekspertë të mbrojtjes. Madje, edhe më të zotë se tek pala tjetër”, thonë të punësuarit shqiptarë në mbrojtje, ndërsa tregojnë se diskriminimi etnik në këtë Akademi shihet edhe tek numri i studentëve shqiptarë që pranohen për studime e që mbulohen tërësisht nga shteti. Nëse vitet e kaluara kishte më së paku 5 studentë shqiptarë, në vitin e ri akademik studimet i ndjek vetëm një i ri shqiptar dhe 29 tjerë maqedonas.
Në vitin akademik 2023-2024, studimet i ndjekin 6 shqiptarë, ndërsa për këtë vit akademik (2024-2024) është pranuar vetëm një. Dhe ndryshe nga vitet tjera, tashmë në faqen zyrtare dhe në Listën e maturantëve të pranuar, nuk jepet asnjë informatë sesa maturantë – të ndarë sipas etnisë, kanë aplikuar për studime në Akademinë e vetme Ushtarake në vend. (koha.mk)