Ky kanal i ujitjes, sipas bujqve ka ekzistuar shumë dekada, ku sipas bujqve, edhe paraardhësit e tyre e kanë shfrytëzuar për ujitjen e tokave bujqësore. Bujqit janë shprehur se nëse nuk hapet sërish kanali i ujitjes do të organizojnë edhe protesta më të mëdha
Urim HASIPI
Tetovë, 12 mars – Mbyllja e kanalit për ujitje ka shkaktuar revoltë tek një pjesë e bujqve të Tetovës. Ata thonë se premtimet kanë qenë që kur të ndërtohet muri mbrojtës do të ndërtohet edhe kanali për ujitje. Përderisa punët për ndërtimin e murit mbrojtës përgjatë lumit Shkumbin kanë filluar dhe janë duke vazhduar, nga ana tjetër bujqit thonë se shumë shpejt do të fillojë sezoni i ujitjes dhe mungesa e ujit do të shkaktojë shumë telashe për mbi 100 bujq të kësaj zone.
“Duhet që të mos shkojmë dhe të mos bëjmë shpenzime për të mbjellë dhe në fund nuk mund të marrësh asgjë. Ne jemi tubuar për ujin për vaditje, ne pa ujë kot shkojmë dhe i lëvrojmë tokat.Premtimi ka qenë që këtu të ketë kanal për vaditje, tash kështu si është nuk mund të ujisim”, tha Daut Ziberi, bujk. Ky kanal i ujitjes sipas bujqve ka ekzistuar shumë dekada , ku sipas bujqve, edhe paraardhësit e tyre e kanë shfrytëzuar për ujitjen e tokave bujqësore.“Me këtë kanal kanë vaditur gjyshërit, baballarët. Po ashtu prej këtu kanë vaditur edhe bujqit e fshatit Saraçinë dhe sot ndërton murin këtu, të ndalë ujin, ta ndalë bujqësinë, ta dërgojë teposhtë bujqësinë, ta ndalojë bukën, krejt mbrapsht’, thotë një bujk. Ata shprehen se nëse kanali nuk rihapet sërish, do të detyrohen që shumë prona ti lënë të pa mbjellura shkaku i mungesës së ujit.
“Kemi dalur këtu për të shprehur revoltën sepse ky kanal ka ekzistuar prej vitesh, kurse tash me këto punime, ne e shohim se kanali jonë që kemi ujitur deri tani nuk ka qasje deri tek pronat tona. Uji nga Lumi Shkumbin, që paraprakisht është marrë për të ujitur, tash nuk mund të merret”, thotë Shaban Kahremani, bujk.
Nga Komuna e Tetovës thonë se kanali do të ndërtohet pasi që të përfundohet muri mbrojtës. Punimet që aktualisht zhvillohen në këtë zonë të Tetovës, kanë lënë pa ujë shumë prona bujqësore në rajonin e Tetovës, kurse nga komuna e Tetovës premtojnë se kanali që ka qenë aty do të rindërtohet. “Kanali i ujitjes do të ndërtohet si ka qenë. Tash e tutje pas përfundimit të ndërtimit të murrit mbrojtës në rrjedhën e lumit Shkumbin, do të hapet edhe kanali”, thotë Albion Alili, nga zyra për informim në Komunën e Tetovës. Më tej, nga komuna e Tetovës sqaruan se ka projekt edhe për kanalin, prandaj do të duhet kohë të pritet.
Bujqit janë shprehur se nëse nuk hapet sërish kanali i ujitjes do të organizojnë edhe protesta më të mëdha. (koha.mk)