Në Spitalin e Dibrës ka arritur tashmë edhe aparati Urinometër që i dedikohet nevojave të repartit të laboratorit të këtij institucioni shëndetësor në Dibër. Bëhet fjalë për një donacion nga dibranë që jetojnë në Amerikë. Njëherësh, sot për repartin intern, siç njofton drejtori i spitalit, Mersim Koleci është siguruar aparat i ri EKG 12 kanalësh
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 mars – Viteve të fundit, e sidomos gjatë dhe pas pandemisë të Kovid 19, diaspora dibrane në SHBA dhe shtetet të BE dërguan shumë donacione në adresë të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër. Këto dërgesa në aparatura, por edhe në mjete materiale, mundësuan që ky institucion shëndetësor dukshëm të përmirësojë kushtet e punës në interes të mbrojtjes shëndetësore të popullatës. Përveç modernizimit të departamenteve të Gjinekologjisë, Kirurgjisë, Sëmundjeve të Brendshme dhe Shërbimit të Shpejtë, tërësisht është rinovuar edhe laboratori i spitalit, duke vendos në të aparatura të reja, por edhe sanimin të hapësirave të këtij objekti. Drejtori i spitalit, Mersim Koleci, për gazetën KOHA ka informuar se tërësisht kanë përfunduar aktivitete për modernizimin e laboratorit. Ai thekson se ka përfunduar plotësisht renovimin e laboratorit të spitalit.
“Është bë ndërrimi i dritareve, dyerve, u vendosen pllaka të reja në të gjitha hapësirat dhe u krijua hapësirë e re për sportelet, ndriçimi krejtësisht tani është i ri – led, dhe është vendosur edhe instalim i ri i rrymës elektrike dhe rrjetit të ujësjellësit. Po ashtu kemi vendosur edhe perde të reja, dhe është bërë lyerja e hapësirave, si dhe shume punë të tjera”, thotë Koleci dhe shton se gjatë 3 javëve të kaluara pacientët kanë mirëkuptuar punën me kapacitet të reduktuar. “Tani kemi një laboratori moderne”, thotë Koleci. Aktivitetet e fundit po ashtu janë kryer nga një donator, i cili jeton në botën e jashtme, por në kontinuitet ka ndihmuar institucionet në Dibër.
Gjatë muajve të kaluara, në Spitalin e Dibrës arriti aparati Urinometër që i dedikohet nevojave të repartit të laboratorit të këtij institucioni shëndetësor në Dibër. Bëhet fjalë për një donacion nga dibranë që jetojnë në Amerikë. Njëherësh, sot për repartin intern, siç njofton drejtori i spitalit, Mersim Koleci është siguruar aparat i ri EKG 12 kanalësh.
Të punësuarit në Repartin e Laboratorisë theksojnë se donacioni dukshëm do ta përmirësoj kualitetin e analizave në këtë repart. Kur jemi tek donacionet që kanë arritur nga ana e diasporës dibrane për këtë institucion shëndetësor, mund të themi se ndihmat në pajisje kanë qenë në kontinuitet. Tani kur Laboratori pranë Spitalit është kompletuar me aparaturat e nevojshme, shumë dibran të cilët për analiza shkonin në laboratorët e spitalit të Strugës, analizat tashmë pa problem i kryejnë në vendlindje. Në drejtorinë e Spitalit potencojnë se edhe në aspektin kadrovik – ekipi është në nivel dhe laboratori funksionon pa probleme. Burimi i njëjtë potencon se aktualisht bëhet edhe riparimi i fasadës të objektit të spitalit me mjete të Ministrisë së Shëndetësisë e që ka të bëjë me efikasitetin energjetik të objektit. (koha.mk)